Po dëgjoj të përdoret shpesh kjo fjalë magjike: shqiptarët, në kontekste ku merret e mirëqenë vullneti dhe agjencinë e tyre për të vepruar, si shqiptarë. Shpesh si emër tjetër për kombin shqiptar, një realitet demografik dhe historik sa kompleks dhe i ndërmjetësuar, aq edhe i keqpërdorur nga demagogët.
Lexoj tani që: “shqiptarët janë ngritur në këmbë kundër vendimit të Ramës për...”, në referim ndaj protestave anembanë vendit këto ditë. Por nuk është e saktë, as produktive, që t’i quash protestuesit kështu. Jo të gjithë shqiptarët kanë dalë në protestë: ka disa që nuk janë dakord me çfarë kërkohet, ka edhe nga ata që janë indiferentë ose të pavendosur. Protesta tërheq vëmendjen dhe bie në sy pikërisht sepse nuk pritej; dhe në raport me ata që nuk po protestojnë.[1] Në këtë rast atëherë termi shqiptarët jo vetëm që nuk e përcjell saktë realitetin e protestës, por edhe e shtrembëron dhe e fsheh. Përndryshe do të na duhej të besonim se “shqiptarët” po protestojnë kundër një agjencie apo entiteti jo-shqiptar (për hir të korrektesës, ka disa nga të dy krahët që i kanë fryrë edhe kësaj culeje, duke sjellë në muhabet Greqinë, përkatësisht Izraelin[2]).
Ngaqë formulat e vjetra japin një siguri që ndihmon për ta shpërfillur realitetin, nuk po marrim sa duhet parasysh që një masë e madhe e protestuesve janë bërë bashkë jo aq si tërësi subjektesh me kërkesa dhe pretendime politike specifike, sa si publik i rrjeteve sociale, që vepron brenda dinamikës sa esencialiste aq edhe të ndërmjetësuar të logosit mediatik. Deri edhe performativi i memeve, i parullave (anglisht), i flamingove dhe i krejt pasqyrimit të protestës në Facebook dhe gjetiu mund të kuptohet më mirë, po të lihet në kontekstin e atyre rrjeteve.
Ka përndryshe mekanizma që ndihmojnë për të krijuar një ide se çfarë duan shqiptarët – ose atë motivim kolektiv që përligj përdorimin e emrit. Për shembull, referendumi, i cili të paktën përvijon opinionin e një shumice aritmetike rreth çështjes për të cilën është thirrur referendumi (por edhe referendumi e bën këtë nëpërmjet formulimit të pyetjes përkatëse). Ose, ngjashëm, votimet dhe, si pasojë, përfaqësimi në parlament. Një mjet më pak rigoroz do të ishte sondazhi. Nuk ka nevojë të shtoj se vetë metoda e shprehjes së opinionit duke zgjedhur mes alternativave të përcaktuara nga një palë e tretë (jeni për Edin apo për Salën?) e ngushton tej mase lirinë e pozicionimit të atij që përgjigjet. Paradoksalisht, dhe në çdo rrethanë, të gjitha këto metrika tregojnë se “shqiptarët” nuk kanë ndonjë agjenci të tyren, por janë thjesht grupe njerëzish (më saktë: grupe grupesh) që mendojnë ndryshe, për gjëra të ndryshme. Se çfarë i bashkon, në raste të tilla, është jo aq pakënaqësia ndaj mënyrës si po shkojnë punët ose besimi te një ideal, sa licenca për të votuar ose shtetësia; ndryshe nga protestuesit, të cilët i bashkon zhgënjimi i thellë me klasën politike dhe, veçanërisht, me kryeministrin Rama. Hendeku që ende ekziston mes qytetarëve dhe protestuesve (ose më gjerë, publikut të përftuar prej mediave sociale) nuk do të mbushet duke iu thirrur një retorike populiste të vjetruar.
