Mes një numri të madh spektatorësh të kryeqytetit, u shfaq premiera e filmit “Më çoni në Qafë të Botës të shoh Çamërinë”, një produksion i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” dhe Alket Veliut, me skenar të Luan Ramës dhe regji të Pandeli Çeços.
Nëpërmjet diskursit kinematografik, në këtë film, malli për Çamërinë mishërohet nëpërmjet metaforave të fuqishme, nga “bregoret e amshuara”, ku nuk mund ta ndash dot arsyen nga historia, ku gjithçka hyjnore është njerëzore, ndërsa gjithçka njerëzore duhet t’i kthehet popullit të cilit i përket, bashkë me krenarinë e qenies së vet të papërsëritshme.
Mënyra se si ngjarjet tregohen përmes skenarit dhe nëntekstit, estetika pamore, përdorimi i ngjyrave, dritës, këndeve të kamerës dhe montazhit, krijojnë emocione specifike të padrejtësisë njerëzore.
“Skenaristi Luan Rama, edhe në këtë film, na sjell me mjeshtëri vuajtjet dhe privacionet e popullsisë çame”, tha pas shfaqjes drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” dhe producenti Alket Veliu.
Ndërsa skenaristi Luan Rama tha se, ky krijim artistik niset në fakt nga një e vërtetë historike, dhe jo vetëm, por dhe personale, që më la mbresa të rëndësishme.
“Nëna e një gruaje të vjetër që takova para disa muajsh në Konispol, e cila kishte ikur vajze e re nga Filati i Çamërisë gjatë spastrimit etnik, nuk pranonte të vdiste pa e parë Çamërinë që i mungonte e që i shfaqej gjithnjë në ëndërr. Dhe në një mënyrë te habitshme, njerëzit e shtëpisë e çuan përballë kufirit të pakalueshëm për të dhe një jave më vonë ajo vdiq në paqe”, rrëfeu Luan Rama.
Gjatë qershorit, në “Muajin e Çamërisë”, filmi do të shfaqet në Shkup, Vlorë, Sarandë, Konispol etj. A.K./TemA
N.Zerva: pas Qafe botes ma sillni tourkotsamin m'Thesprotia qe ti cqiej kolotripidha-n..... hahahaha!