Për 21 vite me radhë, Festivali i Teatrit të Kukullave “Xinxifilo” ka sjellë buzëqeshje, imagjinatë dhe edukim artistik për fëmijët në mbarë vendin.
Edicioni i këtij viti bashkoi artistë, krijues dhe publikun e vogël në një rrugëtim plot ngjyra e emocione, duke promovuar vlerat e artit skenik dhe trashëgimisë kulturore. Shfaqjet e festivalit u mirëpritën në Pogradec, Berat, Tiranë, Gramsh, Vlorë, Fier dhe Elbasan, duke e kthyer teatrin e kukullave në një urë komunikimi mes brezave.
Një nga të ftuarit e festivalit ishte dhe Teatri Kombëtar i Kukullave Tiranë, i cili solli në skenën e teatrit “Piro Xëci” shfaqjen plot ngjyra dhe fantazi “Shfaqja e Cirkut”.
Me regji, kukulla dhe skenografi nga Klajdi Ymeri, shfaqja krijoi një univers magjik ku personazhet, humori dhe surprizat e pafundme rrëmbyen vëmendjen e fëmijëve dhe familjeve të pranishme.
Publiku i festivalit përjetoi emocione e të qeshura dhe dhuroi duartrokitje të ngrohta si vlerësim për punën artistike. Festivali “Xinxifilo” vijon të sjellë në Pogradec shfaqje cilësore që ushqejnë imagjinatën, zgjojnë kureshtjen dhe e shndërrojnë artin në një festë të bukur për të gjithë.
Ky aktivitet u mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Pogradec dhe Qendra Multifunksionale Pogradec. A.K./TemA
Lini një Përgjigje