Paskal Milo, në samitin global të Pekinit, fjalim mbi ndikimin e Luftës së dytë Botërore

14 Qershor 2026, 20:47Kulturë TEMA

Paskal Milo, në samitin global të Pekinit, fjalim mbi ndikimin e

Në 11-12 qershor në Pekin u mbajt Forumi për Qeverisjen Globale të të Drejtave të Njeriut.Ky aktivitet mori shkas nga 40 vjetori i adoptimit të Deklaratës për të Drejtën e Zhvillimit nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me rezolutën e saj 41/128 në 4 dhjetor 1986. Në këtë Forum që u zhvillua në përmasat e një konference të madhe ndërkombëtare morrën pjesë 400 përfaqësues të ardhur nga shumë vende të botës në nivele të larta zyrtare por edhe nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut si dhe nga ekspertë, akademikë, universitarë e përfaqësues të agjencive të ndryshme ndërkombëtare, rajonale e lokale që merren me këto çështje.Nga Shqipëria ishte i ftuar prof.dr. Paskal Milo, ish ministër i punëve të jashtme me cilësinë e tij akademike dhe universitare.

Forumi nuk ishte një konferencë përkujtimore për Deklaratën për të Drejtën e Zhvillimit.Në respekt të saj Forumi u kthye në një platformë ku u diskutuan opcione të ndryshme për të Drejtën e Zhvillimit dhe rolin e saj në Qeverisjen Globale të të Drejtave të Njeriut, sfidat aktuale me të cilat ato përballen dhe efektet që po sjellin zhvillimet bashkëkohore, sidomos në teknologji dhe Inteligjencën Artificiale për të ardhmen e rendit ndërkombëtar e të vetë njerëzimit.

Prof.Dr. Paskal Milo në fjalën e tij në seancën plenare të Forumit bëri një vështrim krahasues të qasjeve të ndryshme aktuale për Qeverisjen Globale të të Drejtave të Njeriut dhe u ndal veçanërisht në ato kineze dhe perëndimore.Ai nënvizoi risitë e qasjes kineze në raport me atë perëndimore (euro-amerikane), përparësitë që Kina vendos në qëndër të të drejtave të njeriut si të drejtën për zhvillim, sigurinë e lirisë kolektive në vend të lirisë politike individuale, stabilitetin social, pavarësinë kombëtare, mosndërhyrjen në punët e brëndshme dhe bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar.Të dy qasjet kanë elementë të dallueshme mes tyre por edhe konverguese në të njëjtën kohë që kanë për tendencë të shkojnë drejtë rimodelimit të normave dhe institucioneve me objektiv krijimin e një rendi të ri ndërkombëtar multipolar.

Shqipëria, theksoi më tej ish ministri i jashtëm shqiptar duke mbështetur elementët konvergues të këtyre qasjeve, është e ankoruar në modelin e platformën e Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut.Ajo si kandidate për anëtare me të drejta të plota sapo ka hapur kapitujt e negocimit me BE, mes të cilave edhe kapitullin mbi liritë e të drejtat e njeriut që është edhe një nga më të rëndësishmi dhe më delikatët e paketës negociuese.

Në punimet e Forumit Prof. Milo pati mundësinë të takohet e të bisedojë edhe me autoritetet më të larta kineze që morrën pjesë aty për marrëdhëniet shqiptaro-kineze dhe për mundësitë e zgjerimit e forcimit të mëtejshëm të tyre.

Jashtë agjendës së këtij Forumi gjatë qëndrimit në Pekin, Prof. Dr. Paskal Milo morri pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada amerikane në R. P. të Kinës me rastin e 250 vjetorit të Ditës së Pavarësisë të Shteteve të Bashkuara.Me këtë rast ai u takua dhe zhvilloi një bisedë miqësore me Ambasadorin amerikan David Perdue.

Paskal Milo, në samitin global të Pekinit, fjalim mbi ndikimin e

Me Ambasadorin amerikan David Perdue

 

Fjala

Vlera globale e ndikimeve të Luftës së Dytë Botërore në zhvillimet politike e sociale kombëtare e ndërkombëtare

 

Paskal Milo, në samitin global të Pekinit, fjalim mbi ndikimin e

 

Nga Paskal Milo

 

Bota përkujton përfundimin e Luftës së Dytë Botërore që zyrtarisht u bë e mundur pas dorëzimit pa kushte të Japonisë militariste në 2 shtator 1945.Kjo ngjarje e madhe historike ishte një fitore e të gjitha kombeve antifashiste kundër Boshtit Berlin-Romë- Tokio.Ishte një përplasje gjigande mes forcave të lirisë,paqes e progresit me forcat e shtypjes , të skllavërimit e të regresit.Fitorja hapi epokën e shpresës për një të ardhme më të mirë, paqësore e të sigurt.

