Raporti i deklasifikuar i CIA-s: Sazani, ishulli i fortifikuar që kontrollonte hyrjen në Adriatik

10 Qershor 2026, 16:50Dossier TEMA
Raporti i deklasifikuar i CIA-s: Sazani, ishulli i fortifikuar që

Një dokument i deklasifikuar i Central Intelligence Agency (CIA), i përgatitur në bashkëpunim me Photographic Intelligence Center të Marinës Amerikane, hedh dritë mbi rëndësinë strategjike që kishte Ishulli i Sazanit për strukturat ushtarake shqiptare në fundin e viteve ’50.

Raporti sekret, i titulluar “Sazan Island, Albania” dhe i datës korrik 1959, paraqet një analizë të detajuar të bazuar në zbulimin fotografik ajror. Në dokument, Sazani përshkruhet si një pikë kyçe ushtarake, e pozicionuar në hyrje të Gjirit të Vlorës, me rol të rëndësishëm në kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik.

Sipas raportit, i gjithë ishulli ishte nën kontroll të plotë ushtarak, me prani të përhershme të njësive të ushtrisë dhe marinës shqiptare. CIA evidenton se mbrojtja e Sazanit përfshinte disa bateri artilerie bregdetare dhe kundërajrore të kalibrit 85-100 mm, të pajisura me sisteme drejtimi radarik.

Dokumenti përmend gjithashtu identifikimin e një pozicioni të mundshëm të radarit të paralajmërimit të hershëm të tipit “TOKEN”, i cili konsiderohej pjesë e infrastrukturës së mbrojtjes së ishullit.

Sipas analizës së inteligjencës amerikane, në të gjithë territorin e Sazanit ishin shpërndarë pozicione mitralozësh, bunkerë dhe ambiente magazinimi nëntokësore. Këto elemente, sipas autorëve të raportit, e shndërronin ishullin në një kompleks të fortifikuar me rëndësi të veçantë strategjike.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Portit të Shën Kollit (San Nicolo Harbor), në anën lindore të ishullit. CIA raportonte se aty funksiononte një bazë e vogël detare, ku ishin dislokuar mjete patrulluese të klasit “Kronshtadt” dhe disa silurues të vegjël.

Raporti përmend gjithashtu ekzistencën e një strukture rreth 220 këmbë të gjatë, e cila mendohej se përdorej për riparime nënujore të mjeteve patrulluese.

Megjithatë, dokumenti rrëzon disa nga dyshimet e kohës. Sipas inteligjencës amerikane, nuk kishte prova fotografike që të konfirmonin ekzistencën e një baze nëndetësesh apo të një depoje nëntokësore karburantesh në Sazan.

Po ashtu, raporti nënvizon se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i madh apo ndryshim i rëndësishëm në infrastrukturën ushtarake të ishullit, krahasuar me vëzhgimet e mëparshme.

Dokumenti shoqërohet me harta, skica dhe fotografi ajrore, ku identifikohen objektet kryesore ushtarake të ishullit. Ai dëshmon interesin e lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës për monitorimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, periudhë në të cilën Sazani konsiderohej një pikë me rëndësi të veçantë strategjike për kontrollin e Adriatikut.

Dokumenta bashkëngjitur

1 Komente

  1. >

    I kemi bērē reklam aq shumē Sazanit dhe Zvērnecit, sa çmimi i metrit katror tē truallit do jetē mē shtrenjt se nē Washington DC.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje