Dossier/Parlament 1995, debati rreth ligjit "Për shitblerjen e trojeve" dhe një fjalim pikant i Teodor Kekos kur e cilësonte sjelljen e kolegëve demokrat si “prostitucion politik”

6 Qershor 2026, 12:05Dossier TEMA
Dossier/Parlament 1995, debati rreth ligjit "Për shitblerjen e

“Ky projektligj është kufiri ku ndahet e majta me qendrën e djathtë, siç thotë se është PD-ja për veten e saj. Atëherë, të nderuar deputetë të PD-së, ku ndaheni ju me PS-në, në fjalë? Më falni, por fjalët i merr era dhe pastaj Parlamenti kthehet në një vajzë, së cilës i këndohet poshtë dritares serenata e njohur korçare: "Të tjera bën, të tjera thua, të më marrësh mendjen mua."

Debati për pronat në Zvërnec, i rikthyer në qendër të vëmendjes publike, rikthen plagët më të thella të tranzicionit shqiptar: marrëdhënien e pazgjidhur me pronësinë dhe padrejtësitë e trashëguara nga e kaluara. Për 35 vite, qeveritë shqiptare të dy krahëve miratuan ligje me shumicë të servirura si zgjidhje për çështjen e pronave, por sot pas 35 vitesh, duke u qartazi se problematika është aty. Sepse politika ka investuar me, apo pa qëllim që kjo çështje të mos marrë kurrë zgjidhje. Ka një moment me rëndësi në vitin 1995 kur parlamenti diskutonte dhe miratonte ligjin për shitblerjen e trojeve. Në atë kohë mazhorancë ishte Partia Demokratike, por dy palët shfaqen dakord me një ligj që sipas deputetëve të djathtë të atij parlamenti, ishte vrastar për ekonominë e tregut dhe të drejtën pronës. Flitet në këtë debat edhe për investitorët e huaj dhe si ata mund të blejnë tokë apo pronë në Shqipëri.

Spikat në atë debat, i ndjeri Teodor Keko, deputet i PAD-së i njohur për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe me plot batuta në fjalimet e tij në parlamentin shqiptar 1992–1996. Fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë, veçanërisht ato të Teodor Kekos, Petrit Kalakulës, tingëllojnë jo thjesht si dokumente historike, por si paralajmërime për një situatë që sot po e jetojmë jo vetëm në Zvërnec, e thuajse gjithë Shqipërinë. Në thelb, ajo që dikur u debatua si çështje ligjore dhe ideologjike, sot shfaqet sërish në Zvërnec si një konflikt mes zhvillimit, interesave ekonomike dhe të drejtës historike mbi pronën. Ligji u konsiderua i padrejtë, por u miratua me forcën e kartonave të dy partive të mëdha në kuvend, por sot na rrëfen pasojat në Zvërnec e në vende të tjera në Shqipëri. TemA sjell pjesë nga debatet parlamentare në seancën e korrikut të vitit 1995.

Teodor Keko: Në mars të vitit 1992 ne fituam, po fus edhe veten time në këtë mes, sepse u shprehëm si anti të majtë. Me këtë pasaportë hyri në Parlament një maxhorancë absolute. Sot na del në Parlament një maxhorancë absolute, e cila, pavarësisht nga moda e fjalëve që përdor, dëshiron të miratojë një ligj themelor ultra të majtë. Ky është një mashtrim i madh. Ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë. Duhet të kemi respekt për pronën e individit, pavarësisht se ç'mendojmë për individin iks ose ipsilon. Në dukje problemi i pronësisë është tepër i komplikuar. Por është i tillë kur mendohet shumë gjatë. Po u veprua, ai zgjidhet thjesht, siç ndodhi me rininë shqiptare dhe PD-në në dhjetor të 1990- ës kundër super të komplikuarës diktaturë.

