
Nga Timo Mërkuri
Qysh në vargjet e para ndjen se kjo poezi e Natasha Lakos është një poezi ndryshe. Është nga ato tekste që të ndryshojnë mënyrën e leximit. Pa e kuptuar ende ku do të të çojë, ndien se ke hyrë në një hapësirë tjetër poetike, larg atij lirizmi të qetë e reflektiv me të cilin jemi mësuar ta njohim autoren. Në hovin e parë të fjalëve, në ritmin e tyre të dendur dhe vrullin me të cilin ndjekin njëra-tjetrën, poezia të krijon ndjesinë e një kavalerie që vrapon me revan.
Vargu nuk qëndron gjatë mbi një imazh të vetëm dhe as kërkon strehë në vetminë e meditimit lirik. Ai lëviz pareshtur, mbledh rreth vetes sende, dukuri, njerëz, institucione, zëra e kundërthënie, duke krijuar përshtypjen e një bote që kalon para syve si ujërat e një lumi të turbullt pas reshjeve. Tingulli dhe kuptimi ecin bashkë në këtë poezi. Herë fjala duket se e udhëheq ritmin, herë ritmi e tërheq pas vetes.
Edhe forma e poezisë e shpall këtë ndryshim. Në vend të përqendrimit të zakonshëm lirik, këtu hasim renditje të gjata, afërsi tingullore, përsëritje dhe një energji që herë ngjan me marshimin e një turme, herë me jehonën e një kushtrimi që zbret nga lartësitë e kohës. Grotesku bëhet më i dukshëm, ironia fiton terren, ndërsa shqetësimi qytetar del në sipërfaqe si një burim që nuk mund të mbulohet më.
Megjithatë, ndryshimi duket në sipërfaqe. Poshtë saj, poezia mbetet e njëjta në thelb. Nën këtë ritëm të vrullshëm vazhdon të rrahë e njëjta ndjeshmëri njerëzore që e ka shoqëruar Natasha Lakon në gjithë krijimtarinë e saj. Është po ai shqetësim për njeriun, për fatin e vlerave dhe për plagët e kohës, vetëm se kësaj here nuk flet me zë të ulët. Del në mes të sheshit dhe kërkon të dëgjohet.
Ndaj hyrja më e natyrshme në universin e kësaj poezie nuk kalon nga ritmi, figuracioni apo satira e saj. Ajo kalon nga titulli. Janë vetëm dy fjalë, por ato mbajnë mbi supe kujtesën e një kohe historike dhe peshën e një simbolike të rrallë. “E mbë ta!” nuk është thjesht emri i poezisë. Është porta e parë kuptimore e saj, flamuri që valëvitet mbi të gjithë tekstin dhe thirrja prej së cilës fillon e merr kuptim gjithë lëvizja e kësaj poezie.
I. Titulli si histori, simbol dhe kujtesë.
Në poezinë “E mbë ta!”, titulli nuk është thjesht porta hyrëse e tekstit. Ai vjen përpara poezisë si një jehonë e largët që ende nuk është shuar në kujtesën shqiptare. Dy fjalë të shkurtra, por me peshën e një ngjarjeje që koha nuk ka mundur ta zbehë.
“E mbë ta!” – “Mbi ta!” – është një kushtrim lufte. Një thirrje që sipas kujtesës historike lidhet me Lekë Dukagjinin në ditët e një beteje me ushtrinë osmane, kur ushtria shqiptare mori lajmin se Gjergj Kastrioti ndodhej në shtratin e vdekjes dhe mund të mbaronte nga çasti në çast. Shqiptarët duhej të ktheheshin në Lezhë për të përcjellë kryezotin e tyre, por nuk mund ta linin betejën dhe ushtrinë turke. Kjo ushtri duhej të shpartallohej, jo thjesht të mposhtej. Lekë Dukagjini lëshoi kushtrimin dhe ushtria shqiptare vërshoi mbi pushtuesin osman si lumi kur del nga shtrati në një dimër të egër. Ndaj kujtesa jonë thirrjen “E mbë ta” nuk e ka ruajtur vetëm si një urdhër lufte, por më së shumti si një flamur besimi që valvitej kur gjithçka dukej se po gremiej përreth. Ishte një nga ato çaste kur historia duket sikur ndalet për një frymëmarrje dhe pret të shohë nëse ky popull do të gjejë forcën të vazhdojë më tej.
Nuk është rastësi që Natasha Lako zgjedh pikërisht këtë kushtrim për titullin e poezisë. Ajo e merr nga historia për t’i folur kohës sonë. Historia nuk vjen si kujtim. Vjen si një prrush që ende djeg, edhe pse nga një zjarr i vjetër.
Në poezi nuk ka beteja, kalorës apo shpata. Megjithatë, që në vargjet e para ndiejmë një botë të trazuar, ku përzihen “sallat”, “stallat”, “vlerat”, “vitrinat”, “mandatet”, “dekoratat” ; një botë ku “dridhen burrëritë” dhe ku “këputen frenat“. Nuk është fusha e betejës së shekullit XV, por nuk është as një botë që gjen paqe me vetveten.
Dhe pikërisht këtu titulli nis të hapë kuptimet e tij më të thella. Kushtrimi i dikurshëm në këtë poezi nuk të fton kundër një ushtrie pushtuese. Ai të fton të përballesh me gjithçka që cenon njeriun dhe vlerat e tij. Kundër mjegullimit të së vërtetës, kundër shpërfytyrimit të jetës publike, kundër lodhjes morale që i bën njerëzit të pajtohen me të papranueshmen.
Kështu, “E mbë ta!” pushon së qeni një kujtim historie dhe shndërrohet në simbol. Në simbolin e reagimit. Në simbolin e refuzimit për të qëndruar duarkryq përballë asaj që të shqetëson. Ai qëndron mbi të gjithë poezinë si një flamur që valëvitet, ndërsa poshtë tij kalojnë ritmet, ironia, grotesku dhe shqetësimet e kohës sonë.
