Fëmijët në apel

10 Qershor 2026, 17:20Kulturë Ardian Vehbiu

Më çuan në shkollë sapo kisha mbushur gjashtë vjeç – me arsyen e çuditshme se ashtu “fiton çuni një vit”; por nuk di sa më vlejti kjo kohë e fituar, sikurse nuk di se kush e humbi kohën që fitova unë.

Mbaj mend ditën e parë të shkollës, i ulur në bankë të parë, me shokun e ardhshëm të armëve N.Q.; dhe me ngushëllimin e vetëm që ky dukej pak më i vogël se unë. Përndryshe më kish paralizuar ankthi. Nuk isha mësuar të rrija me fëmijë të tjerë, ngaqë të mitë kishin zgjedhur të mos më çonin në kopsht. Kushedi se ç’kisha fituar apo humbur edhe nga ky eksperiment...

Në katedër ish ulur të mbretëronte mësuesja jonë – zysh Adelina e 1-rë – që e kishim edhe pak komshije (por unë nuk e dija); mësimi ende nuk kish filluar tamam.

Ndërkohë, trokasin në derën e klasës, fut kokën një mësuese tjetër, i thotë diçka sonës, dhe pastaj e pyet:

Nuk e dija se ç’ishte ky apeli. I alarmuar mos na bënin ndonjë vaksinë ose gjilpërë të keqe, kujtova se mos edhe apeli nuk ishte veçse një procedurë mjekësore invazive. Mos do të na kontrollonin grykët, kanalin e veshit, fundin e syrit, refleksin e gjurit; ose do të na dëgjonin me stetoskop (gjysma e së keqes – ndjesia e pllakës së ftohtë, monedhore, të stetoskopit, ngjitur me lëkurën lakuriqe, nuk ishte gjithnjë e padëshiruar.)

Pastaj Adelina e 1-rë hapi regjistrin me gjest autoritar, na porositi që kur të dëgjonim emrin duhet të thoshim “këtu”, dhe filloi pastaj leximin e listës me zë. Ky paskësh qenë edhe apeli.

Për të gjithë ne fëmijët, apeli ishte një lloj rituali, dhe aq më tepër që nuk e kuptonim pse bëhej. Shumë shpejt do të merrnim vesh që emri i gjithsecilit kishte një vend fiks në radhitjen e shkruar të nxënësve të klasës – dhe me kohë do të kuptonim edhe se ky vend përcaktohej nga hierarkia “alfabetike”. Unë, si Ardian, e dëgjoja emrin tim në krye, dhe kjo më pëlqente. Por kish të tjerë që dilnin para meje – një Aleksandër, një Alida...

Ajo listë që e dëgjonim të paktën një herë në ditë me kohë do të shndërrohej në identitet të klasës; disa prej nesh madje arritën ta mësonin përmendësh. Në vitet e mëvonshme, shpesh mësuesja do të mjaftohej të lexonte vetëm mbiemrat – të cilët nuk ishin të renditur alfabetikisht, çfarë injektonte edhe më shumë arbitraritet. Me gjasë, ky arbitraritet kaq spontan ish një nga mënyrat kyçe si na shfaqej autoriteti.

Po aq fiks sa vendi në listën e apelit, ishte edhe vendi që na kishin ulur në bankë, sërish nuk di me ç’kriter; por mbase kjo kish lidhje me menaxhimin e kaosit. Shumë shpejt u vendos, nuk di nga kush dhe si, për të na ulur “djalë e vajzë”, si çiftet në mbrëmjet e vallëzimit; ashtu mua më ndanë nga N.Q. dhe më ulën në bankën e dytë, me të mistershmen J.B me syze.

Apeli më mundësonte edhe një eksperiencë të re: të dëgjoja të shqiptuar emrin tim të plotë, gjë që në mjediset e shtëpisë nuk ndodhte kurrë. Natyrisht e dija që veç emrit kisha edhe mbiemër, por deri atëherë nuk e kisha rrokur mirë arsyen. Siç dija që kisha emra të ndryshëm – nga Ardian, në Ardi, Adi, Ardush, ndonjëherë Ada, dhe në rrugë Ardo dhe më vonë Ard. Në gjimnaz, kur na u trash zëri, filluam pastaj ta thërrasim njëri-tjetrin me mbiemër, sjellje që duhej të përcillte pjekuri dhe një lloj distance – edhe pse thjesht po imitonim mësuesit. Si ai fëmija që e shndërron traumën në lojë, ekzorcizonim edhe ne frustrimin prej autoritetit të përditshëm të mësuesve që mishërohej tek e thirrura me mbiemër.

Por emri im i shqiptuar i plotë, A.V., në një situatë ligjërimore ku unë i apeluari duhet të përgjigjesha “këtu”, më jepte edhe një konfirmim të pranisë sime, brenda një bashkësie të ngjashmish dhe të barabartësh.

Apeli është aktualizim i një liste, por njëherazi edhe verifikon praninë fizike të individëve. Për të konfirmuar se kush është në grup dhe kush mungon, lista – si bashkësi abstrakte – përqaset me identifikimin e renditur të anëtarëve. Ta kesh emrin në këtë listë, do të thotë t’i përkasësh grupit (“klasës”); dhe në këtë rast vetëm një anëtar i miratuar i grupit mund të “mungojë”; praktikisht, nuk mund të mungojë veç ai që pritet të jetë i pranishëm, jo një kalama çfarëdo.

