Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u takua me studentë të Universitetit “Nënë Tereza” nga Shkupi së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Së bashku ata vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, një hapësirë e rëndësishme e kujtesës historike dhe reflektimit mbi të kaluarën.
“Këta janë studentë nga Universiteti “Nënë Tereza”. Me këtë emër s’ka se si mos i trajtojmë mirë”, u shpreh ambasadori Meidani, duke bërë prezantimin e studentëve me kreun e MTKS.
Ndërsa ministri Gonxhja u kujtoi atyre prejardhjen e tij Dibra e Madhe dhe Struga, si dhe i ftoi të bashkëpunojnë me ministrinë.
“Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë me ambasadorin, kemi punuar për disa programe dhe mund të bashkëpunojmë përsëri me programe që ne kemi. Kështu që ndihuni të lirë të bashkëpunoni me ministrinë”, u tha ministri Gonxhja, studentëve.
Vizita u shoqërua me një bashkëbisedim të hapur me të rinjtë mbi rëndësinë e kulturës, trashëgimisë dhe rolit që ata kanë në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Gjatë bisedës u diskutua edhe mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, për të zhvilluar programe të përbashkëta që nxisin mobilitetin, pjesëmarrjen aktive të të rinjve, shkëmbimet kulturore dhe projektet që forcojnë lidhjet mes të rinjve shqiptarë në rajon.
“Falënderoj Universitetin “Nënë Tereza”, Ambasadorin Denion Meidani dhe të gjithë studentët për energjinë, interesin dhe angazhimin e tyre”, u shpreh ministri Gonxhja, duke vënë theksin tek investimi te rinia, i cili është investim për të ardhmen. A.K./TemA
Lini një Përgjigje