Sa më shumë i afrohesh fundit të poezisë, aq më qartë kupton se Lako nuk ka marrë nga historia ashpërsinë e kushtrimit, por forcën e tij morale. Ajo nuk thërret kundër njerëzve . Thërret kundër dukurive që varfërojnë shpirtin dhe errësojnë ndërgjegjen.
Prandaj kur poezia mbyllet me vargjet:“E mbë ta,/dashuri sa vajti ora,/të kthehet zemra nga e tëra,” titulli ka përfunduar udhëtimin e vet. Ka ardhur nga zhurma e një beteje mesjetare dhe ka mbërritur te zemra e njeriut, aty ku gjen kuptimin e tij më të plotë.
E parë në këtë kontekst “E mbë ta!” nuk është në këtë poezi një zbukurim historik dhe as një kujtim i së kaluarës. Është një fjalë e ardhur nga shekujt për t’i folur së tashmes. Si një kambanë e vjetër që nuk është shuar ende, ajo dëgjohet në sfondin e kohës.
II. Arkitektura tingullore dhe melodiciteti i poezisë
Nëse titulli është kushtrimi që hap poezinë, ritmi është fryma që e përshkon nga fillimi deri në fund. Te “E mbë ta!” tingulli nuk vjen pas kuptimit. Shpesh ndodh e kundërta. Së pari dëgjon poezinë dhe vetëm pastaj nis të depërtosh në shtresat e saj kuptimore. Ajo hyn te lexuesi jo vetëm përmes mendimit, por edhe përmes veshit.
Që në hapje krijohet ndjesia e një lëvizjeje të pandërprerë:”Përpara në salla, në stalla, në sera, në vlera, në viehrra, në të tjera,/të blera.” Fjalët nuk rrinë qetë. Shtyhen njëra pas tjetrës, si të mos kenë kohë të ndalen. Përsëritja e parashtesës “në” krijon ritmin e hapave, ndërsa tingujt e afërt e mbajnë vargun në një lëvizje të vazhdueshme. Që këtu ndihet se poezia nuk është ndërtuar për t’u lexuar vetëm me sy. Ajo kërkon zë.
Ky vrull tingullor vazhdon në gjithë tekstin: “në pishina, në vitrina, në kabina, në makina” dhe më tej: “e klasave (të nxënësve)”,e glasave (të zogjve), e rasave, (të varreve), të kasave (të parave), të karkasave (të shërbëtoreve)” ku fjalët nuk funksionojnë si përkufizime. Në dukje kemi një lojë fjalësh, por në të vërtetë kemi një organizim të kujdesshëm muzikor. Tingulli afron fjalët pranë njëra-tjetrës dhe, bashkë me to, afron edhe botë kuptimore që zakonisht qëndrojnë larg njëra-tjetrës. Dhe muzika e saj nuk qëndron më si zbukurim. Bëhet vetë mendim.
Në gjithë poezinë ndihet prania e dendur e zanores “a”. Është zanorja më e hapur e shqipes dhe ndoshta më kumbimtarja. Ajo dëgjohet te “salla”, “stalla”, “vlera”, “pará”, “mandate”, “inondata”, “rasave”, “karkasave”. Kjo përsëritje i jep poezisë jehonë dhe hapësirë. Tingulli hapet, përhapet dhe mbush vargun si një kambanë që vazhdon të dridhet dhe jehojë edhe pasi mbaron goditja.
Por krahas kësaj hapjeje dëgjohen vazhdimisht edhe bashkëtingëlloret e forta. “K”-ja, “g”-ja, “t”-ja dhe “r”-ja krijojnë një strukturë më të ashpër, më tokësore, më energjike: “torollakët, njomzakët, boshnjakët, oxhakët” ose:”dridhen dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë...” ku tingulli fiton peshë fizike. Duket sikur fjalët nuk shqiptohen, por përplasen. Ritmi nuk rrjedh më si ujë; ai troket, godet dhe zgjon.
Edhe përsëritjet kanë një rol të veçantë. Fjala “përpara” rikthehet si një refren i fshehtë, si një shtytje e vazhdueshme drejt lëvizjes. Po kështu edhe vargu i foljeve: “rrëzohen”, “dridhen”, “këputen”, “kthehen”, “numërohen”. të krijon ndjesinë se poezia duket sikur merr frymë nëpërmjet tyre. Çdo folje sjell një lëvizje të re, një valë të re ritmike, derisa teksti fiton energjinë e një organizmi të gjallë.
Melodiciteti i kësaj poezie nuk qëndron vetëm te vrulli. Qëndron edhe te ndryshimi i tij. Në fillim ritmi grumbullohet dhe përshpejtohet, më pas errësohet nga vargje si: “këputen frenat, hienat, venat” apo: “kthehen në varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari” Duket sikur vetë tingulli mbart peshën e trazimit që përshkon poezinë.
Dhe pastaj, pas gjithë këtij vërshimi, vjen qetësimi. “E mbë ta,/dashuri sa vajti ora,/të kthehet zemra nga e tëra.” Pas zhurmës së ritmeve, pas dendësisë së tingujve dhe grumbullimit të fjalëve, poezia mbërrin te një ton më i butë. Është sikur një erë e fortë të pushojë papritur dhe mbi ujë të mbetet vetëm lëkundja e fundit e valës. Ritmi nuk shtyn më. Tani ai fton për reflektim.
Kjo është arsyeja pse melodiciteti në “E mbë ta!” nuk mund të shihet si zbukurim i jashtëm i vargut. Ai është një nga themelet e poezisë. Tingulli, ritmi, zanoret, bashkëtingëlloret dhe përsëritjet punojnë së bashku si fijet e të njëjtit endje poetike. Shpesh jehona e tyre mbërrin te lexuesi një çast më parë se kuptimi, dhe pikërisht aty qëndron një pjesë e magjisë së kësaj poezie.
III. Leksiku poetik dhe bota e fjalëve.
Te poezia “E mbë ta!” një pjesë e madhe e forcës buron nga vetë fjalët. Nga mënyra si janë zgjedhur, si janë afruar pranë njëra-tjetrës dhe si krijojnë një botë që herë të habit, herë të trondit dhe herë të bën të buzëqeshësh me hidhërim.
