
Nga Nina L. Khrushcheva, Project Syndicate
Nga Kremlini në Shtëpinë e Bardhë e deri në Silicon Valley, Antikrishti — ose të paktën bisedat rreth tij — po vjen. Koncepti në vetvete nuk është më shumë se sa një hamendësim obskur teologjik, i cili buron kryesisht nga përmendja enigmatike nga Shën Pali e një “njeriu të paligjshmërisë”, i cili do të “lartësojë veten mbi gjithçka që quhet Perëndi” dhe do të ulet në tempullin e Zotit, “duke shpallur veten si Perëndi” (2 Selanikasve 2:3–4). Por, për një grup të vogël burrash të pasur e të fuqishëm, Antikrishti është kthyer në lentën përmes së cilës ata shohin botën.
Ndoshta profeti më i spikatur i mundshëm i Armagedonit është investitori miliarder i teknologjisë Peter Thiel, bashkëthemelues i PayPal dhe Palantir, si dhe mbështetës i karrierës politike të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance. Antikrishti i Thiel-it është i një lloji autentik: një tiran i lig që do të fitojë pushtet global duke u paraqitur si mirëbërës dhe duke shfrytëzuar frikërat e njerëzve, veçanërisht frikën nga teknologjia. Ky paralajmërues i apokalipsit mund të jetë tashmë mes nesh, spekulon Thiel, i mishëruar nga ndonjë “ludit që do të ndalë plotësisht shkencën”, si aktivistja e klimës Greta Thunberg.
Antikrishti i Thiel-it mund të vijë gjithashtu në formën e një qeverie të vetme botërore. Siç vëren një teolog jezuit, vizioni i Thiel-it është në thelb politik dhe “përfundimi i tij praktik është brutal”: çdo përpjekje për të rregulluar inteligjencën artificiale, për t’u angazhuar në qeverisje ndërkombëtare, apo për të kufizuar zhvillimin teknologjik, shihet si “përgatitje për mbretërimin e Antikrishtit”.
Nuk është çudi që Vatikani nuk e ka lejuar Thiel-in të përvetësojë vulën e tij të miratimit për ligjëratat e tij apokaliptike. Kur ai u përpoq të mbante një seri leksionesh mbi këtë temë në Universitetin Papnor të Shën Thoma Akuinit, i njohur si Angelicum, autoritetet universitare e nuk e lejuan, duke e detyruar ta zhvendoste bisedën në Palazzo Orsini Taverna në Romë.
Megjithatë, Thiel duket se është në gjendje të mbledhë një audiencë. Dhe ai mund të gjejë fare mirë një publik të hapur ndaj teorisë tij rreth fundit të botës në Argjentinë, ku edhe është zhvendosur së fundmi. Presidenti anarko-kapitalist i vendit, Javier Milei, është një përshtatje e mirë për Thiel-in. Ndoshta po aq mirë përshtatet edhe “pavdekësia e balsamosur dhe e kobshme” e Eva Perón-it, siç e quante V.S. Naipaul.
Elon Musk, bashkëthemeluesi tjetër i PayPal-it bashkë me Thiel-in, nuk flet shumë për Antikrishtin, edhe pse në skutat e internetit gjenden spekulime se ai po ndërton infrastrukturën që Antikrishti do të përdorë për të sunduar botën. Megjithatë, Musk ndan vizionin politik të Thiel-it. Në fakt, të dy kanë qenë mbështetës të zëshëm të presidentit amerikan Donald Trump, i cili shpesh paraqitet si një digë kundër “të këqijave” si “wokism”-i, migrantët dhe besimet jo të krishtera.
Në këtë kuptim, Trump përshtatet përsosmërisht me iluzionin e Antikrishtit: ai është katehoni, ose “frenuesi”, të cilin Shën Pali e përshkruan si atë që mban larg “të paligjshmin” (2 Selanikasve 2:6–8). Shumë prej mbështetësve MAGA të Trump-it — madje edhe vetë Trump-i — mund të shkojnë edhe më tej, duke e portretizuar atë si një figurë mesianike, më të ngjashme me Jezu Krishtin.
