Për 16 vite fluturoi me licencë të falsifikuar, arrestohet piloti

11 Qershor 2026, 11:55Lifestyle TEMA
Për 16 vite fluturoi me licencë të falsifikuar, arrestohet piloti

Për 17 vite fluturoi me licencë të falsifikuar, arrestohet piloti që transportoi mijëra pasagjerë

Një skandal i pazakontë ka tronditur industrinë e aviacionit në Kanada. Ish-piloti i Air Canada, Geoffrey Wall, 59 vjeç, është arrestuar pasi autoritetet zbuluan se ai dyshohet se ka fluturuar për rreth 16 vite duke përdorur dokumente të falsifikuara për kualifikimet e tij profesionale.

Sipas autoriteteve kanadeze, Wall dyshohet se ka paraqitur dokumente të rreme që nga viti 2009, periudhë kur u promovua në pozicionin e kapitenit. Për këtë detyrë kërkohet licenca e pilotit të transportit ajror (ATPL), niveli më i lartë i certifikimit për pilotët komercialë.

Hetimet tregojnë se gjatë kësaj periudhe ai ka kryer rreth 900 fluturime brenda dhe jashtë Kanadasë, duke transportuar mijëra pasagjerë dhe duke përfituar miliona dollarë nga puna e tij si pilot.

Çështja doli në dritë vitin e kaluar, kur gjatë një kontrolli rutinë u konstatuan mospërputhje në dokumentacionin e tij. Pas zbulimit të parregullsive, Air Canada e pezulloi menjëherë nga detyra dhe e raportoi rastin te Transport Canada, agjencia federale që mbikëqyr transportin në vend.

Në një deklaratë zyrtare, Air Canada theksoi se siguria e pasagjerëve nuk është vënë asnjëherë në rrezik, pasi të gjithë pilotët i nënshtrohen trajnimeve dhe kontrolleve të detyrueshme periodike për të vërtetuar aftësitë e tyre në fluturim.

“Megjithatë, licencimi i duhur është një element thelbësor i sistemit të sigurisë në aviacion dhe ne e marrim këtë çështje me seriozitetin më të madh”, deklaroi kompania.

Autoritetet kanë ngritur shtatë akuza penale ndaj Wall, ndërsa ai pritet të paraqitet para gjykatës më 29 qershor. Hetuesit po vazhdojnë verifikimet për të përcaktuar mënyrën se si dokumentet e dyshuara të falsifikuara arritën të kalonin kontrollet për kaq shumë vite.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në Kanada dhe ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e verifikimit të licencave në industrinë e aviacionit./ Burimi: The Guardian

Lini një Përgjigje