Që në leximin e parë ndien se Lako nuk zgjedh një leksisk heroic, kalorsiak apo epic siç mund të pritej nga një poezi që mban titullin e një kushtrimi lufte mesjetar, madje leksiku i kësaj poezie nuk vjen nga një burim i vetëm. Është si një lumë që nuk di nga i vijnë ujërat. Në të gjen fjalë të jetës së përditshme, të politikës, të administratës, të familjes, të natyrës, të vdekjes e të dashurisë. Të gjitha hyjnë në të njëjtin varg pa kërkuar leje nga njëra-tjetra.
Shihni si afrohen: “në salla, në stalla, në sera, në vlera…” dhe pak më tej: “në pishina, në vitrina, në kabina, në makina…” Në dukje kemi një lojë tingujsh, por realisht pas tingullit qëndron një botë e tërë. Këtu bashkëjetojnë hapësira të jetës publike, të jetës private dhe të botës së konsumit. Është sikur poetja të mos zgjedhë asgjë për të lënë jashtë. Ajo e merr kohën me gjithçka që mbart mbi supe dhe e fut në poezi.
Madje shpesh duket sikur fjalët nuk janë zgjedhur për atë që emërtojnë, por për atë që zbulojnë kur vendosen pranë njëra-tjetrës. Një “dekoratë” pranë një “mandati” tingëllon krejt ndryshe nga sa do të tingëllonte e vetme. Një “autopsi” pranë një “autorësie” krijon një drithërimë të çuditshme ku jeta dhe vdekja, krijimi dhe fundi, prekin njëra-tjetrën për një çast:”rrëzohen pemë, sejmenë, autorësi, autopsi.” Është një nga ato vargje ku fjala duket sikur heq petkun e zakonshëm dhe nxjerr në dritë kuptime të fshehura.
Po kështu ndodh me sekuencën: “e klasave (të shkollave), e glasave (të oborreve), e rasave (të mortoreve), të kasave (të thertoreve), të karkasave (të shërbëtoreve)”. Fjalët lidhen nga tingulli, por jo nga kuptimi. Kjo mospërputhje krijon një ndjesi çorientimi, sikur realitete që zakonisht qëndrojnë larg njëri-tjetrit të jenë hedhur papritur në të njëjtën hapësirë poetike. Në fillim tingulli krijon një lloj loje. Por sa më shumë ecën vargu , aq më qartë kuptohet se kemi të bëjmë me më shumë se një lojë tingujsh.
Në poezi ka shumë fjalë që mbartin peshë rrënimi: “këputen frenat, hienat, venat” ose: “kthehen në varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari.” Por përballë tyre qëndrojnë fjalë të tjera, më të buta, më njerëzore. Mes gjithë kësaj dendësie shfaqen “lulet”, “rinia”, “bukuria”, “shtëpia“. Ato nuk zënë shumë vend në tekst, por prania e tyre është e mjaftueshme për të treguar se poezia nuk e ka humbur besimin te njeriu.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga bukuritë e leksikut të kësaj poezie. Ai nuk është as i pastër dhe as i qetë. Është i trazuar si vetë koha që pasqyron. Fjalët e bukura dhe fjalët e ashpra, fjalët e jetës dhe ato të vdekjes, fjalët e shpirtit dhe ato të burokracisë, lëvizin në të njëjtin qark poetik. Ashtu si në jetën e përditshme, ku bukuria dhe banaliteti shpesh ndajnë të njëjtën trotuar.
Dhe kur poezia mbërrin në fund, pas gjithë kësaj vorbulle fjalësh, mbetet vetëm ajo që ka më shumë peshë se të gjitha: “E mbë ta,/dashuri sa vajti ora,/të kthehet zemra nga e tëra.” Nuk është rastësi që poezia përfundon te “dashuria” dhe te “zemra”. Pas gjithë fjalëve që emërtojnë sendet, postet, deformimet, rrënimet dhe groteskun e kohës, poetja kthehet te fjala më e vjetër e njeriut: zemra.
Prandaj leksiku i “E mbë ta!” nuk mbetet thjesht një rend fjalësh, por shndërrohet në një terren ku kuptimet ndërrojnë vend pa paralajmërim. Është si një pasqyrë e çarë, ku koha nuk kthehet e rregulluar, por e shpërndarë në shumë fytyra njëherësh, secila duke reflektuar një tjetër dridhje të së njëjtës botë.
Në këtë hapësirë, fjala nuk zbukuron dhe as shpjegon: ajo ekspozon. Dhe Natasha Lako nuk e zbut këtë ekspozim; ajo vetëm e vendos përpara nesh, si një peizazh që nuk kërkon miratim për të qenë i vërtetë. Prej këtu, edhe vetë fjalët e poezisë bëhen pjesë e kushtrimit të saj- jo si zë i ngritur, por si gjurmë që mbetet. Dhe ndonjëherë, pikërisht gjurma është forma më e qëndrueshme e thirrjes.
IV. Figuracioni artistik dhe krijimi i imazhit poetik
Një nga veçoritë më interesante të poezisë “E mbë ta!” është mënyra se si Natasha Lako ndërton figuracionin e saj. Lexuesi që kërkon metafora të mëdha, simbole të shpallura apo imazhe të ndërtuara sipas traditës klasike, mund të mbetet fillimisht i hutuar. Poezia duket sikur ecën në një drejtim tjetër. Ajo nuk ndalet për të gdhendur gjatë një figurë të vetme, por krijon vazhdimisht figura të reja nga afërsia dhe përplasja e fjalëve.
Prandaj, kur flasim për figuracionin artistik të kësaj poezie, duhet të nisemi nga një vëzhgim i thjeshtë: Natasha Lako këtu flet më shumë me imazhe sesa me metafora. Në këtë lexim, unë e shoh poezinë më shumë si një rrjedhë perceptimi sesa si një ndërtim figurash të fiksuara.
Kjo nuk do të thotë se metafora mungon. Përkundrazi, ajo është e pranishme në shumë vende të tekstit, por nuk qëndron në qendër të vëmendjes. Ajo vepron në heshtje, si një rrymë e nëndheshme që ushqen kuptimin e përgjithshëm të poezisë. Në plan të parë del imazhi.
