Zbulime të reja arkeologjike në Vlorë!

15 Qershor 2026, 09:13Kulturë TEMA
Zbulime të reja arkeologjike në Vlorë!

Gërmimet arkeologjike të zhvilluara gjatë muajit maj kanë sjellë zbulime të reja të rëndësishme për historinë e qytetit antik.

Arkeologët kanë evidentuar fortifikimin e pjesës së poshtme të qytetit, përfshirë edhe zonën e agorasë antike, e cila më herët mendohej se kishte qenë e pafortifikuar. Punimet, të realizuara në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kanë zbuluar vazhdimësinë e murit mbrojtës, si dhe mbetjet e ndërtesave që ndodheshin brenda tij. Gjurmët e shkatërrimit të këtyre strukturave datojnë në shekullin e pestë pas Krishtit dhe lidhen me periudha konfliktesh.

Kriledjan Çipa, arkeolog shprehet: “Një tjetër zbulim me interes është identifikimi i mundshëm i një kulle, pjesë e sistemit fortifikues të qytetit. Gërmimet e ardhshme pritet të konfirmojnë funksionin dhe përmasat e saj”.

Në pjesën lindore të sitit janë zbuluar edhe mbetjet e një ndërtese monumentale, e cila mendohet të ketë pasur funksione ekonomike ose të lidhura me transportin dhe tregtinë.

Arkeologët planifikojnë zgjerimin e kërkimeve në zonën e akropolit dhe pranë stadiumit antik, ku dyshohet për praninë e strukturave të tjera publike.

Sipas tyre, rezultatet e deritanishme po hedhin dritë të re mbi organizimin urban dhe sistemin mbrojtës të qytetit antik, ndërkohë që Amantia është një atraksion edhe për turistët. A.K./TemA

1 Komente

  1. P
    Ploça

    Është vërtetë skandaloze të titullosh një shkrim se zbulimet arkeologjike u gjetën në Vlorë, kur ato i përkasin Amantias, fiks 34 kilometra në juglindje të qytetit të madh!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje