Nga Ardi Stefa
Të gjithë kanë të drejtën e pamohueshme të protestës.
Por, paradoksi më i madh i këtyre ditëve është prania e deputetëve të PD në një protestë që, në thelb, është edhe kundër tyre.
Ata përpiqen, që nëpërmjet "përkrahjes dhe marshimit" me protestuesit, t'i veshin protestës flamujt e tyre dhe hallet e tyre politike, ndërkohë që zemërimi i një pjese të protestuesve drejtohet pikërisht ndaj klasës politike që ka prodhuar realitetin e sotëm. Jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës.
Ky është paradoksi.
Një deputet është pjesë e sistemit. Madje jo thjesht pjesë e tij, por pjesë e rreshtit të parë të sistemit. Ai paguhet nga taksat e qytetarëve për të bërë opozitë në Parlament, për të kontrolluar qeverinë dhe për të mbrojtur interesin publik. Kur i njëjti deputet shfaqet në protestë si revolucionar kundër sistemit, pyetja është e thjeshtë. Kundër kujt po proteston?
Kundër vetes? S'ma do mendja!
Nuk mund të jesh njëkohësisht edhe establishment edhe antiestablishment. Nuk mund të jesh edhe pjesë e problemit edhe të paraqitesh si zgjidhja e tij. Kjo është një kontradiktë që qytetarët e kuptojnë shumë mirë.
Nëse protesta synon të sfidojë sistemin politik që ka bllokuar rotacionin e ideve, që ka prodhuar të njëjtat fytyra dhe të njëjtat dështime për dekada, atëherë ajo sfidë prek domosdoshmërisht edhe opozitën tradicionale. Prek edhe deputetët e saj.
Prandaj, kushdo që pretendon se është kundër sistemit duhet të ketë guximin të dalë nga rreshti ku ndodhet. Duhet të heqë dorë nga privilegjet, nga komoditeti dhe nga statusi që sistemi i garanton.
Nuk shkon të jesh njëkohësisht në rreshtin e parë të sistemit dhe në rreshtin e parë të protestës kundër tij.
Të nderuar deputetë të PD, protesta nuk ka nevojë për njerëz që duan ta përdorin atë për të shpëtuar karrierën e tyre politike. Ka nevojë për njerëz që janë gati të rrezikojnë karrierën e tyre politike për të ndryshuar realitetin.
Lini një Përgjigje