Imazhi nuk ndërtohet nga përshkrimi. Nuk krijohet nga vizatimi i një tabloje poetike. Ai lind nga grumbullimi i fjalëve.
Mjafton të lexojmë: “përpara në salla, në stalla, në sera, në vlera, në vjehrra, në të tjera” ose: “në pishina, në vitrina, në kabina, në makina”. Në leximin tim, kjo është një nga ato raste kur gjuha nuk përshkruan realitetin, por e përthith dhe e shpërndan atë.
Në vetvete, këto fjalë nuk janë figura artistike, por të vendosura pranë njëra-tjetrës krijojnë një panoramë të lëvizshme të realitetit. Lexuesi nuk sheh një objekt të vetëm. Ai sheh një botë që kalon me shpejtësi para syve, si një karvan pamjesh që nuk ndalet askund. Pikërisht këtu shfaqet figura që mban mbi supe një pjesë të madhe të poezisë: enumeracioni, renditja e pandërprerë e fjalëve.
Në shumë poezi enumeracioni është figurë ndihmëse. Te “E mbë ta!” ai bëhet figurë themelore. Nga ai lind ritmi, muzikaliteti, ironia. Madje edhe vetë imazhi poetik shpesh është produkt i tij.Kjo vërehet më qartë në sekuenca të tilla si: “numërohen lulet, fasulet, koburet, bien poturet”
Në dukje kemi vetëm një varg fjalësh të afërta tingullisht, por ndërmjet tyre krijohet një tension figurativ. Lulja, fasulja, koburja dhe poturja i përkasin botëve të ndryshme. Kur futen në të njëjtin varg, ato fillojnë të prodhojnë një imazh grotesk të një realiteti ku e bukura, e zakonshmja dhe e dhunshmja përzihen pa kufi.Në këtë mënyrë poetja nuk e përshkruan kaosin, ajo e krijon atë para syve tanë.
Një rol të veçantë luajnë edhe personifikimet. Në disa raste ato shfaqen natyrshëm, pothuaj pa u vënë re, por ndikimi i tyre është i fortë. Kur lexojmë:”dezinfektohen të vërtetat”e kuptojmë menjëherë se nuk kemi të bëjmë me një pohim realist. E vërteta paraqitet si një qenie e gjallë që mund të infektohet dhe më pas të pastrohet. Në një varg të vetëm krijohet një metaforë e fuqishme për mënyrën si trajtohet e vërteta në shoqërinë moderne.
Po kështu ndodh edhe te:”vigjëlon policia, rinia, bukuria, shtëpia, kakërdhia” konceptet dhe nocionet abstrakte marrin jetë. Rinia, bukuria apo shtëpia dalin nga gjendja e tyre statike dhe hyjnë në lëvizje. Bota e poezisë fillon të marrë frymë si një organizëm i vetëm.
Metafora, nga ana tjetër, nuk paraqitet si figurë e izoluar, por si gjendje e përgjithshme e tekstit.Kur poetja shkruan:”dridhen dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë” dridhja kalon nga trupi te morali. Kockat mund të dridhen fizikisht, por burrëritë dhe fuqitë dridhen në një kuptim tjetër. Këtu metafora zgjeron kuptimin e vargut dhe e kthen një lëvizje fizike në një gjendje shpirtërore e shoqërore.
Po kështu:”këputen frenat, hienat, venat“krijon një nga imazhet më të forta të poezisë. Humbja e kontrollit, agresiviteti dhe dëmtimi jetësor bashkohen në të njëjtën hapësirë figurative. Një varg i vetëm arrin të përcjellë ndjesinë e një rendi që po shpërbëhet.
Këtu hyn në lojë grotesku, i cili është një nga ngjyrat më të dallueshme të figuracionit të kësaj poezie. Shumë nga imazhet e saj lindin pikërisht nga bashkimi i elementeve që normalisht nuk qëndrojnë bashkë. Është si të shohësh copëza të ndryshme pasqyrash të thyera që papritur formojnë një portret të vetëm. Ky portret nuk është i bukur në kuptimin tradicional të fjalës, por është tronditës dhe i vërtetë.
Prandaj, nëse do të kërkonim figurën qendrore të kësaj poezie, vështirë se do ta gjenim te një metaforë e vetme. Figura qendrore është vetë mekanizmi figurativ që krijon Lako. Është aftësia për të marrë fjalë të zakonshme dhe për t’i vendosur në marrëdhënie të papritura me njëra-tjetrën, derisa prej tyre të lindë një imazh i ri.
Në fund të leximit nuk mbetet në kujtesë një metaforë e veçuar. Mbetet një tablo e madhe lëvizëse ku përzihen “dekoratat”, “mandatet”, “lulet”, “koburet”, “burrëritë”, “frenat”, “të vërtetat” dhe “zemra”. Dhe pikërisht kjo tablo, e ndërtuar nga tingulli, ritmi, figurat dhe asociacionet, përbën një nga arritjet më të veçanta artistike të poezisë “E mbë ta!”.
V. Grotesku si gjuha e një kohe të çoroditur
Grotesku këtu nuk është zbukurim. Ai vjen vetë nga mënyra si është ndërtuar bota e poezisë. Bota duket sikur ka dalë nga boshti i saj dhe sendet, njerëzit, idetë e stinët humbin vendet e tyre të zakonshme. Prandaj lexuesi nuk përballet me një peizazh të qetë e të rregullt, por me një panoramë ku gjithçka lëviz, përplaset dhe ndërthuret në mënyrë të papritur. Këtu grotesku nuk shihet më. Ai ndihet..
Domethënëse në këtë drejtim është: “rrinë mbrapa torollakët, njomzakët, boshnjakët, oxhakët”. Në pamje të parë duket sikur kemi vetëm një lojë tingujsh, por pas saj fshihet një vizion poetik. Njerëz dhe sende vendosen në të njëjtin rresht: torollakët e njomzakët i përkasin botës njerëzore, ndërsa oxhakët botës së objekteve. Në një lexim më të thellë, grotesku këtu nuk është vetëm përzierje kategorish, por shenjë e humbjes së kufijve që e mbajnë realitetin të qëndrueshëm. Pikërisht kjo afërsi krijon një çrregullim të lehtë logjik, prej të cilit lind grotesku. Bota humbet qartësinë e saj të zakonshme dhe kufijtë mes kategorive fillojnë të treten.