E njëjta fjalë – shqiptarët – do të marrë kuptime të ndryshme, varësisht subjektit që e thotë: në mediat ndërkombëtare do të gjendet edhe përdorimi më i pafajshëm i termit, ku sinekdoka pars pro toto e merr përligjjen, si të thuash, nga distanca; agjencia Reuters mund të shprehet “shqiptarët kanë dalë në protestë” pa supozuar ndonjë gjë thelbësore, për shtrirjen e protestës vetë; sepse tek ajo shprehje, kryefjala shqiptarët i referohet më shumë gjeografisë dhe më pak identitetit kolektiv të protestuesve; dhe “shqiptarët kanë dalë në protestë” mund të parafrazohet edhe si “në Shqipëri po protestohet”. Ky do të ishte edhe proces emërtimi nga jashtë. Përkundrazi, kur këtë e thotë një media vendëse a një subjekt që jeton në Shqipëri, kuptimi fillon të ndryshojë, sepse dëgjuesi gjithnjë është në të drejtën e vet të pyesë pse po përdor folësi këtë perspektivë distancuese.
Ia vlen të kujtohet këtu se sinekdoka shqiptarët spikat në prozën e Kadaresë, dhe jo vetëm në gojën e të huajve, por edhe në atë të personazheve shqiptare; për të shenjuar para së gjithash popullin shqiptar si faktor në histori, një kolektiv të njëtrajtshëm dhe mbijetues, me një agjenci të vetën të dallueshme qartë, si në “shqiptarët iu kundërvunë osmanëve” ose “shqiptarët u tërhoqën në male” e kështu me radhë. Ai i personazhit të huaj që fillon të shqiptohet filozofikisht për “shqiptarët”, është një nga tropet më karakterizuese për atë prozë – që nga gjenerali dhe prifti, te kryeveqilharxhi dhe folkloristët e huaj në malësitë e Veriut; dhe njëherazi, një nga kushtet e produksionit të diskursit esencialist kombëtarist, që i ka rrënjët në romantizmin gjerman dhe në Volk-un herderian. Duket sikur për filozofinë historike të Kadaresë identiteti etnik/kombëtar i një kolektivi përcakton edhe agjencinë e tij (dhe, gjithsesi, jo e kundërta).
Ka edhe një interpretim të dytë, të këtij termi, kur shfaqet në gojën e një personazhi “shqiptar” dhe që ka lidhje me mekanizmin e tëhuajzimit (estrangement, остранение i Viktor Shklovskit), një teknikë letrare që ndihmon për t’i paraqitur gjërat e përditshme në mënyrë jo-familjare, për t’i bërë të tjerët t’i shohin në dritë të re. Një banor i Tiranës nuk ka arsye pse ta përjetojë veten si “shqiptar” në jetën e përditshme, sa kohë që nuk jep e merr me “jo-shqiptarë”; sinekdoka, letrare por edhe publicistike, e shtyn drejt një perceptimi ndryshe të vetes, si të kundruar “nga jashtë”.
Në kontekstin e protestës, duket megjithatë artificiale t’i quash protestuesit “shqiptarë” – sipas kësaj logjike mund t’i quash edhe “njerëz”; dhe analiza e motiveve të shprehura prej protestuesve nuk lë dyshim se kemi të bëjmë me një protestë qytetare, për drejtësi, dinjitet dhe drejtësi; të flasësh për “shqiptarë” është totalizuese dhe vetëm sa e legjitimon ndarjen – skizmën – mes qytetarëve dhe qeverisë (elitës në pushtet). Edhe pse, në sipërfaqe, duket sikur njerëzit kundërshtojnë një investim të huaj, për të cilin nuk i kanë pyetur dhe as i kanë informuar, sërish këtë investim e ka lejuar (ose do ta lejojë, ose do ta lejonte) qeveria e zgjedhur pak a shumë lirisht dhe demokratikisht prej tyre, jo ndonjë fuqi e huaj pushtuese a sunduese. Disa e akuzojnë qeverinë dhe kryeministrin Rama se u është shitur të huajve (ka tradhtuar), por kjo akuzë kaq e rëndë ka nevojë të provohet, para se të kornizohet protesta si “e shqiptarëve”.
Agjencia e “shqiptarëve” shfaqet tërthorazi në shprehje të tilla si në emër të popullit, të cilat implikojnë që vullneti i delegohet një entiteti tjetër. Zakonisht, kjo në emër të, si formulë delegimi, ndiqet nga një performativ. Por, sikurse edhe është vënë re, vetë formula në emër të lë të kuptohet se entiteti i referuar “nuk ka gojë” dhe se nuk do ta realizonte dot agjencinë e vet pa delegimin. Për shembull, një marrëveshje për t’i dhënë një investuesi strategjik truall të mbrojtur në bregdet nënshkruhet nga një autoritet i deleguar, i cili vepron në emër të qeverisë shqiptare dhe, në analizë të fundit, në emër të popullit, si hallka e fundit e një zinxhiri të gjatë përfaqësimesh. Nëse kjo marrëveshje kërkon shfuqizimin e një ligji specifik, që e kish shpallur atë truall “zonë të mbrojtur”, atëherë edhe shfuqizimi do të bëhet “në emër të popullit”, njëlloj siç ishte votuar i njëjti ligj, vite më parë, “në emër të popullit”. Ndonjëherë, kur folësi përnjëmend beson se mishëron vetë autoritetin që pretendon se po përfaqëson, “në emër të popullit” është thjesht një formulë e mirësjellshme për “kështu dua unë.”
Gjithsesi, nuk do shumë mend për të kuptuar se “populli” nuk ka shumë gisht në këto akte. Vendimin për të lejuar ndërtime turistike në Sazan e mori kryeministri Rama, në negocim me investuesin përkatës dhe miq të tjerë, me gjasë i shtyrë nga bindja se ky investim do të ishte i mirë për “shqiptarët” dhe i bindur se e kishte mandatin për këtë, në bazë të shumicës që i pat dhënë votën partisë së tij. Shpesh ata që thonë “shqiptarët” kështu dhe “shqiptarët” ashtu, fshehurazi nuk po përshkruajnë as po përcjellin gjë, por veç po ndërtojnë një subjekt politik me fjalë.
Por nuk thotë dot njeriu se “shqiptarët duan që Ivanka e Trumpit të marrë Sazanin”, për arsyen e thjeshtë se ka shumë shqiptarë që nuk e duan këtë, dhe ka shumë të tjerë që nuk kanë ndonjë mendim ose që nuk dinë gjë as për Ivankën as për Sazanin vetë.
Madje tani me dhjetëra mijëra vetë kanë dalë rrugëve për ta kundërshtuar edhe marrëveshjen përkatëse, edhe mënyrën si ka vepruar – në këtë rast dhe në raste të tjera – kryeministri Rama. Qëllimet e mira dhe modestia intelektuale e kundërshtarëve politikë nuk janë alibi për arbitraritetin.
Njëherazi, vështirë të pranosh se agjencia e një bashkësie sociale si “shqiptarët” është statistikore; sepse një individ nuk është se pushon së qeni pjesë e kësaj bashkësie, po të mos pajtohet me këtë apo apo qëndrim të konfirmuar të shumicës.
Ndonjëherë ndesh në rrjetet sociale në thënie të tilla si “ti nuk je shqiptar, sepse një shqiptar nuk do të...”, të cilat e identifikojnë esencën e shqiptarit me një profil të imagjinuar, zakonisht rapsodik, si në pikturat e realizmit socialist.
U diskutua këto ditë edhe rreth shprehjes “Shqipëria e shqiptarëve”, e cila mbahej mend ngaqë përdorej si moto nga lëvizja e Ballit Kombëtar gjatë Luftës II Botërore (“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”), por që tani u rekrutua sërish për të komunikuar atë që trojet e Shqipërisë janë “tonat” (të popullit shqiptar, të “shqiptarëve”).
Rama iu kundërvu kësaj me argumentin poetik se “Shqipëria është e Zotit dhe e mikut”, të nxjerrë në thelb nga Kanuni.
Nga njëra anë, paranoja e implikuar te “Shqipëria e shqiptarëve”; nga tjetra sofizmi sentimental i formulës kanunore. Në një kontekst të ri, ku gatishmërisë për t’iu dorëzuar ngushëllimit cheap të konspiracionizmit i duhet t’i bëjë llogaritë me kalimin e rrjedhshëm, në përkufizimin kombëtar, nga shqiptari hero te shqiptari viktimë.
Nëse këtë dilemë vendosim ta zgjidhim duke i përcaktuar shqiptarët si subjektin sovran të interesit kombëtar, atëherë na mbetet të gjejmë se çfarë është ky interes kombëtar, si regjistrohet dhe si kodifikohet; dhe si pozicionohet në raport me interesin individual.
