Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale çeli ekspozitën “Vazhdimësi”, një ekspozitë e cila ka në qendër artizanatin si art dhe trashëgimi të gjallë.
Ekspozita “Vazhdimësi” i kushtohet artizanatit shqiptar si një nga format më autentike të trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë artistike. Kuratore e ekspozitës është Erilda Selaj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, e cila theksoi se mbështetja ndaj artizanëve shqiptarë do të vazhdojë të jetë një prioritet i institucionit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur tek “Vila 31” deri më 13 qershor. Ky projekt bashkon punimet e një grupi artistësh dhe artizanësh, duke krijuar një dialog mes traditës dhe shprehjes bashkëkohore.
Ekspozita ngre pyetjen themelore se ku ndahet mjeshtëria nga arti, ku fillon njëra e ku mbaron tjetra? Veprat e ekspozuara, ftojnë publikun të kuptojë se arti lind edhe nga përditshmëria, nga puna e heshtur e duarve, nga kujtesa familjare dhe nga teknikat që janë përcjellë brez pas brezi.
Punimet e prezantuara dëshmojnë se, edhe pse motivet dhe format artistike evoluojnë me kohën, mjeshtëria mbetet elementi që garanton vazhdimësinë e identitetit kulturor shqiptar. Artizanët sjellin teknika tradicionale të qëndisjes, punimit të tekstilit dhe materialeve të ndryshme, duke i përshtatur ato me një qasje të re krijuese. A.K./TemA
Lini një Përgjigje