Mbahet koncert-konferenca “Nga lira e lashtësisë drejt teatrit lirik” në Akademinë e Shkencave!

12 Qershor 2026, 13:24Kulturë TEMA
Mbahet koncert-konferenca “Nga lira e lashtësisë drejt teatrit

 Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën “Argjiro” dhe Akademinë Ndërkombëtare të Lirës mbajti koncert-konferencën “Nga lira e lashtësisë drejt teatrit lirik”.

Protagonist i mbrëmjes ishte kompozitori dhe studiuesi i asociuar i Akademisë së Athinës, dr. Nikos Xanthoulis, i cili interpretoi një program të pasur, ku u ndërthurën krijime të autorëve antikë me kompozime moderne të frymëzuara nga tradita klasike. Kombinimi i muzikës antike me kompozime baroke e moderne krijoi një urë mes kulturave dhe epokave, duke e bërë koncertin një përvojë të rrallë për publikun shqiptar. Nëpërmjet muzikës, rrëfimit dhe kërkimit shkencor, dr. Xanthoulis solli jo vetëm tingujt e lirës me shtatë tela, por edhe historinë e saj, nga roli në qytetërimin antik deri te ndikimi në traditën e teatrit lirik dhe muzikës së kultivuar evropiane.

Publiku dëgjoi pjesë të rralla si “Choral”, nga “Oresti” i Euripidit (408 p.K.); “Paeani delfik” i Athenaeus (128 p.K.), si dhe “Epitafi i Seikilosit” (shek. II–III e.s.), një nga dëshmitë më të hershme të muzikës së shkruar.

Gjithashtu në program ishin të përfshira krijime të Xanthoulis-it si “Rosa Ritrovata”; “Hear my Prayer” dhe “Honor to Dionysus”.

Aktiviteti u mirëprit si një ngjarje që ndërthur artin me shkencën, duke i dhënë publikut shqiptar mundësinë të prekë nga afër një pjesë të gjallë të trashëgimisë kulturore universale. A.K./TemA

Lini një Përgjigje