Qeveria maqedonase miratoi sot vënien në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare ”One Stop Shop” me Shqipërinë.
Me këtë përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi me tri shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nuk janë pjesë e zonës Schengen, duke pasur parasysh se ai tashmë funksionon me Serbinë dhe Kosovën.
Për finalizimin e plotë të procesit mbetet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet dy ministrive të Punëve të Brendshme.
Zbatimi i sistemit fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.
”Kjo do të mundësojë kalim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt të kufirit shtetëror, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm frekuenca e udhëtarëve dhe kur në të kaluarën qytetarët shpesh kanë ngritur shqetësime për pritjet e gjata në pikat kufitare”, bëri të ditur në konferencë për media zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Azizi theksoi se nevoja për një zgjidhje të tillë konfirmohet më së miri nga frekuenca e lartë e udhëtarëve në pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë.
Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4 581 724 udhëtarë, prej të cilëve 2 318 080 vetëm në pikën kufitare Qafë Thanë.
Këto shifra e theksojnë rëndësinë e vendosjes së sistemit ”One Stop Shop”, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë dhe më efikas të udhëtarëve, si dhe do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi.
Lini një Përgjigje