            Mua më duket logjike të pranojmë lutjen e së djathtës që ta lëmë këtë projektligj për legjislaturën e ardhshme. Të hyjnë partitë në zgjedhje me programe pa ekuivokë për këtë ligj, t'i votojë populli sipas dëshirës së tij dhe pastaj ta shprehim vullnetin e popullit në Parlament. Sot ne nuk kemi fytyrë ta votojmë këtë projektligj. Ky projektligj është kufiri ku ndahet e majta me qendrën e djathtë, siç thotë se është PD-ja për veten e saj. Atëherë, të nderuar deputetë të PD-së, ku ndaheni ju me PS-në, në fjalë? Më falni, por fjalët i merr era dhe pastaj Parlamenti kthehet në një vajzë, së cilës i këndohet poshtë dritares serenata e njohur korçare: "Të tjera bën, të tjera thua, të më marrësh mendjen mua."

            Të nderuar kolegë,

            Personalisht e ritheksoj, se kam respekt për zgjedhjen e jetës që bën njeriu, por jo për ndryshimet themelore të momentit. Nisur nga kjo logjikë, ju bëj thirrje deputetëve të PD-së që të mos bëhen travestitë, ose, nëse dëshironi të ndërroni seksin, bëjeni operacion në vitin që vjen përpara popullit.

            Tre vjet më parë unë u largova nga PD-ja, sepse disa gjëra i mendoja ndryshe nga ju. Sot do të ishte turp i madh për ju që i ikuri ose supertradhtari të votojë për atë program partiak që e futi në Parlament, kurse ju besnikët të votoni kundër programit tuaj. Të zgjedhësh me kujdes fjalën më përkëdhelëse të gjuhës shqipe për të tipizuar këtë paradoks, quhet prostitucion. Të nderuar kolegë të PD-së, unë ju bëj thirrje të tregoheni burra, burra të patrembur nga e djeshmja juaj.

 

Petrit Kalakula: Falemnderit, zoti Kryetar! Ligji gjysmak dhe i padrejtë nr. 7698, datë 15.04.1993 u jep pronarëve vetëm një pjesë të vogël të asaj që kanë pasur, domethënë një kockë. Pjesën tjetër e mban përsëri shteti, ky pronar i gjithëfuqishëm. Pra, shteti bën si ata grabitësit "dinjitozë" që të rrëmbejnë lopën dhe, kur e therin, i dërgojnë të zotit vetëm të brendshmet si gjest kalorsian. Madje, ky shtet nuk ka arritur as deri në atë nivel, sepse pronarët e shkretë po sorollaten dhe po shpenzojnë qimet e kokës për të vërtetuar pronësinë nëpër labirintet e burokracisë dhe të ineficiencës së administratave dhe gjykatave tona. Ka dhe shumë raste që komisionet e kthimit të pronave, madje edhe gjykatat nuk pranojnë më të merren me këtë punë, sepse: "ka skaduar afati ligjor i paraqitjes së dokumenteve". Ç'është e vërteta, duhet ta pranojmë se kemi një Qeveri të zgjuar dhe dinake, që edhe ta bën me sy, edhe ta fut gishtin nga prapa.

            Ndryshon puna, po të kesh ndonjë post në Qeveri ose në partinë në pushtet. Në këto raste, "pronarët", edhe kur nuk janë vërtet pronarë, marrin me lehtësi thelat tepër të majme, siç është rasti, fjala vjen, i mbi tre hektarëve që ka marrë firma tepër serioze e ndërtimit të kështjellave mesjetare "Rogner", apo sheshi që ka marrë karshi ish-vilës së Enver Hoxhës firma "Frataj", të cilën nja dy zotërinj këtu në Parlament e njohin mirë, se e kanë ortak. Fakt është se pronarët aktualisht kanë mbetur me gisht në gojë. Shumica dërrmuese e tyre nuk kanë marrë ende as atë pak tokë që u njeh ligji gjysmak i kthimit të pronave.