Më tej poezia na çon drejt një imazhi edhe më befasues: “kthehen në varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari”. Ky është një nga ato vargje që nuk shpjegohen menjëherë. Ato mbeten gjatë edhe pasi mbyllet leximi. Në të njëjtën lëvizje kthehen në varr jo vetëm të vrarët, por edhe dimri e behari. Stinët hyjnë në të njëjtin ritual mortor me njeriun. Realja dhe simbolikja bashkëjetojnë pa rezistencë logjike, si në një ëndërr të trazuar ku koha merr pjesë në ceremoninë e humbjes. Në disa vargje grotesku bëhet aq i mprehtë, sa realiteti pushon së qeni pamje dhe shndërrohet në ndjesi. Pikërisht aty poezia prek frymën e ekspresionizmit. Nuk kemi më përshkrimin e një bote të çrregulluar, por përjetimin e saj të brendshëm, ankthin që ajo zgjon dhe tronditjen që lë pas. Deformimi nuk i përket më vetëm sendeve apo situatave, por vetë mënyrës se si ndërgjegjja e percepton realitetin. Këtu grotesku prek kufijtë e surrealizmit. Ai nuk synon të deformojë realitetin, por të ekspozojë shtresën e tij të fshehtë. Herë-herë, vetëm një çrregullim i tillë poetik mund të zbulojë të vërtetën e thellë të kohës. Koha nuk rrjedh më; ajo përmbyset.
Po aq i fuqishëm është edhe pasazhi: “krihen trumbetat, kuletat, dezinfektohen të vërtetat, xhaketat”, ku bota materiale dhe ajo morale trajtohen në të njëjtin rrafsh. Trumbetat dhe kuletat krihen sikur të kishin flokë, ndërsa njëkohësisht dezinfektohen xhaketat dhe të vërtetat. Vetë mënyra si vendosen pranë njëra-tjetrës krijon një buzëqeshje të hidhur që e shoqëron lexuesin gjatë gjithë poezisë, duke ndryshuar vazhdimisht tonin e saj. Të krijohet përshtypja e një shoqërie që kujdeset me të njëjtin zell për paraqitjen e jashtme dhe për të vërtetën, duke i kthyer të dyja në objekte procedure.
Në këto vargje grotesku merr ngjyrat e satirës. Ai nuk bërtet dhe nuk akuzon drejtpërdrejt; mjaftohet të vendosë gjërat pranë njëra-tjetrës dhe absurdi fillon të flasë vetë. Ajo që duket si lojë gjuhësore, në fakt merr peshën e një diagnoze sociale.
Një tjetër moment i rëndësishëm është:”vigjëlon policia, rinia, bukuria, shtëpia, kakërdhia” ku kemi një grumbullim që në dukje nuk ndjek asnjë logjikë. Policia është institucion, rinia është moshë, bukuria është cilësi, shtëpia është hapësirë, ndërsa kakërdhia sjell një nuancë krejt tjetër emocionale. Megjithatë, të gjitha futen nën të njëjtën folje: “vigjëlon“.
Kjo krijon ndjesinë se e gjithë shoqëria është zgjuar natën. Sikur mbi të të ketë rënë një shqetësim i përbashkët dhe secili, në mënyrën e vet, shikon si të ruajë diçka që rrezikon të humbasë. Vargu fiton kështu një tension të heshtur që shkon përtej lojës tingullore.
Por grotesku nuk mbetet vetëm te deformimi i realitetit. Në fund ai hap rrugën drejt një kuptimi më të thellë, të cilin e ndiejmë te vargjet: “të barabartë në baltë, në hartë”.
Në pak fjalë poetja vendos pranë dy realitete të largëta: balta na kthen te origjina tokësore e njeriut, ndërsa harta te organizimi i botës, kufijtë, shtetet dhe identitetet. Përballë fatit njerëzor, të dyja bëhen të barabarta. Grotesku zbutet dhe shndërrohet në reflektim.
Po kështu ndodh edhe te:”të lumtur në sytë që janë të parë,/dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi” ku pas gjithë asaj parade figurash të çuditshme, pas gjithë asaj bote që duket sikur ka humbur ekuilibrin, poetja rikthehet te njeriu. Te sytë, te zemra. Te dëshira për të ecur përpara. Kjo është arsyeja pse grotesku i Lakos nuk mbetet kurrë nihilist. Ai nuk ndërtohet për të shpallur dështimin e botës, por për të treguar plagët e saj.
Në fund të fundit, grotesku i “E mbë ta!” ngjan me një pasqyrë të krisur. Pamja që ajo kthen nuk është e rregullt dhe as e qetë. Por pikërisht nëpërmjet atyre krisjeve bëhen më të dukshme deformimet, kontradiktat dhe shqetësimet e kohës sonë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse poezia vazhdon të na ndjekë edhe pas leximit: sepse nën humorin e hidhur, nën absurditetin e qëllimshëm dhe nën lojën e fjalëve, rreh vazhdimisht një shqetësim thellësisht njerëzor për njeriun dhe botën që ai po ndërton. Ndoshta kjo është arsyeja pse ky grotesk nuk lexohet si stil, por si gjendje. Dhe pikërisht në këtë gjendje, poezia e Lakos e humb dekorin dhe fiton peshën e një realiteti të dytë.
VI. Satira dhe shikimi kritik i realitetit.
Nëse do të hiqnim për një çast ritmin e vrullshëm, lojën tingullore dhe shtresën groteske të poezisë, do të shihnim se në thelbin e saj “E mbë ta!” mbart një vështrim kritik mbi realitetin bashkëkohor. Nuk është një kritikë e drejtpërdrejtë, e ndërtuar mbi emra, ngjarje apo rrethana konkrete. Ajo është më e gjerë dhe më shumë se ndaj individëve, drejtohet ndaj dukurive.
