Bujqësia vijon të jetë sektori më i goditur në tregun shqiptar të punës. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, punësimi në bujqësi ra me 1.3 për qind në krahasim me një vit më parë dhe me 6.7 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar.
Rënie është regjistruar edhe në industri, ndërsa sektori i shërbimeve ka shënuar rritje vjetore prej 4.2 për qind. Kjo konfirmon tendencën e viteve të fundit, ku ekonomia shqiptare po largohet gradualisht nga sektorët tradicionalë dhe po orientohet drejt turizmit, tregtisë dhe shërbimeve.
Tkurrja e punësimit në sektorin e bujqësisë mund të ketë pasoja afatgjata për zonat rurale. Emigracioni, mungesa e investimeve dhe plakja e popullsisë në fshat po e bëjnë më të vështirë ecurinë e këtij sektori.
Ndërkohë, rritja e shërbimeve po krijon vende të reja pune kryesisht në zonat urbane dhe turistike, por jo gjithmonë me paga të larta apo siguri afatgjatë. Kjo po sjell edhe ndryshime në strukturën sociale dhe ekonomike të vendit, me një diferencë gjithnjë e më të madhe mes qytetit dhe zonave rurale. /rtsh.al
Lini një Përgjigje