Moikom Zeqo ishte poet, studiues, arkeolog, politikan dhe artist. Ai lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit dhe u nda nga jeta më 15 qershor 2020 në Tiranë. Familja e tij ishte me origjinë nga Libohova, ku kreu arsimin fillor.
Në vitin 1967 nisi studimet në Fakultetin Histori-Filologji dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar në gazetën “Drita”, ndërsa më 1974-1976 si mësues në Rrogozhinë. Nga viti 1979 deri më 1987 ishte punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ndërsa më 1987-1990 specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.
Nga 31 janar deri më 10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit mori portofolin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vitet 1991 dhe 1992 u zgjodh deputet i PS-së, duke shërbyer deri në vitin 1996. Nga 1997 deri më 2005 drejtoi Muzeun Historik Kombëtar. Moikom Zeqo mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Ai është autor i 62 librave në prozë dhe poezi, studime arkeologjike e historike, si dhe i një numri skenarësh për filma kinematografikë e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka fituar disa herë çmime të para për librat e tij. Krijimet e Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto dhe gjermanisht. Në pjesën më të madhe të veprës së tij ai ndërthurte kulturën e lashtë me modernitetin, duke e bërë krijimtarinë e tij një urë mes traditës dhe vizionit bashkëkohor.
Është gjithashtu autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë, shkruan Akademia.
Kujtimi i Moikom Zeqos lidhet ngushtë me pasionin për identitetin shqiptar dhe me përpjekjen e pandalur për ta bërë kulturën tonë pjesë të dialogut botëror. Në këtë ditë përkujtimore e nderojmë me respekt dhe mirënjohje, si një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kulturës shqiptare.
A.K./TemA
Nderim dhe respekt!
Shkenca primitif, asnjē fizikant, kimist, ekonomist., nuk ka marrē çmim nobel, me pērjashtim tē nēnē teresës pēr paqe ( ku u hodh poshtē nga Israeli duke thēnē qē shoqata Teresa ēshtē distributore dhe jo prodhuese.Ishte dhe Kadare kandidat pēr letērsin qē u hodhēn posht shkrimet e Gjirokastritit tē ndjerē.