12 ditë nga zhdukja e Eglant Koçit, policia në kërkim të autorit! Shakaj dyshohet se ka ndryshuar pamjen

16 Qershor 2026, 21:01Kronika TEMA
12 ditë nga zhdukja e Eglant Koçit, policia në kërkim

Prej 12 ditësh, 34-vjeçari Eglant Koçi vijon të jetë i zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Bazuar në provat e mbledhura, Policia e Tiranës, pak ditë pas zhdukjes së të riut, deklaroi se Koçi dyshohet se është eliminuar fizikisht nga miku i tij, 41-vjeçari Armand Shakaj.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë, Armand Shakaj, vijon të jetë në kërkim, ndërsa për arrestimin e tij është angazhuar jo vetëm Policia e Tiranës, por edhe struktura të tjera policore. Kërkimet janë shtrirë në të gjithë vendin, ku po zhvillohet një punë intensive hetimore me metoda speciale, me qëllim vënien në pranga të 41-vjeçarit.

Arrestimi i tij do t’i hapte rrugë edhe gjetjes së trupit të Eglant Koçit, i cili dyshohet se është fshehur nga Shakaj në periferi të Tiranës. Edhe pse policia ka kryer kontrolle të shumta në fshatra, qytete, terrene malore dhe zona të pyllëzuara, trupi i 34-vjeçarit ende nuk është gjetur.

Sipas burimeve policore, Armand Shakaj vijon të fshihet brenda territorit të vendit dhe ka ndryshuar pothuajse tërësisht pamjen e tij për të shmangur identifikimin. Burimet bëjnë me dije se ai ka prerë flokët, ka hequr mjekrën dhe përdor forma të ndryshme maskimi gjatë lëvizjeve për të mos u pikasur nga policia.

Po ashtu, hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai mban kontakte me persona të afërt, të cilët mund ta ndihmojnë të fshihet. Ai ka ndryshuar jo vetëm numrin e telefonit, por edhe aparatin celular, me qëllim që të mos lokalizohet nga policia përmes IMEI-t të pajisjes.

41-vjeçari dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm në fushën e call center-ave dhe zotëronte karta SIM me numra të huaj, të cilat dyshohet se mund t’i përdorë për të shmangur gjurmimin nga policia.

2 Komente

  1. D
    Duel nē familje

    Nē raste tē tilla nuk duhet tē shihet i majtē apo i djathtē nga anketuesit ,si te viktima apo eleminuesit.Fuqia ligjit tē ushtrohet nē ta.

    Përgjigjjuni
    1. Q
      Qako

      Të konttollohen gjithë vrimat e të jatit, Luan Shakaj, që mga magazina në autostradë e deri tek garzhdet e nëdheshme që i ruan për ditë të keqe,

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje

      Blog Tema