            Në këto kushte, kërkohet të na serviret ligji i shitblerjes së trojeve. Kësaj i thonë të bësh tregti me mall të vjedhur, zotërinj, dhe mallin e vjedhur, të jeni të sigurt, nuk e blen njeri. Inspiruesit e hartuesit e këtij projekti dhe disa veta këtu që mund ta mbështetin, që kanë bredhur e kanë pasur shumë kontakte me Evropën, me Amerikën, ndonjëri edhe me Argjentinën a Zelandën e Re, ku kanë pasur, siç na thonë, shumë kontakte me ekspertë të këtyre punëve, na përmendin vazhdimisht, si predikimet në kishë, faktin që pa shitblerjen e trojeve nuk afrohen investitorët e huaj. Këtë e kemi dëgjuar edhe ne. Por, me aq sa kemi mundur të mësojmë, investitorët e huaj, sigurisht ata që janë vërtet seriozë, dhe jo mafiozë, i njohin mirë normat e afarizmit, janë tepër të kujdesshëm dhe kur e blejnë një mall, sidomos kur bëhet fjalë për tokën ose për truallin, informohen mirë se kush është pronari legjitim i saj. Ata nuk pranojnë të blejnë një pronë të grabitur, qoftë edhe sikur grabitësi të jetë shteti, sepse ata janë aq të zgjuar, sa ta kuptojnë se do të vijë një ditë që, në mos ky Parlament, një parlament tjetër, në mos kjo Qeveri, një qeveri tjetër do ta vërë drejtësinë në vend dhe do t'ia kthejë pronën pronarit të saj legjitim.

           

Bashkim Kopliku: Ky ligj plotëson një ndër atributet kryesore të pronësisë: të drejtën për ta shitur dhe për ta blerë pronën. Pra, lejohet pa kufij të shitet trualli, që gjatë komunizmit ishte kryesisht tokë shtetërore. Tani pushteti demokratik i jep edhe truallit komplet atributet e pronës private.

            Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike përkrah ndryshimet e Komisionit të Industrisë dhe Ndërtimit në ndryshimin e nenit 3. Kështu, toka shtetërore kufizohet në shitjen e saj, me qëllim që të ketë mundësi të bëhet kompensimi fizik i ish- pronarëve. Po ju lexoj nenin 3 të këtij grupi: "Derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish-pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private lejohet vetëm në rastet që vijojnë:

            a) për ndërtimin e banesave me qëllim lirimin e banesave të ish-pronarëve, si dhe për të pastrehët, të ndërtuar nga Enti i Banesave dhe persona të tjerë;

            b) me vendim të Këshillit të Ministrave, për investime të rëndësishme për vendin.

            Siç shihet, jo vetëm që sigurohet tokë për kompensimin e ish-pronarëve, por sigurohet tokë (flas për toka shtetërore) edhe për të pastrehët, si dhe për investime të rëndësishme, qoftë nga të huajt, qoftë nga vendasit, që natyrisht i gjykon Këshilli i Ministrave dhe jo çdo ndërmarrje ose komunë.

            Gjithashtu, me këtë ligj shteti detyrohet t'u shesë pronarëve privatë truallin e objekteve të tyre, të atyre objekteve që ata tashmë i kanë privatizuar. Po ju lexoj zëvendësimin e nenit 4 të projektit fillestar, siç është ndryshuar nga Komisioni i Industrisë dhe Ndërtimit, i mbështetur nga Grupi i Partisë Demokratike:

"Kalimi i trojeve të zëna nga pronë shtetërore në pronë private lejohet kur:

            a) trualli është i objekteve private ose i atyre që do të privatizohen;

            b) trualli do të përdoret për zgjerime ose ristrukturime nga persona që u lind kjo e drejtë nga ana urbanistike;

            c) trualli ka investime të lëna, të papërfunduara;

            ç) në çdo rast tjetër, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.

