"Ligji i dashurise: per te vdekurit

17 Qershor 2026, 19:56Blog TEMA
"Ligji i dashurise: per te vdekurit

 

Nga Feti ZENELI

 

Romani “Ligji i dashurisë” i shkrimtares meksikane Laura Esquivel nuk është thjesht një histori dashurie në kuptimin tradicional të fjalës. Ai është një udhëtim filozofik dhe shpirtëror, ku autorja përpiqet të japë një përgjigje për disa nga pyetjet më të vjetra të njerëzimit: Çfarë e lidh njeriun me universin? A ka kufij dashuria? A mbaron ekzistenca me fundin e jetës tokësore?

Përmes një rrëfimi që ndërthur fantazinë, elementet mistike, besimet e lashta dhe botën futuriste, Laura Esquivel ndërton një univers artistik të pazakontë, ku njeriu paraqitet si një qenie energjie, e cila mbart në vetvete jo vetëm historinë personale, por edhe jehonën e shumë brezave që e kanë paraprirë.

Në qendër të veprës qëndron ideja se çdo veprim, çdo emocion dhe çdo lidhje njerëzore lë gjurmë që nuk zhduken kurrë plotësisht. Autorja duket sikur sfidon konceptin linear të kohës. E shkuara nuk mbetet pas, e tashmja nuk është një moment i izoluar dhe e ardhmja nuk ndërtohet në boshllëk. Të tria bashkëjetojnë në një marrëdhënie të pandashme.

Pikërisht në këtë kontekst merr kuptim edhe thënia e njohur: “Të vdekurit vdesin kur harrohen”. Kjo nuk duhet kuptuar vetëm si një shprehje sentimentale, por si një reflektim i thellë antropologjik dhe kulturor. Qenia njerëzore është krijuar për të ndërtuar vazhdimësi. Asnjë individ nuk jeton vetëm për veten e tij; secili bëhet hallkë e një zinxhiri të madh marrëdhëniesh që shtrihet përtej kufijve të një jete të vetme.

Një nga meritat më të mëdha të autores është se ajo e zhvendos vëmendjen nga ideja e humbjes drejt idesë së transformimit. Vdekja nuk paraqitet si një fund absolut, por si një kalim nga një formë e pranisë në një tjetër. Njerëzit largohen fizikisht, por ndikimi i tyre vazhdon të qarkullojë në jetën e atyre që mbeten.

Vdekja fizike është një ligj i natyrës, i pashmangshëm për çdo qenie njerëzore, por ekziston edhe një vdekje tjetër, më e heshtur dhe më e dhimbshme, ajo që ndodh në kujtesën e të gjallëve. Njeriu nuk zhduket plotësisht kur mbyll sytë për herë të fundit; ai zhduket vetëm atëherë kur emri i tij nuk përmendet më, kur kujtimet treten në harresë dhe kur askush nuk ruan më gjurmët e jetës që ai ka lënë pas.

Në thelb, ky është edhe “ligji i dashurisë” për të vdekurit: dashuria nuk përfundon me ndarjen nga jeta, por vazhdon të jetojë përmes kujtesës, respektit, mirënjohjes dhe përkushtimit të brezave pasardhës. Në këtë kuptim, kujtesa bëhet një formë e shenjtë e dashurisë, ndërsa harresa shndërrohet në një vdekje të dytë.

Filozofi romak Ciceron shprehej: “Jeta e të vdekurve vendoset në kujtesën e të gjallëve.” Në këtë fjali të thjeshtë fshihet një urtësi e madhe njerëzore. Asnjë monument prej guri, asnjë pasuri materiale dhe asnjë pushtet nuk mund ta sfidojnë kohën nëse mungon kujtesa njerëzore. Janë pikërisht zemrat dhe mendjet e brezave pasardhës që u japin pavdekësi njerëzve që kanë jetuar para nesh.

