Tronditje në Federatën Italiane/ Maldini dhe Leonardo dorëhiqen zyrtarisht nga Kombëtarja, ja kush mund t’i zëvendësojë

27 Korrik 2026, 20:30Sport TEMA
Tronditje në Federatën Italiane/ Maldini dhe Leonardo dorëhiqen

Zhvillime të rëndësishme kanë tronditur Federatën Italiane të Futbollit. Paolo Maldini dhe Leonardo kanë dhënë dorëheqjen nga detyrat e tyre, duke hapur një kapitull të ri në garën për trajnerin e ri të kombëtares italiane.

Dorëheqja e dy drejtuesve vjen pasi Andrea Pirlo njoftoi publikisht se nuk është më kandidat për stolin e Italisë, duke e lënë Federatën në kërkim të një zgjidhjeje të re.

Sipas mediave italiane, largimi i Maldinit dhe Leonardos i ka hapur rrugën rikthimit të Roberto Mancinit, i cili tani konsiderohet favoriti kryesor për të marrë drejtimin e “Axurrëve”. Presidenti i Federatës, Giovanni Malagò, e ka vlerësuar prej kohësh Mancinin si kandidatin ideal dhe rikthimi i tij në pankinë duket më pranë se kurrë.

Mancini, i cili udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Euro 2021, raportohet se është i gatshëm të rikthehet në krye të kombëtares, pavarësisht zhvillimeve të fundit.

Në garë mbetet edhe Antonio Conte, megjithëse ish-trajneri i Napolit ka deklaruar së fundmi se nuk është kontaktuar nga Federata. Megjithatë, ai vazhdon të gëzojë mbështetjen e një pjese të presidentëve të klubeve të Serie A, të cilët mund të ndikojnë në vendimin përfundimtar.

Ndërkohë, në Itali po qarkullon edhe ideja që Giorgio Chiellini të marrë rolin e drejtorit teknik të kombëtares pas largimit të Maldinit, çka mund të ndikojë në zgjedhjen e trajnerit të ri.

Pas refuzimeve të emrave të mëdhenj si Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti, si edhe tërheqjes së Andrea Pirlos nga gara, Federata Italiane përballet me një nga proceset më të ndërlikuara të viteve të fundit për zgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares. Tashmë, Roberto Mancini shihet si kandidati më i favorizuar për të rikthyer stabilitetin në pankinën e “Axurrëve”.

Lini një Përgjigje