Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, takoi dje Tobias Flessenkemper, drejtor në Drejtorinë për Demokraci të Këshillit të Evropës, në kuadër të Konferencës së 42-të të European Youth Card Association (EYCA), e cila po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Kjo konferencë mblodhi në Tiranë, më shumë se 100 përfaqësues nga 30 vende evropiane, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në rrjetet dhe nismat evropiane të rinisë.
Ministri Gonxhja tha se, njëkohësisht, ajo shërben si një platformë e rëndësishme për dialog, shkëmbim përvojash dhe promovimin e politikave që vendosin të rinjtë në qendër të zhvillimit.
Ministri Blendi Gonxhja dhe Flessenkemper diskutuan mbi rëndësinë e fuqizimit të të rinjve, promovimin e lëvizshmërisë rinore në Evropë dhe thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës për krijimin e më shumë mundësive për brezin e ri.
“Rinia mbetet një prioritet strategjik dhe investimi më i sigurt për të ardhmen. Përmes bashkëpunimit me partnerët tanë evropianë, synojmë të zgjerojmë mundësitë për pjesëmarrje, mobilitet, edukim dhe zhvillim për çdo të ri shqiptar”, u shpreh kreu i MTKS-së. A.K./TemA
Lini një Përgjigje