Shoqëria shqiptare, veçanërisht në komunitetet tradicionale, ka ndërtuar gjatë shekujve një kulturë të fortë të respektit për të parët. Familja, fisi, vendlindja dhe përkatësia komunitare kanë qenë gjithmonë ura që lidhin të kaluarën me të tashmen. Kjo trashëgimi nuk është ruajtur vetëm në libra apo dokumente historike, por, mbi të gjitha, nëpërmjet riteve të kujtesës, kujdesit për varret, rrëfimeve familjare dhe respektit të vazhdueshëm ndaj figurave që kanë lënë gjurmë në jetën e komunitetit.

Në traditën shqiptare, të kujtosh të vdekurit nuk është thjesht një detyrim ceremonial, por një akt i thellë njerëzor dhe moral. Nderimi i tyre është një formë mirënjohjeje për gjithçka që ata kanë ndërtuar, sakrifikuar dhe trashëguar. Në fund të fundit, identiteti i një populli nuk ndërtohet vetëm mbi atë që ai është sot, por edhe mbi atë që ka qenë dje.

“Dashuria nuk konsiston në shikimin e njëri-tjetrit, por në shikimin së bashku në të njëjtin drejtim”, këshillon shkrimtari francez Antoine de Saint-Exupery. Kjo thënie merr një kuptim edhe më të thellë kur flasim për marrëdhënien mes brezave. Edhe pse të ndarë nga koha, të gjallët dhe të vdekurit vazhdojnë të ecin në të njëjtin drejtim përmes trashëgimisë shpirtërore që i bashkon.

Një shembull i bukur i kësaj filozofie të jetës gjendet në komunitetin e Selckës së Madhe në Tepelenë, ku ruajtja e kujtesës për të parët vazhdon të mbetet një nga vlerat më të çmuara të trashëguara ndër breza. Në këtë komunitet, të vdekurit nuk konsiderohen si figura të largëta të së kaluarës, por si pjesë e pandashme e identitetit kolektiv.

Rasti më domethënës në këtë drejtim është ai i Sali Xhafajt, nipit të Xhelalit, njërit prej personaliteteve më të njohura të Selckës në fillim të shekullit XX. Xhelali, i cili mbante detyrën e kryeplakut të fshatit, mishëronte virtytet e drejtësisë, urtësisë dhe përgjegjësisë qytetare. Ai nuk u përkul përballë kërcënimeve dhe as nuk hoqi dorë nga parimet e tij, duke mbrojtur deri në fund detyrën dhe dinjitetin që i ishte besuar nga bashkëfshatarët për të mos dorëzuar vulën në duarë njerëzish hakmarrës.

Megjithëse jeta e tij u ndërpre tragjikisht nga një atentat i pabesë, kujtimi i tij nuk u shua. Pothuajse një shekull më vonë, rreth vitit 2008, nipi i tij ndërmori një akt me peshë të jashtëzakonshme morale dhe simbolike. Ai zhvarrosi eshtrat e gjyshit që ndodheshin në fshatin fqinj Selckë e Vogël dhe i riktheu në vendlindjen e tij - Selckë e Madhe, pranë varreve të fisit, te Fiku i Bardhë. Ky veprim nuk ishte thjesht një transferim fizik i eshtrave, por një rikthim i figurës së tij në gjirin e familjes dhe të komunitetit, një rivendosje e dinjitetit historik dhe një dëshmi e qartë se koha nuk kishte arritur ta fshinte kujtesën.

Ky gjest përfaqëson në mënyrën më të bukur “ligjin e dashurisë” për të vdekurit. Ai dëshmon se dashuria e vërtetë nuk matet me praninë fizike, por me përkushtimin që vazhdon edhe kur njeriu nuk është më midis nesh. Në këtë rast, nipi nuk nderoi vetëm gjyshin e tij, por edhe historinë e një komuniteti të tërë.

