Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar fituesit e Çmimeve të Nderit për këtë vit, një listë e mbushur me emra gjigantë të kinematografisë, të cilët, pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm, nuk kanë arritur të rrëmbejnë një statujë Oscar në konkurrencë të drejtpërdrejtë gjatë karrierës së tyre.
Në qendër të vëmendjes është aktorja Glenn Close, e cila me tetë nominime pa fitore, mban rekordin – krah Peter O’Toole – si aktorja me më shumë nominime në histori pa e marrë kurrë çmimin kryesor. Akademisë i njihet tashmë kontributi i saj i pakrahasueshëm:
“Përgjatë gjithë veprës së saj të jashtëzakonshme, gama emocionale e pakrahasueshme e Glenn Close ka sjellë në jetë disa nga personazhet më komplekse në kinema.”
Përveç Close, Akademia do të nderojë edhe dy ikona të tjera të filmit. Sir Ridley Scott (88 vjeç), regjisori i kryeveprave si Alien, Blade Runner dhe Gladiator. Pavarësisht katër nominimeve për Oscar (përfshirë ato për regjisor më të mirë), ai nuk ka fituar ende, duke u njohur tashmë si një vizionar i vërtetë i kulturës globale.
Floyd Norman, animatori legjendar që theu barrierat racore në vitin 1956 duke u bërë animatori i parë me ngjyrë për Walt Disney Animation Studios. Ai ka kontribuar në klasike të pavdekshme si Sleeping Beauty, The Jungle Book dhe Monsters, Inc.
Çmimi përkujtimor Irving G. Thalberg
Përtej aktorëve dhe regjisorëve, Akademia ka vlerësuar edhe producentet Christine Vachon dhe Pamela Koffler të Killer Films, të cilat do të marrin Çmimin Përkujtimor Irving G. Thalberg. Ky çmim u jepet producentëve krijues, puna e të cilëve reflekton një cilësi vazhdimisht të lartë. Që nga themelimi i qendrës së tyre në vitin 1995, ato kanë qenë shtylla kurrizore e kinemasë së pavarur amerikane, duke mbështetur projekte të guximshme si Hedwig and the Angry Inch, Boys Don’t Cry dhe Past Lives.
Fituesit do të marrin këto çmime në “Çmimet Vjetore të Guvernatorëve”, një ceremoni që do të zhvillohet më 15 nëntor në Ray Dolby Ballroom në Los Angeles.
Eventi, i cili është kthyer në fillimin jozyrtar të fushatës së sezonit të çmimeve në Hollywood, nderon arritjet gjatë gjithë jetës dhe kontributet e jashtëzakonshme në artin dhe shkencat e filmit. Për Glenn Close, ky çmim shënon një moment kulmor pas një karriere që përfshin triumfe në Emmy, Tony, Grammy dhe Golden Globes, duke e bërë këtë nderim “Oscar-in” që i mungonte prej dekadash.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje