Një mace u fut në skenë gjatë një shfaqjeje, në Turqi, të baletit “Romeo dhe Zhuljeta” nga Imperial Russian Ballet, mu në momentin kulminant kur Zhuljeta vajton mbi trupin pa jetë të Romeos.
https://www.facebook.com/share/r/1CsCeiNts9/
Klipi po bën xhiron e rrjeteve sociale, dhe jo vetëm ngaqë përdoruesve u pëlqen të argëtohen me video macesh.
Unë pashë aty një përplasje – sado të stilizuar – mes dy semantikave të foljes LUAJ: sepse të dyja palët, edhe balerinët edhe vizitorja e paftuar, këtë po bënin – po LUANIN. Të parët duke LUAJTUR “teatër” për publikun, nëpërmjet simulimit koreografik; e dyta, macja, duke LUAJTUR me flokët e Romeos, si për të shtensionuar ankthin nga pamja e një njeriu të shtrirë përdhé.
Përkufizimi i LOJËS të maces, dhe në atë kuptim edhe të njeriut, i ka intriguar filozofët dhe vazhdon t’i intrigojë.
Nuk ka ndonjë dallim kategorik mes çfarë bën macja, kur bën sikur “përleshet” me një lodër a gjësend tjetër në dysheme, dhe asaj çfarë bëjnë dy fëmijë, kur luajnë nëntësh ose me peta.
Në të dy herët, bëhet fjalë për një simulim, ku lojtarët mësojnë teknikat dhe psikologjinë e konfliktit.
Loja në skenë ose interpretimi është diçka tjetër; simulim edhe ai, por njëherazi edhe riprodhim i një kodi narrativ (ku po fut edhe partiturën, për të mos lënë jashtë muzikantin që LUAN në piano).
E veçanta e incidentit më lart, është se macja që LUAN me flokët e aktorit nuk mund ta kuptojë, që është futur në një LOJË tjetër, të aktorëve (balerinëve) para një publiku në errësirë.
Nuk e di çfarë është skena, ose më mirë, nuk del kurrë nga skena e botës.
Edhe pse gjithnjë mund të ketë, në lojën e saj, një element performativ, të lojës “për tjetrin”, nëse macja e ndien që veprimet e saj ndihmojnë në marrëdhëniet me njerëzit.
Etologët – që studiojnë sjelljen e kafshëve – e kanë shpjeguar që shumë lojëra si këto të maces janë simulime të një sjelljeje që më pas do të jetë kritike për mbijetesën e saj dhe të species (në natyrë): kapjen e minjve dhe të zogjve.
Shumë nga ne do ta kenë parë një mace “nënë” duke u mësuar koteleve të veta si të GJUAJNË: një tjetër aktivitet kyç.
GJAHU i ka disa ngjashmëri me KONFLIKTIN, por një kafshë e shëndetshme dhe e çlodhur do të gjuajë edhe për kënaqësinë e vet – duke e realizuar veten pikërisht te lëvizjet që bën për ta kapur prenë.
Në lojërat tona, prej njeriu, i bëjmë bashkë simulimet e GJAHUT dhe të KONFLIKTIT.
Përkundrazi, artin skenik do ta shihja si një simulim që na përgatit për jetën sociale, për shembull duke riprodhuar rrëfimet mitike dhe komunitare.
Romeo dhe Zhuljeta, si rrëfim i nxjerrë nga një tragjedi shekspiriane dhe i përshtatur për balet, na trajnon për dilemat emocionale dhe konfliktet shpirtërore që i përjetojmë edhe gjetiu.
E veçanta në këtë situatë, që është edhe çfarë e dallon njeriun nga një kafshë sado inteligjente, është integrimi i një incidenti – si ky me macen – në spektakël. I njëjti publik që po ndiqte baletin, filloi të zbavitej, në një rrafsh paralel, me të papriturën e një maceje në skenën finale.
Duke shijuar komicitetin e kontaktit mes dy ngjarjeve – ajo e aktorëve që simulojnë protagonistët e dramës dhe ajo e maces që futet të luajë me flokët e aktorit të shtrirë përdhé – të cilat bëhen bashkë në të njëjtën hapësirë, por mbeten secila e izoluar në botën e vet.
Ky kontakt komik nuk mund të ndodhë veçse para publikut.
Incidenti ka përfunduar tani në një videoklip që riprodhohet me miliona herë, në mediat sociale; një fat që vetë shfaqja e baletit as që do ta ëndërronte. Dhe jo vetëm ngaqë përdoruesit e mediave sociale nuk kanë nge për të ndjekur një balet sado të famshëm; por ngaqë vetë lloji i incidentit e bën këtë ideal për të qarkulluar si klip.
Një diçka e papritur, një thyerje e befasishme e normalitetit, që nuk shoqërohet me viktima.
Spektakli tashmë i dyfishtë, i një maceje që trazon një shfaqje baleti dhe çrregullon përjetimin nga publiku në sallë, i jepet një publiku të dytë, i cili trazime të tilla i pret të ndodhin dhe i shijon.
Në mënyrën e vet, edhe publiku në rrjetet sociale LUAN, duke u kushtuar kohë argëtuese këtyre klipeve.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Bravo . Sigurisht eshte per ata qe kane IPhone 17 , BMW dhe punojne ne kafe