Një modele gjermane e zhdukur prej gati 11 vitesh është përmendur në dosjet e publikuara së fundmi të Jeffrey Epstein, duke ringjallur frikën e familjes së saj për fatin që mund të ketë pësuar. Lajmi është publikuar nga Daily Mail, duke iu referuar hetimeve të medias gjermane Der Spiegel dhe transmetuesit publik ZDF.
Michele, e identifikuar vetëm me emrin e saj të parë, u largua nga shtëpia familjare në shtator të vitit 2015, në moshën 22-vjeçare, dhe që prej asaj dite nuk është parë apo dëgjuar më.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në vitin 2025, rekrutuesi i modeleve Daniel Siad, i cili dyshohet se kishte lidhje me Jeffrey Epstein, i kishte dërguar financierit amerikan fotografi dhe informacione për Michele-n një vit para zhdukjes së saj.
Në një nga mesazhet, Siad e përshkruante të renë si “vajza nga Gjermania që nuk pate mundësi ta takosh”, ndërsa shtonte: “Është një vajzë që e njoh mirë. Do ta pëlqesh”.
Megjithatë, sipas Der Spiegel, nuk ekzistojnë prova që Michele të ketë takuar ndonjëherë Epstein. Edhe dy ish-bashkëpunëtorë të financierit kanë deklaruar se nuk e kanë parë kurrë atë.
Familja e modeles raportoi zhdukjen e saj pas një muaji pa kontakte, por për vite me radhë nuk pati asnjë gjurmë. Vetëm pas publikimit të dosjeve Epstein u shfaq një pistë e re hetimore.
Prindërit e saj tregojnë se Michele kishte ëndërruar gjithmonë të bëhej modele. Ajo ishte zhvendosur në Dubai në vitin 2012, ku kishte njohur Daniel Siad. Babai i saj ka deklaruar se vajza i kishte pranuar se punonte si eskortë për të.
Një ish-partner i Michele-s ka pohuar se ajo ishte vazhdimisht nën presion dhe merrte telefonata të shpeshta nga Siad, i cili shpesh e ofendonte.
Pak para zhdukjes, Michele ishte kthyer në Gjermani dhe po planifikonte të niste një jetë të re, larg botës së modelimit dhe eskortës. Sipas familjes, ajo kishte shprehur dëshirën për të gjetur një punë të zakonshme dhe për të filluar nga e para.
Por në fund të verës së vitit 2015, e reja u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. Edhe sot, pas më shumë se një dekade, familja e saj vazhdon ta kërkojë dhe shpreson të mësojë të vërtetën për fatin e saj./ E.K
Burimi: Daily Mail
Lini një Përgjigje