Tensionet mes Zvicrës dhe Francës janë rritur për shkak të kostove të mëdha që po përballon Gjeneva gjatë zhvillimit të samitit G7 në Evian, në brigjet e Liqenit të Gjenevës.
Edhe pse samiti zhvillohet në territorin francez, shumë nga operacionet logjistike dhe të sigurisë mbështeten nga autoritetet zvicerane. Aeroporti i vetëm i përdorur nga liderët botërorë është ai i Gjenevës, ku së fundmi u ul edhe avioni presidencial amerikan Air Force One me presidentin amerikan në bord.
Për autoritetet e Gjenevës, organizimi i samiteve të tilla pranë kufirit sjell kosto të konsiderueshme, veçanërisht për masat e sigurisë dhe menaxhimin e protestave që zakonisht shoqërojnë takime të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Fundjavën e kaluar, pavarësisht angazhimit të rreth 4 mijë ushtarëve dhe forcave policore, u regjistruan incidente të dhunshme. Protestuesit dogjën një automjet Tesla dhe disa kontejnerë mbeturinash, ndërsa u dëmtuan edhe vitrinat e disa bizneseve.
Politikanët e Gjenevës argumentojnë se qyteti po mban një barrë të padrejtë financiare për një aktivitet që zhvillohet në Francë. Për këtë arsye, ministri zviceran i Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, i ka dërguar një letër presidentit francez Emmanuel Macron, duke kërkuar diskutime për ndarjen e kostove.
Sipas raportimeve të mediave zvicerane, Parisi nuk ka treguar gatishmëri për të marrë përsipër një pjesë të shpenzimeve. Cassis deklaroi se çështja e kompensimit financiar do të shtrohet vetëm në rast se evidentohen dëme të konsiderueshme.
Megjithatë, deputeti federal zviceran Roger Golay kërkon një qëndrim më të ashpër ndaj Francës.
“Franca duhet të bëjë një gjest. Na ka transferuar problemet dhe tani duhet të kontribuojë financiarisht”, deklaroi ai.
Madje disa politikanë zviceranë kanë hedhur idenë që Zvicra të mbajë një pjesë të taksave të punëtorëve ndërkufitarë që transferohen çdo vit në Francë. Vetëm gjatë këtij viti, kjo shumë pritet të arrijë në rreth 411 milionë franga zvicerane.
Sipas tyre, këto fonde mund të konsiderohen si kontributi francez për kostot që Zvicra po përballon në kuadër të sigurisë dhe logjistikës së samitit G7 në Evian.
Lini një Përgjigje