Kompani private për trenat e Tiranë–Durrës–Rinas/ Hapet thirrja ndërkombëtare, shërbimi pritet të nisë në fund të vitit 2027

6 Qershor 2026, 13:20Ekonomia TEMA
Kompani private për trenat e Tiranë–Durrës–Rinas/

Nis zyrtarisht kërkimi i operatorit që do të ofrojë shërbimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, duke hedhur një tjetër hap drejt rikthimit të trenit për udhëtarët pas dekadash mungese.


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar një thirrje për shprehje interesi drejtuar kompanive dhe konsorciumeve ndërkombëtare me eksperiencë në operimin e transportit hekurudhor, në kuadër të përgatitjes së kontratës së parë të shërbimit publik hekurudhor të pasagjerëve në vend. Thirrja për shprehje interesi është publikuar edhe në faqen e prokurimeve publike të Bashkimit Evropian.

Sipas dokumenteve të publikuara, paketa fillestare e shërbimit do të mbulojë korridorin Durrës–Tiranë–Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ndërsa në të ardhmen kontrata mund të zgjerohet edhe drejt Hanit të Hotit dhe Pogradecit, në varësi të përfundimit të investimeve infrastrukturore në këto segmente. Linja e elektrifikuar Tiranë – Durrës – Rinas pritet të përfundojë në tremujorin e tretë të vitit 2027 dhe do të jetë linja e parë ku do të ofrohet shërbimi i ri i transportit hekurudhor të pasagjerëve.

Kontrata e shërbimit publik parashikohet të ketë një kohëzgjatje nga 10 - 15 vjet, ndërsa operatori fitues do të jetë përgjegjës për sigurimin e trenave, vënien e tyre në shërbim dhe mirëmbajtjen gjatë gjithë periudhës së kontratës.

Në fazën fillestare parashikohet realizimi i rreth 1.1 mln kilometrave tren në vit, me 44 shërbime ditore në linjën Tiranë–Durrës dhe 74 shërbime në linjën Tiranë–Aeroport. Me zgjerimin e rrjetit drejt Hanit të Hotit dhe Pogradecit, volumi i operimit mund të arrijë në rreth 4 milion kilometra tren në vit deri në vitin 2036.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 26 korrik 2026 për të paraqitur shprehjen e interesit, ndërsa tenderi për përzgjedhjen e operatorit pritet të hapet në tremujorin e katërt të këtij viti. Nisja e shërbimit të parë të transportit hekurudhor të pasagjerëve parashikohet në fund të vitit 2027.

Lini një Përgjigje