Jared dhe Ivanka marrin gjithmonë atë që duan? Jo në Shqipërinë e “revolucionit të flamingove”

16 Qershor 2026, 22:20Bota TEMA
Jared dhe Ivanka marrin gjithmonë atë që duan? Jo në

Nga Arwa Mahdawi, The Guardian

A kanë thënë shqiptarët faleminderit një herë të vetme? Vetëm janë ankuar e ankuar për javë të tëra në rrugët e Tiranës, vetëm e vetëm sepse Ivanka Trump dhe Jared Kushner duan të zhvendosin disa flamingo dhe të shtrojnë me beton e asfalt një rezervë të mbrojtur natyrore për të ndërtuar një resort luksi. Duke gjykuar nga protestat, populli thjesht nuk e kupton se sa vizionarë janë Trumpët dhe Kushnerët dhe as që çifti “Javanka” ishte ai që e zbuloi ishullin e Sazanit. Ishull që thjesht po kalbej në det, derisa Kristofer Kolombët tanë bashkëkohorë e pikasën nga jahti i tyre në vitin 2021 dhe notuan drejt tij për ta eksploruar. “U ngjitëm zbathur në këmbë drejt majës dhe mbetëm pa fjalë,” tregonte Ivanka në podcast-in e David Senra-s në maj.

Ishte kjo deklaratë që duket se e hodhi në erë projektin. Aventurat shqiptare të Kushnerit në tregun e pronave nuk janë diçka e re; qeveria shqiptare i dha Atlantic Incubation Partners, një kompani e lidhur me Kushnerin, statusin e “investitorit strategjik” në vitin 2025, pak pasi Donald Trump kishte fituar zgjedhjet. Por, ndërsa zemërimi vlonte prej disa kohësh, komentet tërësisht pa takt të Ivankas u bënë pika që derdhi gotën. Intervista e saj është cituar si arsyeja e tërheqjes së vëmendjes ndërkombëtare ndaj projektit, duke ndezur në shkallë shumë më të madhe zemërimin lokal. Me sa duket, njerëzit jo gjithmonë e vlerësojnë kur një nepo baby tregon me tone poetike se si ka “zbuluar” ishullin tënd. Në fakt, shqiptarët duken jo entuziastë kur miliarderët duan t’iu marrin ishullin më të madh të vendit, që është pronë publike, për të nxjerrë fitime private.

Zemërimi me planet e Kushnerit ka shkaktuar një të ashtuquajtur “revolucion të flamingove.” Deri në 200.000 njerëz janë mbledhur çdo ditë në rrugë në Shqipëri për më shumë se dy javë tashmë, në atë që është cilësuar si protesta më e amdhe në vend që nga rënia e komunizmit. Agjensia antikorrupsion e vendit ka nisur gjithashtu një hetim ndaj projektit të Kushnerit, për të zbuluar se përse statusi si zonë e mbrojtur e kësaj toke, u zhduk si me magji. Ndërkaq, një raport nga BIRN pretendon se projekti përfshin një rrjet kompanish dhe individësh me të kaluar të dyshimtë. Disa shqiptarë tanimë po bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nëse zemërimi nuk zbehet, mundet që deklaratat pa takt të Ivankës të shenjojnë rastin e parë në histori kur një podcast ka ndihmuar në rrëzimin e një qeverie.

Edhe pse kjo ngjan më tepër me një aspiratë të alrgët: Rama ka deklaruar se nuk do të dorëhiqet dhe po shfaqet shumë Trumpian në qasjen e tij ndaj kritikave. Të premten, ai i tha MS NOW (ish MSNBC) se askujt nuk i plas për flamingot budallaqe habitati i të cilave rrezikohet dhe shpërfilli kritikat ndaj projektit të Kushnerit si “gjepura ideologjike.” Ai akuzoi gjithashtu se ka njerëz që po e përdorin Shqipërinë për të sulmuar administratën Trump. “Doni të besoj se papritur media amerikane… bota amerikane është shqetësuar për disa flamingo në Shqipëri?” u ankua Rama.

