Ka dalë llumi në tribunë

16 Qershor 2026, 21:40Blog Nga Hamdi Jupe

Po flas për “tribunën” e protestës së bulevardit . Pas 16 ditësh të gjallimit të saj, një përfundim mund të thuhet qartë: Ka dalë llumi i shoqërisë shqiptare në tribunën e një proteste, që në thelbin e saj nuk është pa vlera. Si e tillë, ka shumë gjasa që ajo të përfundojë si të tjerat.

1.      Mungesë e identitetit politik

Protesta nuk po mund të identifikohet ende qartë politikisht. Kush janë, çfarë përfaqësojnë, a janë lëvizje politike apo lëvizje qytetare si dhe kur do të përfundojë kjo odise e bulevardit. I qartë deri tani është fakti se janë një turmë e pakënaqur laragane, domethënë e turlillojshme, kundër Ramës dhe Berishës. E qartë është gjithashtu se janë të rinj në moshë, jo pak pa minimumin e kulturës së përgjithshme qytetare, pa le më atë politike. Sidoqoftë, janë “gjak” shqiptar.   

Në të janë të përfshirë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Kujto edhe turistët e huaj që shkojnë atje për sehir gratis. “Shqiptarë të pakënaqur të të gjitha trojeve, besimeve, ideologjive dhe interesave, bashkohuni!” Mirëpo në Shqipëri votojnë vetëm shtetasit me pasaportë shqiptare, ndaj kjo pjesëmarrje “mbarëkombëtare” nuk i shton kredencialet e asaj, përkundrazi, ia pakëson. Gjithnjë për “tribunën” kjo, ku dalin e flasin badihava lloj-lloj fytyrash, pa asnjë “filtrim” të tyre, duke deklaruar me mburrje se “jam nga Kosova”, “jam nga Maqedonia”. Ç’duan ata në protestë? Ata qeverinë e kanë në vendin e tyre.

Shqiptarët e këtushëm nuk para e kanë shumë qejf që t’ju hyjnë të tjerët në punët e tyre të brendshme. Kujtoni fushatën e dështuar të Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare të pesë viteve më parë dhe rezultatin e mjerë të tij në to. Tani një këshilltar i  Kurtit (ndoshta dhe më shumë) sillet nëpër Tiranë dhe mban fjalime në protestë, por edhe ai pritet të ketë fatin e shefit të tij.    

Në protestë ka edhe demokratë të këtushëm me tesera blu në xhep, të nxitur nga lideri i tyre, (pavarësisht nga thirrjet “Berisha n’burg”) që presin t’i bien hallatet dashit (dmth qeverisë) në ndonjë kthesë e t’i  hanë ata, pasi partia e tyre i ka lënë për 13 vjet me lugën bosh. Ka edhe ndonjë  “neomalësore” 26 - vjeçare, që flet me dialektin e Lek Dukagjinit dhe që shkon pas berihajit. Në bulevard pra është një hazinè (thesar) e madhe “karavidhesh” të të gjitha llojeve, pa identitet politik e ideologjik. Po “tribuna” pak shqetësohet për këtë. Ajo u shqetësua vetëm për shfaqjen e flamurit të  LGTB-së atje.   

2.      Mungesë e vizionit politik

Pas 16 ditësh vërdallisjesh, “lëvizja e bulevardit” nuk ka bërë ende të qartë vizionin e saj politik për të ardhmen. Domethënë, ku do të arrijnë dhe çfarë do të arrijnë. Aty dalin e flasin të qena e të paqena dhe nuk dinë akoma se çfarë synojnë. Një “dy gisht letër” e tyre, e shfaqur ditët e fundit në shtyp, e mjegulloi më tej pamjen. E qartë është vetëm se duan kokën e Ramës dhe Berishës.  Kjo kërkesë është absurde, sepse si liderë partish, ata përgjigjen vetëm para partive të tyre, jo para “partisë së bulevardit”. Si kryeministër Rama është aty i votuar nga 850 mijë votues shqiptarë, ose 53,3 përqind e tyre para një viti. Zgjedhjet e reja sipas Kushtetutës zhvillohen pas tre vjetësh. A e njohin Kushtetutën këta të “tribunës” apo jo?

Lëvizja e sotme është kaotike dhe në konfuzion të plotë për objektivat e saj. A janë ata që kërkojnë të ndërrohen të gjitha institucionet politike të vendit: parlamenti, qeveria, presidenti etj? Kuptohet tani se nuk është punë flamingosh. Fakti që edhe pas 16 ditësh nuk ka asnjë përpjekje për të kthyer lëvizjen në parti legale tregon boshllëkun total mendor të “tribunës”.  

Sipas sondazhit të fundit  të zotit Zaloshnja të shtunën e kaluar, pra ditën e pjesëmarrjes më të madhe në protestë, 37 përqind e shqiptarëve nuk e duan as Ramën, as Berishën. Ky është “livadhi” i madh i pakënaqësisë, ku mund të “kullosë” me komoditet një parti e re politike. Po kujt ia thotë Zaloshnja i shkretë këtë? Është e kotë, ata nuk kanë vesh të dëgjojnë.