       Lufta e Dytë Botërore ndikoi shumë në përcaktimin e fateve të kombeve fituese por edhe të mundura të saj si dhe në ndërtimin e sistemit të ri ndërkombëtar.Popujt nxorrën mësime të cmuara të cilat u bënë pjesë organike e ndërgjegjes kombëtare dhe filozofi udhëheqëse në veprimtarinë e tyre të pas Luftës për rindërtim e zhvillim.Motivet nga u nisën ishin antifashiste dhe demokratike e në përputhje me rrethanat ,kombëtare,rajonale e ndërkombëtare,ato frymëzuan transformime të mëdha.Ato në thelb ishin të njëjta por patën vecoritë e tyre nga një vend te tjetri, nga Perëndimi në Lindje.Zbatimi i tyre u mbështet në traditat e përvojat kombëtare, gjë që solli edhe një larmi zhvillimesh politike e shoqërore të cilat ndikuan edhe në konfigurimin aktual të popujve e të vendeve të ndryshme.

Në Europë pas Luftës së Dytë Botërore ndodhën ndryshime rrënjësore dhe afatgjata në rrugën e zhvillimit politik, ekonomik e social. Ideologjitë totalitare si fashizmi e nazizmi si dhe nacionalizmi agresiv u mundën dhe u diskretituan plotësisht.Në Perëndim të saj u rindërtuan demokracitë liberale ndërsa në Lindje u zgjerua sistemi socialist sovjetik.Europa u nda në dy blloqe ideologjike-politike: Perëndimi kapitalist- liberal dhe Lindja komuniste që coi në inaugurimin e periudhës të njohur me emrin “Lufta e Ftohtë.”

 Në Europën perëndimore u hodhën bazat për integrimin europian si një lëvizje strategjike për të pajtuar popujt në armiqësi,vecanërisht francezët me gjermanët si dhe për ti dhënë fund ndarjes së kontinentit.U krijuan organizata dhe institucione multilaterale për të shmangur luftrat e ardhshme  e për të përballuar sfidat e sigurisë e të zhvillimeve globale.Vende si Italia e Gjermania u detyruan të japin llogari për krimet e regjimeve të tyre fashiste.Kjo ndikoi që në shoqëritë e këtyre dy vendeve të ndryshonte rrënjësisht diskursi kombëtar dhe edukimi historik.Hitleri, Musolini dhe diktatura të tjera fashiste në Europë u vendosën para gjyqit të historisë.Në popujt e këtyre vendeve doli si detyrë urgjente ndërgjegjësimi për përgjegjësinë e tyre historike.

 Europa doli nga Lufta e Dytë Botërore e dobësuar. Ajo nuk ishte më epiqendra e politikës botërore, vendin e saj e zunë dy Fuqitë e Mëdha që dolën fituese nga kjo Luftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik.Fuqitë koloniale europiane si Britania e Madhe, Franca, Hollanda, etj., u ndeshën me procesin e dekolonizimit në Azi,Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

 Transformimi rrënjësisht i mentalitetit politik dhe shoqëror në Europë e orientoi atë drejt bashkëpunimit,demokracisë, kujtesës kritike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.Ishin pikërisht këto ndryshime që përcaktuan qartë drejtimin e përgjithshëm të zhvillimeve europiane në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore.

           Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime të mëdha strukturore, sociale dhe ideologjike që u bënë baza e zhvillimit të shpejtë ekonomik, të përparimit teknologjik, të rritjes së rolit e të fuqisë së tyre në të gjithë botën.Para Luftës Shtetet e Bashkuara kishin ndjekur një politikë izolacioniste .Pas saj u bë një ndryshim i madh cilësor në mentalitetin e tyre për vendin dhe rolin në arenën ndërkombëtare.Lufta i dha hov të jashtëzakonshëm ekonomisë amerikane.Në përfundim të saj Shtetet e Bashkuara dolën si fuqia më e pasur dhe më e zhvilluar në botë nga pikëpamja teknologjike. U bënë përparime të jashtëzakonshme shkencore dhe teknologjike dhe ato zotëruan të parët bombën atomike.Kompleksi industrial -ushtarak u zhvillua me ritme të shpejta dhe u bë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë e të politikës.

Lufta krijoi besim të madh në rolin e shtetit e të qeverisë federale në ekonomi, arsim, infrastrukturë,etj.Shteti u bë garant i sigurisë dhe i zhvillimit.Lufta shërbeu si katalizator për lëvizjen për të drejtat civile të afro-amerikanëve të cilët përjetonin diskriminim brënda vendit .Ajo nxiti rritjen e vetëdijes për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të barabartë.Filloi të ndryshojë mentaliteti gjinor , shoqëria amerikane bëri progres kulturor në mënyrën se si e shihte rolin e grave dhe pjesëmarrja e tyre në ekonomi dhe në jetën publike morri vrull.

Shtetet e Bashkuara pas Luftës u bënë fuqia kryesore botërore që ndikoi në krijimin e një mentaliteti të ri amerikan të “përgjegjësisë globale” të tyre.Gjithashtu morri një shtysë të fortë një mentalitet i njohur amerikan, ai i “ ekcepcionalizmit” , që do të thotë i rolit dhe i misionit të vecantë që Shtetet e Bashkuara kanë si model i  demokracisë dhe i lirisë në përhapjen e tyre.Ky mentalitet është sundues sot në kulturën e brëndshme politike por me ndikim të madh edhe në politikën e jashtme.

Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime epokale edhe në Azi.Japonia si një nga tre fuqitë kryesore të Boshtit fashist dorëzoi armët dhe u vendos para përgjegjësisë historike për luftrat e pushtimet e vendeve të tjera të kontinentit e para së gjithash të Kinës.Ajo përjetoi pas disfatës dhe pushtimit amerikan një kolaps politik e shoqëror.Kushtetuta e re e vendit në vitin 1947 ndaloi përdorimin e luftës si mjet politik dhe krijoi rrethanat që shoqëria japoneze të shkëputej gradualisht nga mentalitetet e vjetra dhe të hapte rrugën e zhvillimit ekonomik e teknologjik, të reformave agrare, shoqërore dhe edukative.Por kujtimi i luftës dhe rrjedhojat e saj e sidomos përgjegjësitë e saj historike vazhdojnë të jenë ende një temë e pranishme në shoqërinë japoneze.

Pas Luftës në Azi u zhvillua me ritme të shpejta procesi i dekolonizimit dhe vende të tilla si Indonezia Vietnami,Korea,Filipinet,India,Pakistani,Birmania(Mianmari),Sri Lanka,etj., u shpallën të pavarura.Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore ndikoi thellësisht në mentalitetet politike dhe shoqërore në Azi,shkaktoi ndryshime radikale në strukturat politike,në vetëdijen kombëtare dhe në rrugët e zhvillimit të vendeve aziatike.

Në mënyrë të vecantë ky ndikim u ndje dhe është i fuqishëm në Republikën Popullore të Kinës.Rezistenca kineze ndaj pushtimit japonez(1937-1945)dhe sakrificat e mëdha njerëzore që u bënë për clirimin e vendit në mënyrë të natyrshme shkaktuan reflektime të thella e të gjëra të cilat janë të njohura me emrin Platforma “nën frymën kombëtare kundër agresorëve japonezë.”

         Evokimi i të kaluarës historike në të gjitha vendet e në të gjitha kohët është një strategji e konsoliduar që bëhet për ta vendosur atë në funksion të disa objektivave të rëndësishme kombëtare.Përvoja ka dëshmuar se prej historisë të cdo vendi përzgjidhen ngjarjet më të rëndësishme që janë të lidhura me pavarësinë ose me clirimin nga pushtuesit e huaj të cilat përpunohen e artikulohen si filozofi me dimension kombëtar.Platforma “nën frymën kombëtare kundër agresorëve japonezë” është një filozofi specifike kineze që synon forcimin e identitetit kombëtar, të dinjitetit e të krenarisë kombëtare.Ajo evokon rolin dhe kontributin e Partisë Komuniste Kineze në rezistencën kundër pushtuesve japonezë dhe legjitimon udhëheqjen e saj në luftën për themelimin e RP të Kinës dhe sot edhe të shtetit kinez që është një nga dy liderët ekonomikë botërorë dhe fuqi me peshë dhe rol të madh ndërkombëtar.

Platforma ushqen ndjenja të forta patriotike ,kohezionin shoqëror dhe stabilitetin e brëndshëm.Ajo ka një funksion edukativ që përcohet përmes arsimit,institucioneve të kujtesës historike ,kinematografisë e medias publike me synimin e ndërtimit të një kulture kolektive kombëtare.Platforma është edhe një instrument mobilizimi kombëtar në përmbushje të objektivave të zhvillimit ekonomik , të progresit teknologjik e shkencor.Ajo si pjesë e diplomacisë historike është edhe në shërbim të politikës së jashtme të Kinës , jo vetëm në rafsh rajonal , aziatik, por edhe global.

         Kjo Platformë me rrënjë historike në vitet e Luftës së Dytë Botërore është në të njëjtën kohë një apel për vigjilencë ndaj rreziqeve që kërcënojnë sot paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sot në vende të ndryshme të botës janë rishfaqur e përhapur forca të ekstremizmit të djathtë , demokracia liberale është dobësuar dhe përparësi kanë marrë qeverisje autokratike. Po kështu po vihet re një zgjerim i konflikteve dhe i luftrave lokale e rajonale. Rreziku i një lufte të re botërore nuk është një hipotezë pa mbështetje.Sistemi ndërkombëtar i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në qëndër të tij është lëkundur ,ka humbur peshën reale dhe efikasitetin e tij në mbrojtje të paqes e të sigurisë ndërkombëtare.Është koha që të pengohet rikthimi drejt të shkuarës konfliktuale të përbotshme.Sistemi ndërkombëtar duhet të përmirësohet duke reflektuar edhe ndryshimet që kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore.E ardhmja e paqes , mirëqënia e zhvillimi mund të garantohen nga bashkëpunimi i mirëfilltë ndërkombëtar i udhëhequr nga parimet e multilateralizmit.

 

1 Komente

  1. U
    UN

    Ka shumē samite qē nuk jemi pjes për shkak tē popullsis sē vogēl, sipērfaqes modeste, ose bindjeve politike, si G7, G20, OPEP,BRICS,ose AIE.Sidoqoft samite tē rēndēdishme BE, OKB,UNICEF, jemi tē pranishēm.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje