TKOB përgatitet për një mbrëmje kushtuar artistit të madh Lukë Kaçaj!

12 Qershor 2026, 16:29Kulturë TEMA
TKOB përgatitet për një mbrëmje kushtuar artistit të

Teatri Kombëtar i Operës e Baletit bëri të ditur se po përgatitet të vërë në skenë një mbrëmje kushtuar artistit të madh shqiptar, bas-baritonit Lukë Kaçaj.

Aktiviteti do të vijë si një homazh për një nga zërat më të fuqishëm të operës shqiptare, por edhe për njeriun që përballoi me dinjitet një jetë të shënjuar nga sfida dhe sakrifica.

Lukë Kaçaj (1924-2001) studioi që i vogël muzikë, pranë fretërve në qytetin e Shkodrës.
Në vitet 1947-1950, punoi në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1953, në festivalin е Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera “Don Karlos” e Verdit, zëri i tij dhe fama u përhapën në të gjithë Evropën. Konkurroi në 1955 në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, ku doli i katërti mes 170 këngëtarëve konkurrues. Në Moskë nisën ta quanin Chaliapin-i shqiptar, duke e krahasuar me Feodor Chaliapin, këngëtari rus i famshëm botërisht për zërin e tij bas, të thellë dhe ekspresiv.

Lukë Kaçaj u kthye në atdhe ku interpretoi mjeshtërisht role nga operat shqiptare dhe botërore. Karriera iu ndërpre në vitin 1973, me burgosje deri në vitin 1978. Pas daljes nga burgu u detyrua të punonte si hamall dhe pas vdekjes iu dha dekorata “Nderi i Kombit”.

Në këtë 25-vjetor të ndarjes nga jeta, TKOB do të rikthejë në kujtesë jo vetëm artistin e jashtëzakonshëm, por edhe historinë njerëzore të një figure që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe artin shqiptar. A.K./TemA

Lini një Përgjigje