            Në këtë ligj është zgjidhur mirë edhe një çështje shumë e debatuar dhe shumë e rëndësishme për thithjen e investimeve të huaja: shitja e truallit të huajve. Ideja bazë është sa vijon: Të huajve t'u shitet toka me kufizim, vetëm në rastin pasi të huajt të kenë kryer investimin. Kësaj ideje të përgjithshme i janë përmbajtur edhe Komisioni i Industrisë dhe Ndërtimit, edhe Grupi i PD-së, edhe Qeveria.

            Grupi i PD-së përkrah propozimin e Komisionit të Industrisë dhe Ndërtimit që i huaji të lejohet të bëhet pronar i tokës në Shqipëri, jo pasi të ketë kryer çdo lloj investimi, sepse i huaji në një truall me përmasa shumë të mëdha mund të bëjë një investim mikroskopik, siç ishte ligji, dhe ta marrë truallin. Tani vihen kufizime nga Komisioni i Industrisë e Ndërtimit dhe nga Grupi ynë Parlamentar për madhësinë e këtyre trojeve, duke thënë: ".. .pasi të ketë kryer investime në vlerë jo më të vogël se trefishi i vlerës së truallit", gjë që zgjidh problemin se sa do të jetë trualli dhe atë të madhësisë së investimeve. Kjo do të sigurojë, nga njëra anë, që shitja e truallit të huajve të bëhet vetëm kur investimi kalon një vlerë të caktuar dhe, nga ana tjetër, u jep mundësi të huajve të përdorin pronësinë mbi tokën që gjatë kryerjes së investimeve, me qëllim që të mund të marrim financimet përkatëse si dhe lehtësime të tjera, që drejtpërdrejt sigurojnë kryerjen e investimeve në Shqipëri.

            Pra, duke përfunduar, të huajt kanë mundësi të blejnë tokë nga individët, nga privatët shqiptarë, qofshin fizikë ose juridikë, dhe të huajt kanë të drejtë të blejnë tokë edhe nga shteti shqiptar. Dhe shteti shqiptar, zotërinj, për një problem kaq të rëndësishëm, kaq të debatuar, mendojmë që të mos përfaqësohet nga një drejtor ndërmarrjeje, por nga Këshilli i Ministrave.

3 Komente

  1. S
    Shqiperine vrane Politiqenet PD PS

    Mallkuar !

    Përgjigjjuni
    1. .
      .

      TEODOR KEKO____________ ...Po tani nga do ja mbajmë? Nuk po dim se nga fryn era. Hëngrëm mut deshëm liri. E të tjera e të tjera.... Kemi dhe nji parlament. Me njëqind e ca halera. Kokë bosh e tope tredhur. E të tjera e të tjera....

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sovranisti

        Kerkesa e pare qe duhet te dale nga Protesta ose LQF ( Levizja Qytetare Flamingo) eshte thelbesor per debatin politik aktual dhe modelin e zhvillimit te turizmit ne te ardhmen: Ndalimi me ligj i shitjes se tokes shtetasve te huaj Ose vendosja e nje kufiri te lejuar ne zonat me rendesi strategjike si bregdeti, Sazani, Zverneci Si mund ti shiten nje investitori te huaj qindra mijra hektare toke, edhe pse prona eshte private, ne nje zone ekologjiko- strategjike si Zverneci? Kush mund ta ndaloje pronarin e ri investitor i cili per interesa komerciale gjithe investimin dhe truallin tja shesi neser Rusit, Izraelit apo Kinezit? Kush mund ta ndaloje pronarin e ri te huaj qe ne rast te nje konflikti , token e blere dhe resortin ta ktheje ne baze ushtarake? Shteti duhet te kete sovranitet te plote ne territorin e tij, didomos ne zonat strategjike? Qytetaret kane intuite me te mprehte se politikanet pazarxhinj qe sot na ofrojne kartolina mrekullie me resorte luksoze, neser ikin por pasojat jane afatgjata.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje