Aktori Tyler Mane, i njohur për rolin e Sabretooth në filmin “X-Men”, ka ndarë me publikun një lajm të vështirë për shëndetin e tij. 59-vjeçari ka zbuluar se është diagnostikuar me një formë shumë të rrallë të kancerit të gjirit te meshkujt dhe ka nisur trajtimin me kimioterapi.
Lajmin e bëri të ditur përmes një videoje të publikuar në Facebook, ku u shfaq nga spitali në ditën e parë të trajtimit.
“Kam disa lajme të këqija. Sot filloj kimioterapinë”, tha aktori në videon e tij.
Mane, i cili përpara karrierës në aktrim ishte edhe mundës profesionist, tregoi se vendosi të flasë publikisht për diagnozën e tij për të rritur ndërgjegjësimin rreth një sëmundjeje për të cilën flitet shumë pak kur prek burrat.
“Një në 750 burra diagnostikohet me kancer gjiri gjatë jetës së tij dhe unë jam një prej tyre”, u shpreh ai.
Aktori theksoi se mungesa e informacionit dhe e ndërgjegjësimit bën që shumë raste të zbulohen në faza të avancuara, duke e bërë trajtimin më të vështirë.
“Për shkak se flitet shumë rrallë për këtë sëmundje te burrat, ajo zakonisht zbulohet në faza më të avancuara dhe ka pasoja më të rënda. Dua ta ndryshoj këtë”, deklaroi Mane.
Ai u bëri thirrje ndjekësve të tij që të ndajnë historinë dhe mesazhin e tij me sa më shumë njerëz.
“Ejani së bashku me mua në këtë rrugëtim për ta mposhtur këtë gjë. Ndajeni këtë mesazh me miqtë tuaj dhe kërkojuni të më ndjekin, sepse njerëzit duhet të dëgjojnë për këtë”, tha aktori.
Në fund të videos, ylli i Hollywood-it publikoi edhe pamje nga spitali teksa niste seancën e parë të kimioterapisë, duke mos e fshehur vendosmërinë për të luftuar sëmundjen.
“Dreqi ta hajë kancerin!”, tha ai.
Në mbishkrimin e postimit, Mane sqaroi se kanceri i gjirit te meshkujt përbën vetëm një pjesë shumë të vogël të rasteve të diagnostikuara.
“Po, kam kancer gjiri. Dhe po, është shumë i rrallë. Vetëm 1 për qind e rasteve të kancerit të gjirit prekin burrat”, shkroi ai.
Aktori zbuloi gjithashtu se fillimisht kishte menduar ta mbante private diagnozën, por më pas vendosi të fliste hapur për të ndihmuar në ndërgjegjësimin e publikut dhe për të inkurajuar burrat që të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore.
Tyler Mane është i njohur në mbarë botën për interpretimin e personazhit Sabretooth në filmin “X-Men” të vitit 2000, si dhe për rolet e tij në filma të tjerë të njohur aksion dhe horror. Tashmë ai përballet me sfidën më të madhe të jetës së tij, ndërsa mijëra fansa i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje pas njoftimit të diagnozës.
Lini një Përgjigje