Po aq domethënës është edhe shembulli i Leonard Çaushit. Edhe pse jeton larg vendlindjes, ai ka ruajtur të paprekur lidhjen shpirtërore me familjen dhe traditën. Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të xhaxhait të tij, Rushan Çaushi, ai së bashku me kushëririn e tij, Ylli Çaushi, morën përsipër detyrimet që tradicionalisht i takojnë djalit të familjes. Por duke qenë se xhaxhai i tyre kishte dy vajza, ata organizuan ceremonitë përkujtimore dhe përballuan financiarisht të gjitha detyrimet që lidhen me nderimin e të ndjerit.

Një gjest i tillë fisnik përçon një mesazh të rëndësishëm: lidhjet familjare nuk përcaktohen vetëm nga afërsia e gjakut, por edhe nga madhështia e ndjenjës së përgjegjësisë. Në një kohë kur shumë tradita po zbehen, veprime të tilla shërbejnë si shembuj frymëzues për brezat e rinj.

Filozofi kinez Konfuci shprehej: “Të respektosh të vdekurit dhe t’i mbash ata larg harresës është shenja e një shoqërie të qytetëruar”. Në të vërtetë, niveli i qytetërimit të një komuniteti nuk matet vetëm me zhvillimin ekonomik apo teknologjik, por edhe me mënyrën se si ai ruan kujtesën e njerëzve që kanë kontribuar në ndërtimin e tij.

Sot jetojmë në një kohë kur ritmet e shpejta të jetës moderne, emigracioni, teknologjia dhe individualizmi po ndryshojnë shumë zakone tradicionale. Distancat gjeografike janë shtuar, ndërsa koha që i kushtohet trashëgimisë familjare shpesh është pakësuar. Megjithatë, pikërisht në këtë realitet bëhet edhe më e rëndësishme ruajtja e lidhjeve me të kaluarën.

Harresa është armiku më i madh i identitetit njerëzor. Një familje që harron historinë e saj humbet një pjesë të vetvetes. Një komunitet që nuk kujton sakrificat e të parëve humbet busullën morale që e ka udhëhequr për breza me radhë. Ndërsa një popull që shkëputet nga rrënjët e veta rrezikon të humbasë vetëdijen historike.

Prandaj, kujtesa nuk duhet parë si një akt nostalgjie, por si një detyrë qytetare dhe morale. Të kujtosh do të thotë të edukosh brezat e rinj me respekt, mirënjohje dhe ndjenjë përkatësie. Të kujtosh do të thotë të ruash vazhdimësinë e jetës përtej kufijve biologjikë të ekzistencës.

Shkrimtari kolumbian Gabriel Garsia Markez ka shkruar: “Njerëzit nuk vdesin kur duhet, por kur mundin”. Në një kuptim të thellë filozofik, kjo do të thotë se njeriu vazhdon të jetojë për aq kohë sa ekziston dikush që e kujton, e përmend, e nderon dhe e do.

Pikërisht këtu qëndron madhështia e “ligjit të dashurisë” për të vdekurit. Dashuria e vërtetë nuk ndërpritet nga vdekja; ajo transformohet në kujtesë, në mirënjohje dhe në përgjegjësi morale. Të vdekurit vazhdojnë të jetojnë në rrëfimet që tregohen në familje, në fotografitë e ruajtura me kujdes, në varret e mirëmbajtura, në emrat që trashëgohen brez pas brezi dhe në veprat e mira që vazhdojnë të frymëzojnë.

Në fund, njeriu nuk kërkon pavdekësinë biologjike, sepse ajo është e pamundur. Pavdekësia e tij e vetme është dashuria që arrin të mbjellë në zemrat e të tjerëve. Për sa kohë që ekzistojnë njerëz që përkulen me respekt para kujtimit të të parëve, që ruajnë historinë dhe që edukojnë brezat e rinj me vlerat e mirënjohjes, të vdekurit nuk vdesin kurrë.

Sepse, në fund të fundit, kujtesa është forma më fisnike e pavdekësisë që njeriu mund t’i dhurojë njeriut, ndërsa dashuria është ligji i përjetshëm që i mban të gjallë ata që nuk jetojnë më fizikisht mes nesh.

 

Lini një Përgjigje