Dy civilë humbën jetën dhe të paktën 10 persona u plagosën si pasojë e një sulmi me dron ukrainas në rajonin kufitar rus të Bryanskut, sipas autoriteteve lokale ruse.
Guvernatori në detyrë i rajonit, Yegor Kavalchuk, bëri të ditur se dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në distriktin Suzemska, pranë kufirit me Ukrainën. Ndërkohë, shtatë persona u plagosën në një sulm ndaj stacioneve të karburantit në zonën e Starodubit, rreth 110 kilometra larg, ndërsa në një incident tjetër një fëmijë 5-vjeçar mbeti i plagosur.
Sulme me dronë u raportuan edhe në qytetin Tolyatti, ku ndodhet prodhuesi më i madh i automjeteve në Rusi. Guvernatori i rajonit të Samarës, Vyacheslav Fedorishev, deklaroi se nuk ka pasur të lënduar nga ai sulm.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 231 dronë ukrainas gjatë natës, duke sqaruar se shifra i referohet mjeteve të neutralizuara dhe jo domosdoshmërisht numrit total të dronëve të lëshuar drejt territorit rus. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa sulmet me dronë mes dy palëve vijojnë të intensifikohen.
Lini një Përgjigje