E gjitha kjo tingëllon më e thjeshtë se ç’është vërtet. E formalizuar në regjistër, lista krijon dhe identifikon bashkësinë e anëtarëve të grupit (të “klasës”); por shpesh kjo bashkësi nuk është identike me atë të nxënësve të pranishëm – ndonjë fëmijë mund të mos jetë aty, sepse është sëmurë, ose kushedi ku është vonuar. Paradoksalisht, identifikimi i këtij të fundit si “mungues”, gjithashtu ia konfirmon përkatësinë në grup.

Ne si fëmijë nuk i dinim këto, por po i mësonim dora-dorës, teksa apeli na ndihmonte edhe për të dalluar mes pranisë aktuale dhe pranisë abstrakte në një grup; gjithë duke qenë e para, prania aktuale, shenjë e rregullit dhe e disiplinës në shkollë, ndërsa e dyta shenjë e fatalitetit social.

Shkolla, sidomos shkolla fillore, është edhe palestër e identitetit të fëmijës përtej familjes; deri atëherë ti je mësuar të shohësh veten në mënyrë relacionale – si djalë, si nip, si vëlla ose motër, si kushëri, si kalama që luan te rruga; por tani është koha që të mësohesh me një identitet më abstrakt (më algjebrik), që ka të bëjë me vendin tënd brenda një grupi dhe një liste; sa arbitrar, aq edhe të pashmangshëm.

Njëherazi, apeli e trajnon fëmijën edhe me idenë që prania e tij po regjistrohet dhe po merret parasysh; dhe se dikush po e “(mbi)këqyr” si individ. Ndryshe ndodh kur një organizator ose epror mjaftohet me numërimin e të pranishmëve, duke i lënë emrat mënjanë, edhe pse numërimi njëlloj mund të tregojë se grupi nuk është i plotë. Por ka gjithnjë diçka poshtëruese kur të numërojnë, madje edhe kur e bën stjuardesa në një avion pasagjerësh.

Më në fund, apeli aktivizon edhe refleksin e kushtëzuar të përgjigjes kur të thërrasin me emër: ajo “këtu”, e cila duhet shqiptuar qartë dhe shkoqur, shërben për të sanksionuar marrëdhënien e pranisë, duke përdorur një deiktik. Por fëmija që thotë “këtu” njëkohësisht mësohet me disiplinën e interpelimit – sa kohë që duhet të përgjigjet, kur mësuesja i thotë emrin; çka vendos edhe një hierarki mes këtyre dy roleve. Fëmija praktikon bindjen në një situatë ligjërimore krejt elementare, si të ishte bindja një formë ushtrimi gjimnastikor.

Kur ishim fëmijë në fillore e ndoshta edhe më pas, rituali i përditshëm i apelit na qetësonte – aq më tepër kur vinte pas sinjalit të ziles, gjithnjë pak agresiv, në mos i dhunshëm. Pa na kërkuar të tregojmë sa dinim e sa kishim mësuar, na përfshinte të gjithëve në një marrëdhënie solidariteti, duke na aftësuar që ta përjetonim veten si pjesë të një grupi, të angazhuar në një marrëdhënie sociale me mësuesen. Na akreditonte si nxënës shkolle.

Meqë thirreshim me emër, nuk kish pse të ndiheshim si përbërës të një turme amorfe – e kishim gjithnjë vendin në listë, siç e kishim edhe vendin në bankë; ndryshe nga efekti i ziles së shkollës, që na zhvishte nga identiteti, për të na diktuar se si duhej të lëviznim dhe ku duhej të shkonim. Për një arsye të ngjashme, edhe rreshtimi i fëmijëve (nxënësve) në oborrin e shkollës, para se të lejohej hyrja në klasë, e merrte parasysh grupin (klasën), por nuk i përfillte individualitetet.

I parë kështu, apeli ishte, në thelb, një ritual që e çonte më tej rreshtimin (vënien në rresht) dhe ndërmjetësonte kalimin nga bota përjashta (oborri i shkollës) në botën brenda shkollës, gjithë duke i dhënë çdo fëmije rolin e nxënësit, të paktën deri në fund të orës së mësimit; siç i jepte edhe mësueses rolin përkatës, si mësuese. Natyrisht, e gjithë kjo nuk kish kurrfarë lidhjeje me dijen; ishte thjesht shkolla, si institucion, që na trajnonte me vetveten.

Lista e emrave në regjistër, që pastaj prodhonte aktin dhe ritualin e apelit, nuk ishte veçse një imazh permanent i grupit tonë (klasës) të rreshtuar alfabetikisht në hapësirën e të mësuarit. Meqë ne të klasës së parë nuk e njihnim ende alfabetin dhe as e kuptonim mirë se për çfarë përdorej, apeli ishte edhe një metodë, mes të tjerash, për ta mësuar këtë renditje arbitrare shenjash, lutje abstrakte drejtuar perëndive të shkrimit dhe të rregullit – çfarë e shndërronte edhe krejt institucionin e shkollës në një mishërim të alfabetit.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.

Lini një Përgjigje