Pas shpalljes së sekuestrove mbi biznesin e Shtufit, Muli u gjend sot para një problemi të papritur. Zeni duhet të gjejë shtëpi të re.
Edhe pse ka dhjetëra shtëpi në dispozicion, e ka të vështirë të shkojë diku pa u marrë vesh.
Kështu që Muli i rekomandoi të shkojë te apartamenti në pallatin pranë Liqenit.
– Po edhe aty bie në sy – i tha Lelo.
– Jo – i tha Muli. – Aty duket sikur e kam ftuar unë dhe është mësuar pallati me të, se ka 15 vjet që rri aty.
– Epo shumë mirë – tha Lelo. – Kjo e zgjidh çështjen. Tani duhet të zgjidhim këtë çështjen e qëndrimeve publike. Duhet të përmendim vetëm këtë Artur Shehun aty në Zvërnec. Këta të tjerët s’duhet t’i përmendim se janë viktima. Ata kanë besuar që ai e kishte vërtet tokën dhe i janë afruar si investitorë. Nuk e kanë ditur sa të thella ishin këto punë. Kështu justifikojmë edhe mos përmendjen e këtij Shtufit.
– Dakord jam – tha Muli. – Ke të drejtë. Mendoj se edhe këto arrestime i bën Lali nga burgu. Ai organizon edhe protestat, edhe arrestimet. Kam dyshimin se ai është arrestuar enkas për të fshehur gjurmët, që të mos kuptohet kush i bën arrestimet dhe kush e bën protestën.
– Po dukemi pak si budallenj po e thamë këtë – tha Lelo, – se Altin Dumani ka arrestuar Lalin, Altin Dumani po arreston edhe Shtufin.
– Pikërisht kjo është loja – i tha Muli. – E kanë bërë enkas këta të CIA-s që të mos kuptohet. Natyrisht edhe Sorosi. Duhet ta shikojmë këtë punë.
– Deri këtu s’kam fantazi – i tha Lelo. – Këtë mund ta thuash ti, se ty të shkon.
Lini një Përgjigje