Vdekja e legjendës së mundjes profesionale, Hulk Hogan, është konfirmuar zyrtarisht si pasojë e shkaqeve natyrore, duke i dhënë fund spekulimeve që qarkulluan pas ndarjes së tij nga jeta në korrik të vitit 2025.
Sipas raportit përfundimtar të Policisë së Clearwater në Florida, nuk është gjetur asnjë provë që sugjeron përfshirje kriminale apo rrethana të dyshimta në vdekjen e ikonës së WWE-së, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Bollea. Hetimi, i përmbledhur në një dosje prej 72 faqesh, përfshiu dëshmi të personave të pranishëm, dokumentacion mjekësor, pamje nga kamerat e sigurisë dhe inspektimin e trupit.
“Nuk ka asnjë provë që tregon se vdekja e Terry Bollea ishte diçka tjetër përveçse natyrale. Gjatë hetimit nuk u gjetën elementë që sugjerojnë vepër penale”, thuhet në raportin e autoriteteve.
Dokumentet tregojnë se Hogan vuante nga disa probleme serioze shëndetësore në muajt e fundit të jetës, përfshirë leuçeminë, aritminë kardiake, pneumoninë dhe problemet me veshkat. Ai kishte kaluar gjithashtu ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe shtrime në spital gjatë viteve të fundit.
Në momentin kur ndaloi së marrë frymë, pranë tij ndodheshin bashkëshortja Sky Daily Hogan, një infermiere kujdestare dhe një terapist. Sipas raportit, ata nisën menjëherë manovrat e reanimimit (CPR) deri në mbërritjen e ekipit të emergjencës.
Fillimisht kishte dyshime se vdekja mund të lidhej me komplikacione nga një operacion i mëparshëm në qafë, por hetimet dhe autopsia private e financuar nga familja përjashtuan çdo shkak traumatik apo toksikologjik. Mjekët konfirmuan se Hogan kishte pësuar një atak në zemër dhe se vdekja e tij ishte rezultat i gjendjes së rënduar shëndetësore.
I konsideruar si një nga emrat më të mëdhenj në historinë e mundjes profesionale, Hulk Hogan u kthye në një ikonë globale gjatë viteve ’80 dhe ’90, duke ndihmuar WWE-në të shndërrohej në një fenomen botëror. Trashëgimia e tij në sport dhe argëtim vazhdon të mbetet e paharrueshme për miliona fansa në mbarë botën.
Lini një Përgjigje