Muli xheloz për Fred Çakon në miting

5 Qershor 2026, 19:11Antena TEMA

Muli po ndiqte nga telefoni protestën në bulevard kur pa që u shfaq aty Fred Çako.

– Po pse këtë e pranojnë – i tha Lelos – dhe ne nuk na pranojnë?

– Mua më pranojnë – i tha Lelo, – kam shkuar, por nuk flas.

– Ou, po ne të tjerët?

– Dhe Belua vjen – i tha Lelo.

– Po tjetër kush vjen?

– Thuajse të gjithë vijnë – tha Lelo, – por nuk flasin.

– Atëherë të vij dhe unë – i tha Muli.

– Ti jo, se ty të njohin si krahu i djathtë i Doktorit – i tha Lelo. – Dhe ai i xhindos. Nuk e durojnë dot.

– Dmth këta të tjerët që vijnë qenkan kundër Doktorit – i tha Muli.

– Nuk besoj – tha Lelo, – por populli e kupton që janë edhe me Doktorin, edhe me ata. Kurse Fred Çako është një hap përpara – i tha Lelo. – Atë e pranojnë dhe të flasë, se ai ka bërë zbulime interesante rreth tokës së sheshtë, lobit hebre që po zhduk botën, vaksinave etj.

– Po mirë mo, çfarë populli është ky – tha Muli – që mua më quan budalla se u them gjëra të vërteta, kurse atë e quajnë të mençur se u thotë marrëzira?

– Populli kështu është – tha Lelo. – Nuk ka nevojë t’i thuash atë që është e vërtetë, por atë që i duket si e vërtetë. Ndaj ne s’kemi sukses se jemi tepër të sinqertë. Themi atë që mendojmë.

– Epo në të sëmës të shkojnë pra – tha Muli. – Pa i kërkuar falje Doktorit dhe mua s’kanë mbështetje.

1 Komente

  1. T
    Tim

    Ne ate vend me shum kan hapsire, te maret,mashtruesit dhe budallenjte duhet te jesh I ktij rangu qe te kuptojne si puna ktij Cakos qe meret me teori konspirative nga Interneti , edhe ai e kupton qe flet budalleqe por e kupton qe I pelqen njerzve . Wikipedia dhe njerzit kujtojn qe shdo gje qe hidhet internet jane te verteta. Asnjeri nuk lexon ne kte koh .

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje