Nga Roland Lami
Propozimi për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit, i shoqëruar me thirrje për “bashkim të gjerë” parlamentar, paraqitet si një nismë serioze institucionale, por në fakt është një shaka e madhe. Mjafton të kuptosh kufizimet e përcaktuara në nenin 105 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar në vitin 2008.
Propozimi në fjalë nxjerr në pah paradoksin mes mundësisë për të ushtruar një instrument kushtetuese dhe pamundësisë në realitet për të prodhuar rezultat. Kjo pasi Neni 105, i ndryshuar në vitin 2008, nuk parashikon shkarkimin e Kryeministrit si një akt të veçantë dhe të pavarur. Ai e kushtëzon mocionin e mosbesimit me zgjedhjen në të njëjtin votim të një Kryeministri të ri, me shumicën e të gjithë deputetëve. Kjo do të thotë se Kryeministri në detyrë nuk mund të rrëzohet i vetëm, largimi i tij është i vlefshëm vetëm nëse në të njëjtin moment ekziston shumica parlamentare për një Kryeministër tjetër.
Kjo do të thotë se nuk ekziston mundësia për një votë thjesht kundër Kryeministrit. Çdo tentativë për rrëzim shoqërohet domosdoshmërisht me zgjedhjen e një Kryeministri të ri. Prandaj, ajo që në diskurs politik paraqitet si nisje e një procesi shkarkimi, në nivel kushtetues është një mekanizëm i mbyllur, që aktivizohet vetëm nëse ekziston paraprakisht një shumicë e gatshme për të zgjedhur menjëherë një drejtues të ri të qeverisjes.
Kështu që, gjithçka mbetet një deklaratë për konsum politik, e paraqitur si sfidë institucionale, por pa asnjë efekt real përtej komunikimit publik. Ajo funksionon më shumë si sinjal politik sesa si mekanizëm ndryshimi, duke u mbështetur në idenë se vetë akti i deklarimit mjafton për të krijuar përshtypjen e lëvizjes edhe kur rregulli kushtetues nuk e lejon një rezultat të tillë pa kushte që w mundësojnë atë. Në këtë kuptim, qëllimi nuk është aktivizimi i instrumentit, por krijimin e perceptimit se opozita po lëviz.
Në fund, gjithçka kthehet në një skenë të njohur politike ku nisma paraqitet me seriozitet të plotë, por lexohet nga të gjithë si një lëvizje që nuk pritet të ndryshojë asgjë. Opozita e luan sikur po vë në lëvizje një mekanizëm real shkarkimi, ndërsa publiku dhe vetë aktorët politikë e kuptojnë se kufijtë e rregullit e kanë mbyllur rezultatin përpara se të nisë debati. Kështu krijohet një lloj dakordësie e pashprehur ku ideatori bën sikur po bën një lëvizje dhe publiku sikur po e beson ndërkohë në shesh vazhdon sllogani Rama dhe Berisha ik.
PD s'ka as kohē as zemēr tē rikthehet nē pushtet.Dhe ajo mēnir e vetme pakēnaqēdie me protesta kombetare e foltore, ju rrēmbye nga aktivistēt e shoqēris civile.Tani nē burg se mundesh.