Zvërneci përtej Shqipërisë

6 Qershor 2026, 11:18Blog TEMA
Zvërneci përtej Shqipërisë

Nga Dr. Arben Ramkaj

Shumë prej debateve më të rëndësishme të një vendi nuk nisin kurrë nëpër tribuna të larta, por diku në periferi, aty ku një projekt i thjeshtë gërvisht sipërfaqen dhe nxjerr në dritë plagët e vjetra të një shoqërie.

Për Zvërnecin, e gjithë kjo protestë popullore nuk lindi nga teoritë e mëdha, por nga nxehja e parë e gjakut kur mbi tokë u shfaq një gardh metalik me gjemba që shqiptarëve u kujtoi menjëherë tmerrin e kufijve të diktaturës, dhe kur arroganca e një policie private që tërhoqi zvarrë një qytetar zgjoi të njëjtën ndjenjë revolte si ajo që ndiejmë kur shohim forcat kolonizatore të dëbojnë palestinezët nga shtëpitë e tyre legjitime.

Ishte pikërisht ky cenim i papritur i dinjitetit njerëzor që e ktheu një shqetësim mjedisor në një kryengritje të marrë në dorë nga forcat e reja: një rini shqiptare dhe anëtarë të shoqërisë civile, të bindur se partitë politike tradicionale janë tashmë të gjunjëzuara përpara interesave të mëdha, ngritën një kauzë të fortë anti-establishment.

E përzier me një krenari të fortë nacionaliste, kjo revoltë mori shpejt emrin poetik “Revolucioni i Flamingove”, por brenda këtij romantizmi nisi të artikulohej edhe një gjuhë e ashpër, me thirrje për burgosjen e liderëve kryesorë politikë, duke krijuar frikën se i gjithë ky vrull mund të rrëshqasë në një përmbysje të pakontrolluar në rast të mungesës së një pjekurie si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga vetë protestuesit.

Kjo situatë e ktheu këtë rrip të vogël e mistik toke në një fushëbetejë ku sot përplasen narrativa shumë më të mëdha se vetë bregdeti ynë, sepse në një botë të jetuar mes krizave të tmerrshme të Lindjes së Mesme dhe debateve të egra kulturore në Perëndim, Shqipëria nuk mund të mbetet një ishull i izoluar. Ndaj ky ekran lokal filloi të projektonte tensionet ideologjike globale, duke krijuar një paradoks sa politik, aq edhe emocional për një nga vendet më pro-amerikane në Europë.

Në vend të një diskutimi të matur, vëmendja publike rrëshqiti me shpejtësi drejt personifikimit të thjeshtëzuar, duke u fokusuar pothuajse ekskluzivisht te emrat e Jared Kushner dhe Ivanka Trump, një reduktim mediatik që ka shpërfillur faktin se pas këtij mega-projekti nuk qëndron vetëm kapitali privat amerikan, por një arkitekturë financiare shumë më komplekse, ku pjesë kryesore e konsorciumit është gjigandi ndërkombëtar Khayat Group, një grup me seli në Katar.

Ky detaj e zhvesh debatin nga ngjyrimet pastërtisht partiake të Uashingtonit, duke dëshmuar se Zvërneci po tërheq flukset më të fuqishme të kapitalit global, gjë që në parim lexohet si një certifikatë besueshmërie për një shtet që përpiqet të dalë nga lëngata e gjatë e tranzicionit. Mirëpo, pikërisht këtu zgjohet trauma jonë më e madhe: pasiguria juridike. Historia jonë tridhjetëvjeçare është e mbushur me kapitale që u larguan jo nga mungesa e potencialeve, por nga labirintet e pronësisë dhe paaftësia e shtetit për të garantuar rregullat e lojës.

Ndaj Zvërneci nuk është një përjashtim, por vazhdimësia e një sprove kombëtare ku pyetja thelbësore nuk duhet të jetë se kush investon, por nëse institucionet tona kanë integritetin e duhur për të mbrojtur ligjin, mjedisin dhe interesin publik në të njëjtën kohë. Asnjë vend serioz nuk mund të zhvillohet duke shitur pasuritë pa bërë pyetje, por as duke i demonizuar investitorët në emër të betejave ideologjike globale.

Në thelb, Zvërneci nuk është thjesht një debat për natyrën apo për emrat e përveçëm të gjeopolitikës; ai është sprova nëse mund të jemi një vend që zhvillohet pa u vetëshkatërruar nën ethet e një kaosi institucional. Për shqiptarin e thjeshtë, ky “Revolucion i Flamingove” mund të duket si një emër shumë luksoz, madje i importuar nga sallonet e huaja, teksa përplaset fort me realitetin e ashpër provincial të një populli që ende lufton për dinjitet ekonomik dhe që e njeh mirë diferencën e tij në raport me pjesën tjetër të Europës. Ky vrull protestues jo vetëm që synoi të turpërojë publikisht familjen e Presidentit Trump, por artikuloi hapur dëshirën për anulimin e investimit më të madh të bërë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.

Por a është kjo vërtet një kërkesë legjitime e mbarë shoqërisë shqiptare? Ndërgjegjja intelektuale na bën skeptikë për të menduar se shumica e këtij populli ndan të njëjtin mendim me protestuesit shpresëdhënës të rrugës.