Nëse janë lëvizje politike, ata duhet të krijojnë parti, të ligjërohen në gjykatë, të krijojnë strukturat e saj në Tiranë e rrethe, të shkojnë te njerëzit e të flasin “kokë më kokë” me ta, jo nga tribuna e bulevardit. Ka patur në të “cicërima” se duhet të krijojmë parti, por këto kanë qenë vetëm cicërima e asgjë tjetër. Nëse do të krijojnë parti, atëhere do të futen në “ujë”, domethenë, do të kuptojnë se nuk është aq e thjeshtë sa duket nga tribuna kjo punë. Gjatë 35 vjetëve në vend janë krijuar nja njëqind parti, por vetëm dy njihen.

3.      Mungesë lidershipi 

Nuk dihet ende se kush janë udhëheqësit e vërtetë të saj. Në tribune dalin shumë. Dallohen nja tre a katër prej tyre që shfaqen më shpesh, por nuk merret vesh se cili është statusi i tyre dhe kush ua ka dhënë këtë status. A janë “vetëzgjedhur”, apo kanë një mandat përfaqësimi nga dikush. Populli ka nevojë të shikojë liderin e lëvizjes dhe shokët e shoqet e tjera që e rrethojnë. Ai kërkon të kuptojë “me rrënjë e me degë” kush do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shtetit të tij.

Në një biçim thirrje publike në emër të “bulevardit” së fundmi duket një listë me emra jo fort të nderuar, madje disa prej tyre të diskredituar, ish – deputetë të PD-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile që u shkoi jeta duke firmosur peticione tash e tridhjetë vjet. Dashamir Shehi, Fatos Lubonja, Myslim Murrizi, Armand Shkullaku, Elsa Ballauri etj. Të bukur panel kanë vënë në krye të aksionit të tyre! Me këtë listë të stërvjetër do t’’i kërkojë votat e popullit kjo “lëvizje e re”?

4.      Alabakëri komuniste në bulevard

Sloganet e përdorura në protestë janë në shumë raste me përmbajtje komuniste. Kishim meduar se ato kishin vdekur me kohë, por ja ku po na serviren përsëri. “Revolucion, revolucion”, “Shqipëria është e jona”, (kupto, nuk i duam të huajt dhe investimet e tyre), “Poshtë oligarkët”, “Shqipëria nuk është për shitje”. Këto janë slogane të mirëfillta komuniste. Njëlloj si parrulla e Enverit: “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Ato përsëriten çdo ditë si refren, pa asnjë përkujdesje për t’i mënjanuar prej saj.  

Në një fjalë të saj një nga folëset e njohura të “tribunës” tha se sapo ishte kthyer nga Rrjolli, ku bashke me shokë e shoqe nga Tirana, kishin hequr rrethimin e vendosur nga firma e ligjshme private që po punon për një resort turistik në të drejtën e saj, sipas ligjeve të shtetit shqiptar atje.   Sulmi ndaj bisnesit privat eshte tamam sulm komunist ndaj kapitalizmit si në vitin 1946. Haxhiqamilizëm i kulluar. Po nga ta dijë “llumi i tribunës” këtë? Ata janë “gjindje pa shkollë” në këtë fushë.

5.      Papërgjegjshmëri për vendin dhe popullin  

Me vazhdimin pa limit të protestës në mes të verës, axhaminjtë e “tribunes” po tregojnë papërgjegjshmëri totale ndaj popullit dhe atdheut të tyre. Protesta vazhdon, edhe pse vendi ka hyrë në fazën e turizmit intensiv të verës. Në situatë normale pritej të vinin këtë vit mbi 12 milionë turistë të huaj, me një të ardhur mbi 6 miliardë Euro. Shenjat e muajve të parë të vitit ishin optimiste. Operatorët turistikë tani po ngrejnë alarmin për frenime të tyre pas ngjarjeve të fundit.  Po kush po pyet për ta?

Të mbetur pa ngjarje “pikante” në vendet e tyre, po edhe për shkak të interesave të xhepit e të tjera probleme gjeo – politike, (qeni leh atje ku ha) mediat e huaja rrinë çdo ditë duke transmetuar protestën shqiptare. Pasojat i vuajnë shqiptarët: disa miliarda Euro të humbuara nga “bulevardi.” Në këto rrethana mund të thuhet se kjo protestë ha “bukën” shqiptare, por bën punë antishqiptare, sepse i heq bukën nga goja popullit të vet. Përfundimi: ka dalë llumi në tribunën e bulevardit, në vend që të ngjitet atje mendja e shëndoshë, prandaj ju lutem, pastrojeni atë “tribunë” nga llumi.  

