Mazniku në Berat: Komisioni do të marrë në konsideratë veçoritë e çdo zone, identiteti nuk humbet nga bashkëpunimi

6 Qershor 2026, 13:15Politika TEMA
Mazniku në Berat: Komisioni do të marrë në konsideratë

Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku theksoi se riorganizimi administrativ nuk përbën kërcënim për identitetin lokal, por synon përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas tij, debati duhet të fokusohet te zgjidhja e problemeve konkrete të komuniteteve dhe te rritja e eficiencës në ofrimin e shërbimeve publike. Mazniku theksoi se bashkitë kanë nevojë për më shumë kapacitete profesionale dhe burime për të ushtruar kompetencat që u ngarkohen.

“Sigurisht, ekziston edhe elementi emocional për identitetin vendor. Shumë njerëz thonë se kanë identitetin e tyre dhe pyesin nëse ai duhet të preket nga bashkimi administrativ. Por ne do të hyjmë si vend dhe do të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian dhe kjo nuk do të na bëjë më pak shqiptarë. Në të njëjtën mënyrë, riorganizimi administrativ për të ofruar shërbime më të mira nuk është kërcënim për identitetin lokal, përkundrazi, mund të jetë një mënyrë për ta forcuar atë.
Rreziku i vërtetë është mungesa e shërbimeve dhe e funksioneve. Prandaj, kur flasim për ekuilibrin, duhet të gjejmë balancën mes madhësisë së njësive vendore, mundësisë për të mbledhur të ardhura dhe nevojës që qytetarët të ndihen të përfaqësuar dhe të dëgjuar", deklaroi ai.

Mazniku siguroi se Komisioni i Posaçëm për këtë reformë do të marrë në konsideratë ndjeshmëritë, traditat dhe veçoritë e çdo zone gjatë procesit të reformës, me synimin për të ndërtuar një model që garanton si shërbime më të mira, ashtu edhe respektimin e identitetit lokal.

Më tej ai bëri edhe një analizë ku tha se modeli me 373 njësi ishte problematik dhe se në asnjë dëgjesë askush nuk mund të japë një përgjigje se çfarë shërbimi kryente më parë bashkia që nuk e ofron sot me reformën e vitit 2014.

"Nëse burimet financiare janë të pakta, atëherë pyetja është, çfarë do të vendosim, si do ta ndajmë varfërinë? Modeli me 373 njësi vendore rezultoi problematik dhe besoj se për këtë biem të gjithë dakord. Shumë prej atyre njësive të vogla nuk kishim shërbime funksionale.
Unë nuk e gjej dot në të gjitha diskutimet se cili është ai shërbim që merrej dje dhe që nuk merret sot në bashki. Pyetja që duhet të shtrojmë është, si mund t’i fuqizojmë komunitetet dhe t’u japim mundësinë të ushtrojnë funksionet që duhet të ushtrojnë? Kjo është dilema jonë dhe zgjidhjen duhet ta gjejmë së bashku", theksoi ai.

Lini një Përgjigje