Kjo kthesë eskatologjike në politikën amerikane justifikon praktikisht çdo veprim, sado i dhunshëm apo i korruptuar të jetë, si të drejtë. Askund kjo nuk duket më qartë sesa në përshkrimin që sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i bën luftës së Trump-it kundër Iranit si një kryqëzatë të shenjtë. Ai ia atribuon “providencës së gjithëpushtetshme të Zotit” sukseset ushtarake të Amerikës, por citon një version të trilluar të Ezekielit 25:17, të përdorur në filmin Pulp Fiction, gjatë një shërbese fetare në Pentagon, për të nxitur trupat amerikane drejt dhunës “së drejtë”.
Por fundi i botës nuk është thjesht një fiksim amerikan. Ndoshta zëri më me ndikim i mendimit apokaliptik sot është Aleksandr Dugin, filozofi i oborrit të Kremlinit dhe një figurë kryesore e nacionalizmit rus të shekullit XXI. Për të, “forcat satanike” burojnë nga Perëndimi — “Mbretëria e Antikrishtit” — dhe qytetërimi rus është diga kundër shembjes shpirtërore globale. Perëndimi nuk është thjesht një qytetërim rival me vlera të ndryshme. Ai është një “botë e pajetë” dhe një “gropë e të përjashtuarve”, ndërsa Rusia është “Zemra e Botës”, e përshkuar nga një “fat kozmik”.
Sipas kësaj logjike, presidenti Vladimir Putin nuk është thjesht një lider autoritar që ndjek interesat e Rusisë. Ai është një figurë providenciale me një mision të shenjtë — një tjetër katehon — dhe lufta në Ukrainë nuk është grabitje territori, por një betejë ekzistenciale për shpirtin sllav.
Pasojat e një logjike të tillë janë të gjera. Politika dhe diplomacia janë të rrënjosura në artin e negociimit dhe kompromisit. Pretendimet absolute u nënshtrohen kërkesave të bashkëjetesës dhe e ardhmja mbetet e hapur. Por mendimi apokaliptik pretendon se e di si përfundon historia dhe e interpreton çdo kompromis si kapitullim.
Kjo është e dukshme në argumentin e Dugin-it se Rusia dhe Perëndimi përfaqësojnë “botëkuptime super gjithëpërfshirëse” dhe “projekte të ndërsjella përjashtuese për të ardhmen e njerëzimit”. Është po aq e qartë edhe në mënyrën se si administrata Trump i portretizon iranianët si të ligj dhe jonjerëzorë, si dhe në kërcënimin e tij për të shkatërruar të gjithë qytetërimin e Iranit. Politika dhe diplomacia nuk mund të funksionojnë kur kundërshtarët shndërrohen në mishërim të së keqes.
Ia vlen të kujtojmë shembullin historik më të gjallë të një mendimi të tillë në politikën e lartë: ngritjen e mistikut siberian Grigori Rasputin si figura më me ndikim brenda oborrit të carit Nikolla II. Rasputini nuk ishte thjesht pasqyrë e dobësisë personale të Nikollës dhe gruas së tij Aleksandra, ndonëse thuhet se qetësonte djalin e tyre hemofilik. Në kohën kur Rasputini doli në skenë, Rusia perandorake ishte në grahmat e fundit dhe monarkia e saj e rraskapitur, pasi kishte shteruar përgjigjet racionale ndaj problemeve të vendit, përqafoi të mbinatyrshmen.
Një dinamikë e ngjashme duket se po vepron sot si në SHBA, ashtu edhe në Rusi, me akolitët e Trump-it dhe Putin-it që ushqejnë vizione mijëvjeçare përballë mosfunksionimit të regjimeve të tyre. Kemi arritur në një pikë ku Papa Leo XIV dhe Vatikani janë shndërruar në zë të arsyes.
Lini një Përgjigje