Zjarre të shumta përfshijnë Portugalinë/ Mbi 1,000 zjarrfikës në terren

27 Korrik 2026, 20:20Bota TEMA
Zjarre të shumta përfshijnë Portugalinë/ Mbi 1,000

Disa zjarre shpërthyen këtë pasdite në veri dhe qendër të Portugalisë, duke angazhuar mbi 1,000 zjarrfikës, të mbështetur nga 20 avionë dhe helikopterë, në përpjekjet për vënien e tyre nën kontroll. Lajmi u konfirmua nga agjencia portugeze e mbrojtjes civile.

Sipas autoriteteve, vatrat më aktive ndodhen në rajonet e Santarém, Guarda, Braga dhe Bragança, ku flakët kanë përfshirë kryesisht zona me shkurre dhe bimësi të ulët.

Situata është rënduar nga rritja e temperaturave në të gjithë vendin. Sipas parashikimeve, termometri mund të arrijë deri në 40 gradë Celsius në zonat qendrore dhe jugore të Portugalisë gjatë ditëve në vijim.

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) ka paralajmëruar se rreziku i zjarreve mbetet “shumë i lartë” në pothuajse të gjithë territorin e vendit, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.

Portugalia përballet pothuajse çdo verë me zjarre të mëdha pyjore. Këtë vit, zjarri më i rëndë u regjistrua në rajonin e Viseut, rreth një muaj më parë, ku rreth 130 mijë hektarë bimësi u dogjën.

Ekspertët theksojnë se Gadishulli Iberik mbetet një nga rajonet më të prekura nga ndryshimet klimatike, të cilat po sjellin valë më të shpeshta të të nxehtit dhe periudha të gjata thatësire, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre.

Lini një Përgjigje