Por njerëzit nuk janë të shqetësuar vetëm për flamingot apo jo? Shqipëria është larg të qenit vendi i vetëm që përballet me miliarderë dhe kolonizatorë të fshehtë, të cilët duket se e shohin botën si diçka që mund të blihet dhe zhvatet. Investitori belg i kriptove, Olivier Janssens, për shembull, është përpjekur të ndërtojë një parajsë libertare të quajtur “Destiny” në ishullin Nevis, ku planifikon të ketë edhe sistemin e vet gjyqësor. Pastaj vjen “Prospera”, një qytet privat në Honduras, i mbështetur nga Peter Thiel, me ligjet dhe forcën e vet policore. Dhe, sigurisht është Gaza, që është rrënuar plotësisht dhe është gati për t’u kthyer në pronën “shumë të çmuar” bregdetare për të cilën Kushnerit ka kohë që i lëshon goja lëng. Gaza mbetet akoma në një limbo tmerri, por një plan që qarkulloi nga Trump dhe miqtë e tij, planifikonte një rizhvendosje “vullnetare” të të gjithë popullsisë palestineze, si edhe krijimin e qyteteve të zgjuara të fuqizuara nga AI. Ndërsa vjet, siç u raportua, një sërë investitorësh të teknologjisë nga Silicon Valley ishin të paduruar që Trump ta pushtonte Groenlandën dhe ta transformonte atë në një “qytet lirie” sipas vizionit libertarian.

Ndërsa hyjmë në një epokë të re trilionerësh, ku një grusht njerëzish kanë më shumë burime se shumë shtete, nuk jam e sigurtë nëse është hiperbolike të thuhet se gjendemi përpara fundit të shteteve kombe. Pa “revolucione flamingosh” në rang global, do të shohim gjithnjë e më shpesh marrje tokash që paraqiten si mendime vizionare. “Ngjan më tepër si një sfidë,” thoshte Ivanka gjatë intervistës në podcast në lidhje me resortin e saj shqiptar. “Kulmimi i gjithë përvojës time në tregun e pronave të paluajtshme, gjithë udhëtimeve të mia, reflektim në lidhje me mënyrën se si dua të jetoj, si mendoj se njerëzit duan gjithnjë e më shumë të jetojnë…” Unë nuk mund të flas për “popullin,” por Ivanka, lejomë të të them si dua unë të jetoj. Në paqe, në një demokraci ku nuk do më duhet të dëgjoj më kurrë mbiemrat Trump dhe Kushner.

4 Komente

  1. L
    Liu

    Aman Mero mos na hap barkun me Guardian se ka rrëshkitur me majtas se Zeri i Popullit. 200 mije protestues thote ...si ajo puna e Enverit qe thoshte jemi 1 miliarde e 3 milione shqiptare Bashke me shoket kinezë

    Përgjigjjuni
    1. a
      a.a

      kush po protesston? arabet? po shoh ne foto gra te mbuluara.... ka te drejte te protestoje ky lloj? kane dale aty mes burrave pa lejen e burrit apo babait? ????

      Përgjigjjuni
      1. I
        IDEALI

        NE KOHEN E LUFTES ME ITALIANET NE NJE FSHAT TE ZONES U RAPORTUA NGA FORCAT ITALIANE SE JEMI NE NJE FSHAT ME 300 BANORE,NE SHTABI E LUFTES U VAJTI 3OO DHE NE ROME 300000,DHE KJO E GUARDIAN KESHTU ESHTE,NGA 2000 SHKOJ ME AI 200000.

        Përgjigjjuni
        1. F
          F

          36 vjet Shiqiperi qe Vampirat e Politikes po i pijne gjakun ketij Vendi dhe Populli !!! Gjithe fabrikat dhe uzinat i prishen dhe i cuan per skrap. Gjithe pasurite nentokesore i kane dhene me Koncesion. Te kesh nafte dhe ta paguash me shtrenjte se ne Gjermani dicka nuk shkon. Ushtrine e cuan per skrap, armet i shiten dhe mburren me 6 Helikoptere dhe 2 drone qe kemi. Mos flasim per Shkollen e Marines dhe Aviacionit. 97, Gerdeci, 21 Janari dhe prape su ndodhe gje. Dhe tani u erdhi radha dhe zonave te mbrojtura, maleve, lumenjve se jane te pangopur. ROBTE KU TI KENI!!!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje

          Blog Tema