Tregu i punës është përfshirë në një dinamikë, ku pagat po shfaqin një trend rritës në mënyrë të vazhdueshme në vitet e fundit.
INSTAT raportoi në fillim të këtij viti se paga mesatare bruto arriti në 90 mijë lekë ose 9.6% më shumë se tremujori i parë i vitit 2025.
Rritja vijon të udhëhiqet nga pagat në administratën publike. Por teksa Shqipëria po tkurret, pagat po rriten. Pyetja që shtrohet është se pse po rriten pagat? Igli Zepishta, kontabilist, jep një arsye kryesore.
“Rritja e pagave po vjen më shumë nga mungesa e punëtorëve. Kjo është një krizë e madhe që i detyron punëdhënësit në shtet dhe në privatë të rrisin pagat. Kjo është arsyeja kryesore. Një tjetër arsye pse është rritur paga mesatare është edhe formalizimi i tregut të punës. Tatimet kanë patur në fokus tregun e pagave dhe ka ndikuar në deklarimin e real të tyre. Paralelisht rritja ka ardhur edhe si pasojë e rritjes së pagës minimale, e cila nisi zbatimin në janar të këtij viti nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj”, tha Zepishta në një intervistë në Vizion Plus.
Rritja më e madhe e pagave në këtë fillim viti vërehet në sektorin e ndërtimit me 22%, çka tregon nevojën që ka ky sektor për punonjës, por dëshmon edhe për bumin e punimeve për shkak të lejeve të dhëna në të gjithë vendin.
“Pavarësisht rritjes së pagave ne shohim që kjo tendencë nuk po shoqërohet me rritje të produktivitetit. Ndaj dhe çdo rritje që nuk bazohet në produktivitet është kosto për bizneset. Kosto për biznesin është edhe rritja e pagës minimale me vendim qeverie”, tha Zepishta.
Por edhe pse flitet për rritje pagash, jo të gjithë nivelet e punës po përfitojnë. Rritja është fokusuar tek ato pozicione që e kanë edhe më të vështirë gjetjen e punonjësve.
Lini një Përgjigje