Kjo është arsyeja pse poezia nuk ka personazhe të mirëfilltë. Në vend të tyre kemi kategori, sende, nocione, role shoqërore dhe gjendje njerëzore. Poetja duket sikur po përpiqet të vizatojë jo fytyrën e një njeriu të vetëm, por portretin e një kohe.
Një nga treguesit më domethënës të kësaj prirjeje janë vargjet:”përpara në demontime, përfitime, thërrime” ku lëvizja e fjalëve është domethënëse. Nuk kemi ndërtim, por çmontim. Nuk kemi krijim, por përfitim. Dhe në fund mbeten thërrimet. Brenda kësaj renditjeje të shkurtër duket sikur poetja ka përmbledhur një përvojë të njohur të kohës sonë: nga ndërtimi te përfitimi, e prej andej te thërrimet. “Brenda këtij renditjeje të shkurtër duket sikur poetja ka përmbledhur një pjesë të përvojës sonë shoqërore, ku shpesh energjia shpenzohet më shumë për të përfituar sesa për të ndërtuar.
Në këtë poezi kritika nuk artikulohet me slogane, ajo lind nga vetë zgjedhja e fjalëve. Këtë e ndiejmë edhe te vargu:”rrëzohen pemë, sejmenë, autorësi, autopsi” ku në pamje të parë kemi një bashkim të çuditshëm elementesh. Por pas këtij bashkimi fshihet një ndjenjë rrëzimi që prek njëkohësisht natyrën, njeriun dhe vlerat. Pemët janë pjesë e jetës. Autorësia lidhet me krijimin dhe identitetin. Kur të dyja përfshihen nga e njëjta folje, krijohet ndjesia e një humbjeje më të gjerë se ajo materiale.
Në disa raste satira bëhet më e mprehtë, mjafton të ndalemi te afërsia e fjalëve: “dekorata, mandate, inondata” Është e vështirë të mos ndiesh këtu një ironi të fshehtë. Fjalët që zakonisht lidhen me prestigjin dhe pushtetin vendosen pranë një fjale që sjell ndër mend përmbytjen dhe rrëmujën. Kjo afërsi tingullore krijon një afërsi kuptimore që nuk ka nevojë për shpjegime të gjata. Në këtë mënyrë poetja e arrin efektin satirik jo përmes akuzës, por përmes vendosjes së gjërave pranë njëra-tjetrës.
Një tjetër element i rëndësishëm është mënyra si paraqitet raporti i njeriut me botën që ka ndërtuar vetë. Në një moment lexojmë:”përpara në të para, në pará”
Kjo përsëritje tingëllon pothuaj si jehonë. Fjala kthehet mbi veten dhe fiton një peshë simbolike. Paraja realisht nuk shfaqet këtu si mjet, por si drejtim lëvizjeje. Si një pikë gravitacioni rreth së cilës rrotullohen shumë prej energjive të jetës moderne.
Megjithatë te kritika e Natasha Lakos nuk ka zemërim. Aty ka më shumë shqetësim.Kjo e bën poezinë më njerëzore. Ajo nuk vendos veten mbi realitetin për ta gjykuar. Qëndron brenda tij dhe e vështron me ankth. Është ankthi i dikujt që sheh se si gjërat po largohen nga kuptimi i tyre fillestar.
Ndoshta për këtë arsye në fund të poezisë rikthehen vazhdimisht fjalë që lidhen me njeriun dhe jo me sistemet, institucionet apo pushtetin. Në qendër mbeten: “sytë” dhe “zemrat”. Sepse, në fund të fundit, kjo nuk është një poezi për dekoratat, mandatet, kuletat apo poturet. As për sallat, vitrinat apo makinat. Të gjitha këto mbeten shenja të një bote, në qendër të së cilës poetja kërkon ende njeriun.
Prandaj satira e “E mbë ta!” nuk ka karakter shkatërrues. Ajo nuk synon të rrënojë ajo synon të zgjojë. Është si një kambanë që bie në një qytet të zhurmshëm. Nuk bie për të trembur njerëzit, por për t’u kujtuar se mes zhurmës së përditshme ekzistojnë ende gjëra që meritojnë të dëgjohen.
Dhe pikërisht këtu satira lidhet me titullin e poezisë. Sepse sa më shumë zbulojmë plagët që poetja sheh në kohën e saj, aq më qartë kuptojmë pse ajo ndjeu nevojën të rikthejë nga kujtesa historike një kushtrim të lashtë. Jo për të shpallur një luftë kundër njerëzve, por për të mos lënë vlerat pas në vrapin e kohës.
VI. Shtresat kuptimore të poezisë
Një nga arsyet pse “E mbë ta!” mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit është fakti se kjo poezi nuk lexohet në një plan të vetëm. Sa herë rikthehesh te ajo, duket sikur nga pas një shtrese shfaqet një tjetër. Si një tokë e lashtë ku çdo gërmim nxjerr në dritë gjurmë të një kohe tjetër, edhe kjo poezi fsheh kuptime që nuk shfaqen menjëherë në sipërfaqe.
Shtresa e parë është ajo që lidhet me realitetin konkret të kohës sonë. Që në vargjet e para poezia na fut në një hapësirë të mbushur me objekte, vende, njerëz dhe dukuri të jetës së përditshme. Nuk kemi përballë një peizazh natyror apo një ngjarje të vetme. Kemi një botë në lëvizje, një panoramë të shoqërisë bashkëkohore me ritmet, çrregullimet dhe ethet e saj, një botë që shfaqet veçanërisht në vargje si: “përpara në të para, në pará, në fara, në fundësi, në rregullsi, në kërkueshmëri”
Në këtë grumbullim fjalësh dëgjohet jehona e një kohe që vrapon pas interesit, pas fitimit, pas përfitimit, pas kërkimit të vazhdueshëm të diçkaje që gjithnjë duket pak më larg. Poetja nuk e gjykon drejtpërdrejt këtë realitet. Ajo vetëm e vendos para nesh dhe e lë të flasë vetë.
Por nën këtë shtresë shfaqet një tjetër, më e thellë dhe më e dhimbshme; shtresa e pasigurisë njerëzore. Në një moment poetja shkruan: “këputen frenat, hienat, venat” dhe këtui në dukje kemi vetëm një lojë tingujsh. Por në thelb vargu bart një ndjenjë humbjeje kontrolli. Frenat lidhen me drejtimin, venat me jetën, ndërsa hienat me instinktin grabitqar. Të treja bashkohen në të njëjtën lëvizje të këputjes. Kështu pas realitetit konkret fillon të shfaqet një ankth më i thellë për ekuilibrin e botës dhe të njeriut.
Një shtresë tjetër e poezisë është ajo satirike. Natasha Lako nuk përdor satirën e drejtpërdrejtë. Ajo nuk emërton individë, nuk ndërton karikatura dhe nuk shpall akuza. Satira e saj lind nga afërsia e papritur e fjalëve dhe nga kontrastet që ato krijojnë.
Këtë e ndiejmë te vargjet:”në demontime, përfitime, thërrime” Tri fjalë që në dukje i lidh vetëm tingulli, por që së bashku krijojnë historinë e një degradimi. Nga ndërtimi kalohet te çmontimi, nga përfitimi te thërrmimi. Në pak fjalë poetja arrin të përmbledhë një përvojë të tërë shoqërore.
Më tej shfaqet një shtresë etike, e nënkuptuar më shumë sesa e shpallur. Ajo gjendet në shqetësimin që përshkon poezinë nga fillimi deri në fund. Duket sikur autorja pyet vazhdimisht: çfarë po ndodh me njeriun brenda gjithë këtij vorbulli?
Prandaj një rëndësi të veçantë marrin vargje si: “të barabartë në baltë, në hartë” ku poezia ngrihet mbi realitetin e ditës dhe prek një të vërtetë më të gjerë. Përballë kohës, përballë tokës dhe fatit njerëzor, dallimet që ndërtojmë mes nesh humbin një pjesë të rëndësisë së tyre. Balta dhe harta bëhen dy pole të të njëjtit reflektim mbi ekzistencën.
Por shtresa më e thellë e poezisë, sipas mendimit tim, është ajo humaniste. Pas gjithë ironisë, groteskut, alarmit dhe shqetësimit, Lako nuk e humbet besimin te njeriu. Kjo është arsyeja pse poezia nuk mbyllet me një imazh të errët dhe as me një mallkim. Ajo mbyllet me zemrën. Këtë e parapërgatitin edhe vargjet:
“të lumtur në sytë që janë të parë,
dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi”
Këtu ritmi i poezisë zbutet, tensioni fillon të tërhiqet. Pas gjithë asaj parade objektesh, institucionesh, nocionesh dhe absurditetesh, poetja rikthehet te njeriu konkret. Te sytë dhe zemra. Te ajo pjesë e qenies njerëzore që vazhdon të kërkojë dritë edhe kur koha errësohet.
Dhe pikërisht këtu shtresat e ndryshme të poezisë bashkohen. Historia që fshihet pas titullit, satira e kohës sonë, grotesku, shqetësimi etik dhe besimi te njeriu nuk ecin në drejtime të ndryshme. Ato derdhen në të njëjtin shtrat kuptimor. Si përrenj që zbresin nga anë të ndryshme të malit dhe bashkohen në një lumë të vetëm, edhe kuptimet e poezisë përfundojnë te i njëjti mesazh: nevoja që njeriu të mos humbasë veten në rrëmujën e kohës së vet.
Prandaj “E mbë ta!” mbetet njëkohësisht poezi e shqetësimit dhe e shpresës. Ajo sheh plagët e kohës, por nuk ndalet te plagët. Shikon përtej tyre, drejt mundësisë që zemra, siç thotë vetë poetja në fund, të “kthehet nga e tëra“.
VII- Nga kushtrimi i luftës te kushtrimi i zemrës
Edhe pasi mbyllet, poezia nuk shuhet menjëherë; ajo vazhdon të lëvizë në mendje si jehonë e vonuar. Në fund të poezisë, pas gjithë asaj vorbulle fjalësh, ritmesh, ironish, grotesku dhe shqetësimesh, Natasha Lako nuk e lë lexuesin në mes të rrënimit që ka shfaqur. Përkundrazi, ajo hap një dritare drejt njeriut. Kjo është ndoshta fitorja më e madhe e poezisë. Kushtrimi i marrë nga një betejë e largët mesjetare, pasi ka kaluar nëpër udhët e trazuara të kohës sonë, nuk përfundon te zemërimi apo ndarja, por te nevoja për rikthim, për pajtim dhe për afrim me njeriun.
.
Prandaj vargjet: “E mbë ta, / dashuri sa vajti ora, / të kthehet zemra nga e tëra” nuk janë thjesht mbyllja e poezisë. Ato mbajnë në vetvete kuptimin e saj më të thellë. Pas gjithë asaj që shpërfytyron, lëndon dhe rrënon, poetja kërkon kthimin e njeriut te vetvetja, te ndjenja dhe te tërësia e tij shpirtërore. Dashuria këtu nuk shfaqet si ndjenjë e thjeshtë, por si një forcë që mbledh atë që koha, historia dhe çrregullimi e kanë shpërndarë.
Pas gjithë asaj bote të trazuar që poezia e shpalos përmes groteskut, ironisë dhe ankthit, mbetet ende besimi se njeriu mund të kthehet te humanizmi i tij. Pikërisht këtu qëndron edhe forca e fundi të poezisë: ai nuk tingëllon optimist sepse mohon plagët e kohës, por sepse i vendos përballë mundësisë së kapërcimit të tyre, përmes rikthimit te njeriu dhe te zemra e tij.
Në këtë mënyrë, “E mbë ta!” nuk mbetet vetëm një poezi e shqetësimit dhe e tronditjes, por shndërrohet edhe në një poezi të qetë shprese, ku pas gjithë zhurmës së botës dëgjohet ende zëri i butë i humanizmit.
