Business Network Albania (BNA), organizata jofitimprurëse që në më pak se një vit është bërë një nga iniciativat më ambicioze për lidhjen e sipërmarrësve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, vjen më 27 qershor në Berlin me konferencën e saj të tretë ndërkombëtare, që do të mbahet në Hotel Bristol Berlin.
Pas eventit të lançimit në Tiranë dhe konferencës ndërkombëtare në Londër, ndalesa në Berlin pritet të mbledhë mbi 250 pjesëmarrës nga bota e biznesit, diasporës, diplomacisë dhe investimeve, për të diskutuar rolin e kapitalit njerëzor dhe financiar shqiptar në Europë.
Berlini, dimensioni i ri i diskutimit
Programi do të hapet me prezantimin strategjik të BNA-së nga CEO i organizatës, Ruzvelt Shehu. Në vijim do të marrin fjalën Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, Ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, dhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Ylber Sela.
Temë kyçe e konferencës do të jetë roli i diasporës shqiptare në Europë dhe mënyra se si profesionistët, sipërmarrësit dhe investitorët shqiptarë mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendeve të origjinës. Sesionet tematike do të fokusohen te teknologjia dhe inovacioni, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, profesionistët shqiptarë në tregjet globale, dhe pozicionimi i markave shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Përveç paneleve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zhvillojnë takime biznesi përmes sesioneve të dedikuara të networking-ut.
Nga Tirana në Londër, dhe tani në Berlin
Eventi i parë i BNA-së në Tiranë shënoi fillimin e një organizate globale që synon të transformojë mënyrën se si bizneset shqiptare krijojnë lidhje profesionale. Konferenca e dytë në Londër e ngriti iniciativën në nivel ndërkombëtar, duke mbledhur ekspertë, investitorë, akademikë, diplomatë dhe liderë të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
Diskutimet u përqendruan te tregtia, investimet, inovacioni, kapitali privat dhe integrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor në tregjet europiane. Disa nga bisedimet e nisura në këto evente janë kthyer tashmë në kontrata reale, një tregues konkret se modeli i BNA-së funksionon përtej networking-ut tradicional.
Një platformë digjitale për bizneset
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të BNA-së është platforma digjitale e rrjetit, e ndërtuar mbi konceptin e anëtarësimit të verifikuar dhe rrjetëzimit të personalizuar. Anëtarët mund të identifikojnë partnerë potencialë, investitorë, klientë apo ekspertë, duke krijuar një ekosistem të bazuar te besimi dhe transparenca.
Aktualisht, rrjeti numëron mbi 72 anëtarë në platformë, rreth 500 pjesëmarrës të angazhuar në eventet e organizuara dhe mijëra ndjekës në rrjetet sociale.
Vizioni: më shumë se thjesht një event
BNA nuk synon të jetë thjesht një organizatë eventesh. Vizioni i saj është ndërtimi i një infrastrukture moderne bashkëpunimi për biznesin shqiptar, ku sipërmarrësit dhe investitorët kanë akses më të shpejtë në mundësi reale zhvillimi.
Në një ekonomi që ndërtohet gjithnjë e më shumë mbi lidhjet dhe komunitetet, BNA po krijon atë që shpesh ka munguar: një rrjet të besueshëm, të organizuar dhe të orientuar drejt rezultateve. Konferenca e Berlinit është një tjetër hap në këtë drejtim.
Lini një Përgjigje