Për miliona fansa në mbarë botën, “Waka Waka” mbetet një nga himnet më ikonike të Kupës së Botës. Por për Shakirën, kënga që pushtoi planetin ka një domethënie shumë më personale.
Në një intervistë të fundit për revistën PEOPLE, ylli kolumbian ka treguar se suksesi i këngës nuk i solli vetëm famë dhe sukses profesional, por ndikoi drejtpërdrejt edhe në jetën e saj private.
Shakira kujtoi se rrugëtimi i saj me Kupën e Botës nisi që në vitin 2006, kur performoi hitin “Hips Don’t Lie” me Wyclef Jean. Megjithatë, momenti që ndryshoi gjithçka erdhi katër vite më vonë, kur ajo u përzgjodh për të interpretuar himnin zyrtar të Botërorit 2010, “Waka Waka (This Time for Africa)”.
Ishte pikërisht gjatë atij eventi që këngëtarja njohu ish-futbollistin Gerard Pique, me të cilin më vonë ndërtoi një histori dashurie dhe u bë nënë e dy djemve, Milan dhe Sasha.
“Prandaj i quaj fëmijët e mi fëmijët ‘Waka’. Mendoj se ata erdhën në jetë falë asaj kënge”, u shpreh Shakira.
Artistja 49-vjeçare tha se kënga e çoi në Kupën e Botës, ndërsa Botërori i solli disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj.
Shakira kujtoi gjithashtu eksperiencën e Kupës së Botës 2014, ku performoi ndërsa ishte shtatzënë me djalin e saj më të vogël, Sasha. Sipas saj, fansat e kuptuan menjëherë lajmin e ëmbël, edhe pse ajo ndodhej vetëm në javët e para të shtatzënisë.
Ndërkohë, këngëtarja pritet të rikthehet sërish në skenën e Kupës së Botës këtë verë. Ajo do të jetë pjesë e spektaklit të finales së madhe, ku do të performojë përkrah disa prej emrave më të njohur të industrisë muzikore.
Duke folur për emocionet që i sjell ky kompeticion, Shakira theksoi se magjia e Kupës së Botës shkon përtej futbollit.
“Çdo Kupë Bote është magjike. Kjo është një mundësi për të bashkuar njerëzit në një periudhë shumë të ndjeshme sociale dhe politike”, tha ajo.
Një rrëfim që tregon se për Shakirën, “Waka Waka” nuk është thjesht kënga që shënoi një epokë në muzikë, por edhe fillimi i historisë që i ndryshoi përgjithmonë jetën.
Lini një Përgjigje