Ndonëse kjo protestë po shfrytëzohet si një mjet politik për të rrëzuar pushtetin, për të mbushur kupën e pakënaqësive dhe për të kërkuar me çdo kusht ndryshimin e establishmentit dhe fundin e tranzicionit të gjatë shqiptar, mënyra se si ky investim po përdoret dhe po instrumentalizohet jashtë kufijve të Shqipërisë mbetet një turp i madh për ne si komb.

Një komb nuk e mat seriozitetin e tij nga aftësia për të kërcënuar me përmbysje totale, por nga fuqia e institucioneve të veta për të vendosur kushte dhe për të garantuar se ligji peshon njësoj përballë kujtdo, pa harruar se e ardhmja e vendit nuk ndërtohet duke i kthyer shpinën tregut global, por duke pasur guximin për të qenë zot në shtëpinë tënde.

Ndërsa mjegulla e debateve pasionante vazhdon të pushtojë arenën publike, ditët në vijim do të jenë gjykatësi i vetëm i vërtetë që do të tregojë se kush ka të drejtë në këtë zhvillim historik.

4 Komente

  1. E
    Edhe unë isha aty!

    Rama me të vërtetë ka marrë fund. Popullit i ka ardhur në majë të hundës nga ky arrogant, që nuk ka pyetur kurrë për opinionin publik. Që i dukej vetja si lider global, mik me Macron, Merz, Starmer etj etj. Pra i madh midis të mëdhenjve. Mbretërimi i tij mbaroi. Tani e tutje gjithçka do të jetë ndryshe. Për të gjithë pushtuesit e fronit, pra pushtetarët. Rama do përpëlitet edhe ca kohë. Do bëjë sikur nuk pyet për manifestuesit. Por tani çdo gjë ka marrë fund. ylli i tij u zvenit brenda dhe jashtë vendit. Mbaruan udhëtimet e tij të përjavshme nëpër botë, për të ndrequr hallet e këtij planeti! Tani ai do e dëgjojë shumë më tepër opinionin e njerëzve. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Rama n'burg - Berisha n'burg! Kjo lëvizje qytetare do mbahet mend dhe do hyjë në histori. Gjyshërit më vonë do u thonë nipërve dhe mbesave: "Edhe unë isha aty!". Njëlloj siç mbahet mend lëvizja e dhjetorit e studentëve. Tani nuk ka më të paprekshëm. Që mund të bëjnë si të duan me pasuritë e vendit. Do hapen mirë defterët dhe do shihet se si është shitur dhe copëtuar Shqipëria gjatë këtyre 36 vjetëve shkërdhatokraci. Dhe dikush do të përgjigjet. Manifestimet dëshmuan se njerëzit nuk janë të kënaqur nga mënyra se si është drejtuar vendi gjatë këtyre 36 viteve. Sesi është pasuruar një kastë duke vjedhur pasuritë e të gjithëve. Këta që demonstrojnë nuk duan kthimin e sistemit të vjetër, por një kapitalizëm me fytyrë Njeriu. Ky është një revolucion tjetër që do hedhë në kosh përfundimisht kastën mashtruese që doli në skenë pas vitit 1990. Asgjë nuk kthehet më pas.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Fisteku

      Ja hodhe trapit; do te kesh se cfare te tregosh si gjysh; rrugacerine e vitit 2026!

      Përgjigjjuni
    2. K
      Km maks 2 mandate dhe jo me kompani ofshore per bi

      Shune i lodhshem qeke o doktorr Thelbi eshte. Perse emrat e investitoreve nuk thuhen? Perse pasurite publike shiten investitoreve te cilet pastaj parata i cojne ne llogari ofshore qe mos ju zbulohet emri? Duhet te marre fund kjo praktike. Plus Km nuk duhet ne asnje menyre ne nje vend si Shqiperia te qeverise me shume se dy mandate. Ne asnje menyre. Shqiperia do ishte nje vend shume me i mire qe te momenti qe do plotesoheshin keto pika qe te them. Nqs nuk je hajdut, nqs ske ndermend te fshehesh para korrupsioni ske pse biznesin ta kesh ne shqiperi kurse llogarite bankare pa emer neper parajsa fiskale ishuj ofshore. Ku eshte pare kjo! Merr nje koncesion ketu ne shqiperi dhe leket i con ne kompani ofshore jashte!!! Nqs je nje KM qe e do popullin, ne nje vend qe nuk ka tradite demokratike si shqiperia, mesohi njerezit me KM me mandat. Jo te kemi KM Pergjithe jeten se eshte dicka e gabuar.

      Përgjigjjuni
      1. K
        Keshilltari

        Nje vend I vogel me njerez te vegjel te gjithe kunder njeri tjetrit dhe per rrjedhoje dalin te humbur.Eshte nje lufte per te mos bere investime turistike ne kete vend sic ka ndodhur largimi i kompanise franceze nga Kakomea sabotimi i ndertimit te portit te Durresit nga terheqja e planifikuar e firmes Greke nga ndertimi i tij per interesa greke qe te mos ndertohet porti dhe te mos funksionoje transporti i mallrave ne rrugen Egnatia gjithashtu e sabotuar nga firmat greke qe dikur fituan tenderat per ndertimin e saj.Tani luftojne me cdo mjet per te sabotuar investimin ne Zvernec.Pra lufte e ashper nga fqinjet per te mos lene vendin tone te zhvillohet e perparoje.Fatkeqesisht qe nuk po kuptohet e vletesohet nga institucionet e sigurise duke u lene mundesi njerezve te pa informuar te keqeperdoren ne dem te vendit te tyre

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje