Shqipëria, një ekonomi që rritet edhe në kohë të vështira!

17 Qershor 2026, 18:50Blog TEMA
Shqipëria, një ekonomi që rritet edhe në kohë të

Nga Mateo Spaho

INSTAT ka publikuar të dhëna të rëndësishme për tregun e punës dhe pagat në Shqipëri, që përfshijnë periudhën e tremujorit të parë të vitit 2026. Tregu i punës në Shqipëri ka vijuar të japë sinjale pozitive gjatë viteve të fundit, si në drejtim të zgjerimit të punësimit formal, ashtu edhe në rritjen e pagave. Të dhënat më të fundit për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se numri i të punësuarve kontribuues në sigurimet shoqërore ka arritur në 764.507 persona, ndërsa paga mesatare mujore bruto ka shkuar në 90.119 lekë, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.

Analiza e ecurisë së punësimit formal gjatë periudhës nga tremujori i parë i vitit 2023 deri në tremujorin e parë të vitit 2026 tregon një rritje të qëndrueshme të numrit të kontribuuesve në sigurimet shoqërore. Krahasuar me tre vite më parë, numri total i të punësuarve kontribuues është rritur me mbi 39 mijë persona. Kjo rritje është mbështetur kryesisht nga sektori privat, i cili vazhdon të mbajë peshën kryesore në tregun e punës. Në tremujorin e parë të vitit 2026, sektori privat numëronte 579.688 të punësuar kontribuues, ose rreth 76% të totalit, duke konfirmuar rolin e sektorit privat si motori kryesor i krijimit të vendeve të punës.

Ndërkohë, sektori shtetëror ka mbetur relativisht i qëndrueshëm gjatë kësaj periudhe, me luhatje të vogla nga një tremujor në tjetrin dhe me rreth 185 mijë të punësuar.

Paralelisht me rritjen e punësimit, ekonomia shqiptare ka shënuar edhe rritje të konsiderueshme të pagave. Paga mesatare mujore bruto në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 90.119 lekë, duke u rritur me 9,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në krahasim me nivelet e disa viteve më parë, rritja është edhe më e dukshme, duke reflektuar përmirësimin gradual të të ardhurave të punonjësve dhe kërkesën në rritje për fuqi punëtore. Sektorët me pagat më të larta mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka regjistruar rritjen më të lartë të pagave, me 22,2% në bazë vjetore, duke reflektuar kërkesën e lartë për punonjës dhe zgjerimin e investimeve në këtë fushë.

Lajmi i mirë vjen sidomos nga fakti se deri në fund të marsit 2026 rreth 44% e të punësuarve kanë marrë mbi 95.000 lekë ose 1.000 euro në muaj, ndërkohë që në marsin e vitit 2025 vetëm 38% e të punësuarve tejkalonin një pagë mbi 1.000 euro. Një element i rëndësishëm i evidentuar në të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 është rritja e numrit të punonjësve me pagë minimale. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me vendimin për rritjen e pagës minimale nga 40.000 në 50.000 lekë, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2026.

Në tërësi, kombinimi i rritjes së punësimit formal me rritjen e pagave përbën një tregues pozitiv për ekonominë shqiptare. Nga anketa mbi forcat e punës, gjithmonë të INSTAT-it, rezulton se gati 1,048 milion shqiptarë deklarojnë se punojnë. Nga këta, vetëm 764 mijë punojnë ligjërisht duke paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Kjo do të thotë se nga 100 të punësuar, vetëm 73 janë të deklaruar, ndërsa 27 punojnë në “të zezë”. Shifra është patjetër tepër e lartë, por e krahasuar me vitin e kaluar ka ardhur në përmirësim, sepse në fillim të vitit 2025 nga 100 të punësuar vetëm 70 ishin të deklaruar.

Megjithëse mbeten sfida të lidhura me produktivitetin, strukturën e tregut të punës dhe nivelin e pagave në disa sektorë, të dhënat tregojnë se tregu i punës po vazhdon të konsolidohet, duke krijuar më shumë vende pune formale dhe duke ofruar të ardhura më të larta për punonjësit.

Kjo ka ndodhur pavarësisht një krize 6-vjeçare në sektorin e bujqësisë dhe 3-vjeçare në industrinë eksportuese. Nëse institucionet qeveritare do të merreshin më shumë me këta sektorë, duke i ndihmuar në konkurrueshmërinë e tyre, Shqipëria dhe shqiptarët do të ecnin me hapa shumë më të shpejtë drejt standardeve ekonomike të Bashkimit Europian.

*Ky shkrim është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.

Lini një Përgjigje