VIII. Kushtrimi dhe ndërgjegjja e kohës
Në fund të poezisë mbetet një pyetje që nuk mbyllet dot lehtë: kundër kujt lëshohet ky kushtrim? Dhe po aq e rëndësishme, a është ende kushtrim në kuptimin e dikurshëm të fjalës?
Kushtrimi historik kishte gjithmonë një shenjë të qartë përballë. Një armik, një emër. Këtu kjo qartësi tretet. Nuk ka më një figurë përballë, por një gjendje që përhapet në të gjithë hapësirën e jetës. Një rend që nuk qëndron në këmbë, pa pasur nevojë të rrëzohet me zhurmë. Prandaj edhe kushtrimi i Lakos nuk ngjan me thirrje lufte. Ai duket më shumë si reagim i brendshëm ndaj një bote që ka filluar të humbasë qartësinë e vet morale. Jo ndaj dikujt, por ndaj asaj që e bën njeriun të mos e njohë më veten në atë që e rrethon.
Në vargje, kjo ndjesi vjen si një dridhje që nuk kursen asgjë: “dridhen dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë, bulçitë, çingitë”. Edhe ato që zakonisht e mbajnë njeriun drejt, këtu lëkunden. Sikur vetë struktura e brendshme e qëndrueshmërisë të jetë prekur.
Pastaj vjen një rend i ftohtë, gati i pamëshirshëm: “numërohen lulet, fasulet, koburet”. Gjërat vendosen në të njëjtin rresht, pa hierarki, pa dallim. Dhe pikërisht këtu fillon të ndihet çarja: kur gjithçka bëhet e numërueshme, diçka nga kuptimi i botës humbet peshë.
Edhe më e fortë bëhet kjo ndjesi kur jeta, përditshmëria dhe fundi i saj futen në të njëjtin qark tingullor: “e klasave… e glasave… e rasave…”. Nuk ka më kufij të qartë mes tyre, vetëm një rrëshqitje e heshtur nga një gjendje në tjetrën.
E megjithatë, poezia nuk mbetet aty. Ajo e hap një dritë të vogël në fund, por të mjaftueshme: “të barabartë në baltë, në hartë”. Përballë kësaj barazie të thjeshtë, bien shumë nga ndarjet që i japin njeriut iluzionin e largësisë nga tjetri. Ndoshta pikërisht këtu fshihet edhe kuptimi më i thellë i poezisë. Pas gjithë alarmit që ngre, Natasha Lako nuk e lë lexuesin te tronditja, por e kthen te ajo që mbetet më e qëndrueshme se çdo kohë e trazuar: te zemra. Dëshira që “të kthehet zemra nga e tëra” tingëllon si një lutje e heshtur. Që njeriu të mos humbasë mes zhurmave të botës dhe të mbetet i lidhur me tjetrin dhe me vetveten.
Dhe në fund, gjithçka përmblidhet te një kthim i butë drejt njeriut: “të lumtur në sytë që janë të parë, dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi”. Pas gjithë shpërndarjes, fjala kthehet aty ku fillon dhe ku mbaron kuptimi i saj: te njeriu, te zemra, te e tëra. Kështu, kushtrimi që vjen nga historia dhe nga shqetësimet e kohës mbërrin në fund si një kujtesë e qetë. Njeriu shpëton duke mos humbur aftësinë për të ndier, për të kuptuar dhe për të dashur.
Në këtë pikë, kushtrimi i poetes nuk mbetet thjesht një zgjedhje estetike e fjalës, por lind nga nevoja për të mos pranuar shuarjen e ndërgjegjes aty ku cenohen liria dhe dinjiteti njerëzor. Në këtë kuptim, fjala e saj nuk qëndron më si shprehje e thjeshtë. Ajo bëhet reagim moral ndaj asaj që deformon njeriun. Pikërisht këtu ajo fiton të drejtën e saj më të natyrshme: të shndërrohet në kushtrim, jo për të ushqyer frikën apo zemërimin, por për të mbrojtur atë që e bën njeriun njeri.
Sarandë, qershor 2026
E mbë ta!
nga Lekë Dukagjini
Përpara në salla, në stalla, në sera, në vlera, në viehrra, në të tjera,
të blera,
përpara në pishina, në vitrina, në kabina, në makina,
rrinë mbrapa torollakët, njomzakët, boshnjakët, oxhakët,
përpara në të para, në pará, në fara, në fundësi, në rregullsi, në kërkueshmëri,
përpara në demontime, përfitime, thërrime,
në dekorata, mandate, inondata,
rrëzohen pemë, sejmenë, autorësi, autopsi,
dridhen dhembjet, koskat, kokallat, burrëritë, fuqitë, bulçitë, çingitë,
këputen frenat, hienat, venat,
kthehen në varr të vrarët, qofëlargu, dimri, behari,
numërohen lulet, fasulet, koburet, bien poturet,
e klasave (të shkollave),
e glasave (të oborreve),
e rasave (të mortoreve),
të kasave (të thertoreve),
të karkasave (të shërbëtoreve),
krihen trumbetat, kuletat, dezifenktohen të vërtetat, xhaketat,
vigjëlon policia, rinia, bukuria, shtëpia, kakërdhia,
të barabartë në baltë, në hartë,
të lumtur në sytë që janë të parë,
dhe zemrat që e kanë mendjen te vrapi.
E mbë ta,
dashuri sa vajti ora,
të kthehet zemra nga e tëra.
Eh me ne fund,ne keto mbi tre dekada sundimi turcelinjesh bastarde dhe komunista delirante, Edira dhe salira, lexuam, qe paskemi qene pushtuar dhe nga Turqia, pasi ne keto kohe pushtues numerohesh vec Gjermania dhe Italia, e cila ne disa vjet ´´pushtimi´´ beri ndertime moderne ,qe nuk konkurohen as sot, vec kultures mijravjecare europiane qe kultivoi ketu, Kurse ne peseqind e kusur vjet pushtimi otoman, qe vazhdon sot e kesaj dite, si pasoje e degjenerimit te genit europian shqiptar, nga ky pushtim, u mbollen vec xhami,femra te mbuluara, injorance dhe egersi.