Nga Eduard Zaloshnja
Jo pak shqiptarë mund të kenë vënë bast mental (ose konkret) se protestat që morën shkas nga përplasja e dhunshme e disa rojeve private me disa protestues në Zvërnec, nuk do të zgjasnin shumë në bulevardin e Tiranës. Por pas 18 ditësh, protestat e kanë fituar bastin – ato vazhdojnë…
Bazuar në shuarjen graduale të protestave periodike berishiane, që filluan me shumë pjesëmarrës në janar e që përfunduan me vetëm një mijë protestues më 11 maj, si dhe në afrimin e Kampionatit Botëror e të sezonit të plazhit, ata që vunë bast për shuarjen e protestave aktuale nuk mund të paragjykohen – tek e fundit, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë tonë që 18 ditë rresht të protestonin shumë njerëz në bulevard.
Duke e quajtur të mbyllur bastin e vazhdimësisë, le të diskutojmë për madhësinë e protestave.
Sipas Sali Berishës, numri maksimal i protestuesve ka qenë 200 mijë. Sipas senatorit neomarksist amerikan Bernie Sanders, ka qenë 100 mijë. Sipas Edi Ramës ka qenë 8 mijë.
Nuk do t’i futem analizave numerike të fotove të marra me dron nga lart, apo të sondazheve që kam kryer, por thjesht do të diskutoj më poshtë bazuar në shikimin vizual që u kam bërë protestave nga afër pas perëndimit të diellit (kur vapa bie).
Në shumicën dërrmuese të tyre, protestuesit kanë qenë të grumbulluar nga shkallët e kryeministrisë deri te fundi i Kullës Binjake veriore. Vetëm më 10 qershor, trupa e protestës arriti deri tek fillimi i ish-Hotel Dajtit.
Kuptohet që protestuesit asnjëherë nuk kanë qenë të ngjeshur 4 në 1 metër katror në gjatësinë e trupës së protestës – imagjinoni 4 veta të ngjeshur si sardele në një ashensor 1 metër katror! Por me atë dendësi mesatare që kanë patur, po ta kishin mbushur bulevardin nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut, do të arrinin numrin 85 mijë. Dhe në qoftë se 85 mijë protestues do të qëndronin atje ditë e natë, ndoshta do ta kishin realizuar objektivin e tyre kryesor – dorëheqjen e Ramës.
Kaq për anën sasiore të protestave aktuale.
Për anën cilësore të protestave, thjesht dëgjoni fjalimet e atyre që kapin mikrofonin çdo 3 minuta në podiumin e improvizuar të protestës…