Bashkimi Europian dhe Qeveria shqiptare zhvilluan në Tiranë dy mbledhjet e përvitshme të monitorimit, ku u shqyrtua ecuria e reformave dhe projekteve të financuara nga BE, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe Instrumentit të Para-Anëtarësimit, IPA.
Takimet u fokusuan te zbatimi i Agjendës së Reformave të Shqipërisë, pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky instrument synon të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me Bashkimin Europian, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të përgatisë vendin për anëtarësimin në Tregun e Vetëm të BE-së.
Reformat janë të përqendruara në pesë fusha kryesore, mjedisin e biznesit, kapitalin njerëzor, energjinë, transformimin digjital dhe infrastrukturën, si dhe shtetin e së drejtës. Që prej nisjes së programit në vitin 2024, Shqipëria ka përfunduar 21 nga 41 hapat e reformave në periudhën e parë të raportimit dhe 12 nga 21 hapat në periudhën e dytë.
Mbi këtë bazë, Bashkimi Europian ka disbursuar deri më tani 213 milionë euro në tre këste, nga paketa totale prej 922 milionë eurosh.
Komisioni Europian vlerësoi performancën e Shqipërisë si një nga më të mirat në Ballkanin Perëndimor, por theksoi se ruajtja e ritmit të reformave do të jetë vendimtare për disbursimet e ardhshme dhe për mundësinë e përfitimit të financimeve shtesë. Ndërkohë, në kuadër të IPA-s u shqyrtua zbatimi i rreth 150 projekteve që janë aktualisht në proces dhe që mbështesin reformat e lidhura me anëtarësimin në BE.
Gjatë diskutimeve u mirëprit nisja e projekteve të reja në fusha si antikorrupsioni, mjedisi, qeverisja vendore dhe siguria ushqimore. Po ashtu, janë miratuar 100 milionë euro në kuadër të programit IPA 2025–2027, për reformën në drejtësi, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë.
Jane keto "dhurate" me kushte mbrapa, apo kredi qe duhet it lajme nje dite? Disa qindra milione ketu e disa qindra milion atje. Ku shkojne keto para, se une nuk kam pare ndonje rruge shtruar me parate e BEse, as armatim modern dhene nga BEja. Mos valle keto jane parate e tere seminareve qe zhvilon BEja ne Shqiperi per te na dhene mend, apo e keshilltareve qe vijne ne Shqiperi si turiste e ikin si bisnesmen? Me gjithe keto miljona Shqiperia do te ishte bere..... sic nuk eshte......