Ky i fundit është i përkufizueshëm më lehtë – sepse nuk ka individ që të mos e dijë se çfarë i intereson; përndryshe, nuk do të ishte individ fare.
Por individët dallohen mes tyre – si individë – edhe ngaqë kanë interesa të ndryshme. Kjo shpjegon pse disa votojnë për PS-në dhe disa të tjerë për PD-në; pse disa janë për zhvillim ekonomik të përshpejtuar dhe disa të tjerë janë për frenim të zhvillimit dhe konservim të mjedisit.
Madje vetë thelbi i një shoqërie pluraliste është bashkëjetesa dhe konflikti i interesave – individuale dhe kolektive.
Për mua, si individ, është në interesin kombëtar të qytetarit (të “shqiptarëve”) që Shqipëria të normalizojë pozicionin e saj në Europë dhe të integrohet në Bashkimin Europian. Por e kam të qartë që jo të gjithë e besojnë kështu; dhe se ky objektiv mund të arrihet edhe duke blofuar, siç e kemi parë deri në mërzi.
Thënie të tipit “Shqiptarët duan t’i bashkohen Europës” (ose edhe më keq, “janë talibanët[3] e Europës”) kanë kuptim vetëm sa kohë pasqyrojnë rezultatet e një matjeje demoskopike (p.sh. një referendumi); dhe gjithsesi duhen përdorur me rezervë të madhe, jashtë titujve të tabloidëve dhe të portaleve.
Përndryshe, ato mbeten po aq poetike dhe fluide, sa edhe klishe filloriste të tipit “Shqiptarët kanë luftuar për liri”, një retorikë që sot ende ndeshet në faqet e librave për fëmijë, por që e ka humbur domethënien. Sa të lirë u bënë “shqiptarët” pas shpalljes së Pavarësisë në 1912? Po kur u çlirua vendi në nëntor të vitit 1944? Çfarë do të thotë tamam, që një popull është i lirë, përtej atij diskursi që e përqendron vëmendjen te krijimi dhe ndërtimi i institucioneve – nga parlamenti, te gjyqësori, te arsimi, te kultura dhe kështu me radhë?
Për të njëjtën arsye, interesat e kujt janë mishëruar dhe kultivuar në kullat – aq kaba – që kanë shpuar qiellin e Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë?
Dhe mos më thoni “të shqiptarëve”; edhe ju vetë e dini që nuk është kështu.
(c) 2026 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
[1] Për një analizë të thelluar të mekanizmit retorik të llojit pars pro toto prapa këtij koncepti politik – veçanërisht në kuadrin e lëvizjeve populiste – e referoj lexuesin te vepra On Populist Reason by Ernesto Laclau.
[2] Argumenti më kujton diçka të thënë e të përsëritur tashmë për shumë vjet: “shqiptarët kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës II” – një tjetër shprehje që duhet mbrojtur nga banaliteti. Vërtet, që shumë familje shqiptare strehuan dhe madje fshehën hebrenj gjatë Luftës – por një pjesë e madhe e banorëve të Shqipërisë, në atë kohë, as që e dinte se kish hebrenj në Shqipëri. Ndërkohë, le të mos harrojmë kurrë përpjekjet dhe marrëveshjet e qeverisë në Tiranë për të penguar formalisht deportimin e hebrenjve prej administratës naziste në vend. Të paktën ajo qeveri – sado e dobët, sado e pafuqishme – mund të pretendonte se vepronte në emër të shqiptarëve (të “popullit shqiptar”); ashtu, edhe shprehja “shqiptarët kanë shpëtuar...” mund të ftillohet disi. Përndryshe, mllefi i shprehur, disi papritur, kundër Izraelit me tone dhe imazhe anti-semite do të shpjegohet jo aq si kontaminim prej Islamit politik, sa si reagim i vetvetishëm (knee-jerk reaction) ndaj lektisjes qeveritare dhe institucionale të Shqipërisë sot pas shtetit izraelit, të qortuar anembanë botës për dhunën sistematike që ka ushtruar ndaj palestinezëve.
[3] Ndryshe nga ç’u tha në mediat, unë këtë “talibanët e Europës” e kuptova si “fanatikët e idesë së Europës”).
Lini një Përgjigje