Legjenda e rockut, Rod Stewart, është vënë në qendër të kritikave nga fansat pasi anuloi një koncert vetëm 40 minuta para fillimit, ndërsa një ditë më vonë u pa duke ndjekur një ndeshje futbolli.
Këngëtari 81-vjeçar kishte planifikuar të performonte në San Diego të Kalifornisë, por njoftoi në momentet e fundit se ishte detyruar të anulonte koncertin për shkak të një infeksioni të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe laringjitit.
Stewart u kërkoi falje fansave për situatën, duke premtuar se koncerti do të riplanifikohej në një datë tjetër.
Megjithatë, polemikat nisën kur artisti publikoi një video nga avioni i tij privat, teksa udhëtonte drejt Bostonit për të ndjekur ndeshjen e Skocisë në Kupën e Botës së Klubeve, i shoqëruar nga djemtë e tij.
Pamjet e treguan Stewart në humor të mirë, duke bërë tifo nga tribunat, çka shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Shumë fansa vunë në dyshim gjendjen e tij shëndetësore, duke pyetur se si mund të udhëtonte dhe të merrte pjesë në një aktivitet sportiv, ndërkohë që një natë më parë kishte deklaruar se nuk ishte në gjendje të ngjitej në skenë.
Përfaqësuesi i këngëtarit mbrojti artistin, duke sqaruar se Stewart kishte qenë realisht i sëmurë dhe kishte marrë trajtime intensive me steroide në përpjekje për të realizuar koncertin. Sipas tij, gjendja e zërit të artistit ishte përmirësuar vetëm pasi koncerti ishte anuluar.
Pavarësisht shpjegimeve, debati mes fansave vazhdon në rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje