Çmimi i naftës rëndon transportin publik, shoqatat kërkojnë shtyrjen e kompensimit

12 Qershor 2026, 08:30Ekonomia TEMA
Çmimi i naftës rëndon transportin publik, shoqatat

Nafta vijon të rëndojë kostot e transportit publik në vend dhe shoqatat vijojnë të kërkojnë shtyrjen e periudhës së përfitimit të kompensimit edhe me 3 muaj.

Por shtyrja e afatit të kompensimit të naftës te transporti, duket se ka shkaktuar debat mes ministrive, të Financave dhe Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në një letër që Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas së fundmi i ka drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i kërkon të marrë në konsideratë opinionin e Ministrisë së Financave për paraqitjen e propozimeve të kërkesës për shtyrje të afatit.

Më pas këto propozime do të shqyrtohen nga Ministria e Financave.

“Në shkresën me nr. 83.88/1 Prot. të datës 21.05.2026 Ministria e Financave i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar shqyrtimin e kërkesës sonë brenda fushës së përgjegjësisë suaj institucionale dhe duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj.

Bazuar në këtë komunikim institucional, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon trajtimin me prioritet të kësaj çështje, pasi sektori i transportit publik vijon të përballet me vështirësi financiare dhe operative, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e shërbimit publik”, theksohet në letrën e dërguar ministrisë.
Kërkesa e Ministrisë së Financave për paraqitjen e propozimeve për shtyrje të periudhës së kompensimit të naftës, vjen pas letrës që më 13 Maj 2026 shoqata e transportit u dërgoi ministrive, përfshirë: Ministrisë së Financave,

Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrisë së Pushtetit Vendor, Bashkisë së Tiranës.

Në këtë letër, Shoqata e Transportit Publik Qytetas përsëriti kërkesën e operatorëve të transportit publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas për zgjatjen e afatit të masës mbështetëse edhe për 3 muaj shtesë.

“Në kushtet kur karburanti përbën një nga kostot kryesore të aktivitetit të transportit publik, vazhdimësia e çmimeve të larta ka sjellë rëndim të ndjeshëm të barrës ekonomike për subjektet transportuese, duke vështirësuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe garantimin e vazhdimësisë normale të shërbimit publik ndaj qytetarëve.

Kështu, kërkojmë marrjen e masave për zgjatjen e afatit të kompensimit financiar në masën 50 lekë/litër karburant edhe për periudhën korrik-shtator 2026, duke vijuar me të njëjtat procedura, kritere dhe dokumentacion të përcaktuar në aktin normativ në fuqi”, u theksua më herët në letër.
Pas kësaj letre, në një komunikim mes ministrive, Ministria e Financave shpreh gatishmërinë për shqyrtimin e çdo propozimi që do të paraqitet nga Ministria e Infrastrukturës. Pra kërkon propozimet për shqyrtim.

Sakaq vendimi për dhënien e kompensimit në masën 50 lekë për litër, për një periudhë 3 mujore, më pak se u kërkua nga shoqatat e transportit nga qeveria u miratua në mesin e muajit Maj.

Vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Efektet financiare llogariten në vlerën e 250 mln lekëve apo rreth 2.6 mln euro që do të përballohen në masën e 120 mln lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130 mln lekë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, aplikimet për përfitimin e kompensimit nisën më 30 Maj dhe përfundojnë më 1 Gusht 2026.

Para miratimit të vendimit për dhënie kompensimi, Shoqatat e transportit publik ngritën disa herë shqetësimin se rritja e çmimit të naftës nga lufta në Iran ka rritur ndjeshëm shpenzimet e operatorëve.

Me qëllim mos reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, operatorët u kërkuan institucioneve kompensimin e naftës për 6 muaj dhe rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit.

Në mungesë të reagimit të institucione për dhënie të kompensimit, ku operatorët si në Tiranë dhe rrethe i kanë “duart të lidhura” për rritjen e çmimit të biletës të cilat ndryshojnë vetëm me udhëzim qeverie apo të këshillit bashkiak, u detyruan të reduktojnë deri 60% shërbimin e transporti publik, për gati 2 ditë në të gjithë vendin.

Por edhe pas përfitimit të kompensimit dhe kalimit të periudhës emergjente për çmimet e lartë të naftës të ndikuara nga kriza në Iran, operatorët ngrenë shqetësimin së shpenzimet për naftën vijojnë të mbeten të larta.

Po ashtu sipas operatorëve kostot e larta përbëjnë edhe taksat, mirëmbajtja e autobusëve, pagat për punonjësit etj, si dhe detyrimet e tjera që e vështirësojnë situatën financiare për garantimin e vijueshmërisë së shërbimit.

“Në këto kushte, mbështetje përmes vijimit të skemës së kompensimit mbetet e domosdoshme, për të garantuar vazhdimësinë normale të transportit publik qytetas, ruajtjen e flotës aktive në operim, si dhe shmangien e reduktimeve të mëtejshme të shërbimit ndaj qytetarëve”, theksohet ndër të tjera në letrën që shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë./Monitor

Lini një Përgjigje