8 Komente

  1. D
    Dire Straits !!!!

    Ky qe ka shkruar kete artikull , i ngjan asaj thenies se fshatarit : " ....Kur e mesova gomarin te punonte pa ngrene .....ngordhi..." .....e si ai jane edhe shume te tjere qe durojne cdo gje qe u behet , mjafton te mos braktisin forcen politike dhe "Udheheqesin e dashur"........por nje dite do perfundojne si gomari i shkrete !!!!!

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kepi

      O kokë lopë me analizë qesharake! Edhe qytetari dixhital i Berishës ka më shumë krijimtari dërdëllitëse se sa ti. Për sot nuk e meriton sufllaqen. Nesër kismet.

      Përgjigjjuni
      1. C
        Cubi

        Ti mir e ke mor mik por kujt ja thua???????? Qenerve, maskrenjeve,monstrave,shpellareve,paraziteve qe skan bere njeher nje pun. Drejtohen nga tradhetaret dhe agjenturat me sali qenin ne krye.

        Përgjigjjuni
        1. R
          Ramsi

          Mos harro villain e Vucicit Edvin Kristaq Ramsi

          Përgjigjjuni
        2. F
          Filani

          Llum dhe felliqesir je ti more morr I kuq.

          Përgjigjjuni
          1. A
            Aron

            Ka dalur llumi dhe analfabetat funksional, sidomos te ashtequajtur "intelektual", e sidomos keta profesorat te hapin fare bythen, kur jane te paret qe bejne demin me te madh shoqerise dhe bejne korrupsionin e pare ne edukimin e shoqerise kur presin lek per te vene nje note kaluese ose te mire,e pastaj habitemi perse niveli eshte krejt i ulet. Ndaj edhe keta hipokrite nuk merren seriozisht, sado probleme ka politika ne pergjithesi apo qeveria.

            Përgjigjjuni
            1. D
              Dritë

              1. Nuk e kuptoj dhe sidomos nuk kuptoj asnjë " qytetar me akses" të cilët kërkojnë ( hedhin idenë) që kjo protestë të ketë një përfaqësim politik. Përse duhet përfaqësimi politik?!?!!?! Për çfarë shërben dhe cili përfaqësim politik kudo në botë ka zgjidhur "hallet e popullit" ?! ( përjashto gjithmonë vendet skandinavezë) Akoma ekzistojnë njerzit që besojne se përfaqësitë politike( partitë ) zgjedhin gjë e sidomos moshatarët e artikull shkruesit ?! 2. Vërtet disa protestues janë llumi i shoqërisë,por këta " artista" përgatit " elita kulturore". qeverisëse dhe sidomos arsimi jonë " cabrigdge- Ian". 3. E vërteta është se kjo protestë ka sjellë me këmbë në tokë " socialistët" dhe u ka futur tmerrin. Të tjerat që konstaton me shumë të drejtë shkruesi, janë të vërteta por si çdo " zhvillim kulturor" në fund vinë ca " xhaxha" të thonë sa bukur flisni e sa të mallëngjyer janë nga parimet e tyre, por tani do bëni 1,2,3 dhe këtu- kështu mbaron " revolucioni"

              Përgjigjjuni
              1. X
                XHH

                Une jam 100% dakord me Z Jupe dhe se protesta ka ne gjirin e saj shume njerze me ide komuniste si une kam diplome por ky shtet nuk po me gjene pune jemi zot ne shtepine tone jemi kunder olgarkve jemi kunder kapitalit jemi per shtepit tona nuk i durojme te huajt qe na kane zaptuar e te tjera e te tjera nuk shkojme dot ne plazh se e kane zaptuar te huajet Ka te verteta ketu patjeter qe ka por sistemi demokratik quhet vete rregullues sipas kerkeses dhe offertes dhe duhet patjeter te pershtatesh me ligjet e ekonomise se tregut. Shteti sipas skemes qe ne kemi ndertuar nuk te gjene pune hiqe nga mendja. Ne perqafuam nje sistem qe per kushtet e shqiperise si vend i vogel duhet te permiresohet por duhet thene qe komunizmi mos ardhet kurre. Kjo eshte e prere. Per mendimin tim shtetei duhet te kishte mbajtur ekonomit e e medhaja , naften mineralet aeroportet shendetesin dhe arsimin duke i privatizuar dhe duke bere pronar popullin me aksione por jo i cveshur fare. Pra populli do te punone por pervec rrogave do te finonte kur i thone edhe 5 leke ne muaj nga aksioet e tij dhe nuk do ta shkaterronte te gjithe bazen ekonomik qe u ndertua me djersen e popullit per 50 vjete Perse duhet te shkaterroheshin te gjitha ato fabrika dhe uzina gjithe ato miniera dhe ju dha ne dore disa pisa te PD qe i shfrytezuan sa deshen dhe i braktisen duke e lene popullin me luge ne goje dhe nuk ka me burre nene qe ti vej ne pune me se do kapital dhe njeri nuk e mer persiper. Shteti duhet te ishte rregullator i ketij procesi por teoricieni qe perhapi teorin zero e hengri kokene tij por shkaterroi edhe vendin komplet

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje

                Blog Tema