Muli xhindoset me Gaz Bardhin në Kuvend

4 Qershor 2026, 18:49Antena TEMA

Sot Mulit i ndodhi një ngjarje e pakëndshme. Ishte duke pirë kafe në kafenenë e Kuvendit dhe po shikonte televizorin që ishte pa zë. Befas pa Gaz Bardhin që po tregonte një fshat turistik me vila dhe po tregonte një vilë.

U tërbua.

Mori dikë nga këta të PD-së që janë afër Irfanit dhe i ulëriti:

– Po mirë mo, ky Irfani me mua gjeti të merret sot? Bën diversion dhe transmeton Gaz Bardhin duke treguar vilën time në Gjirin e Lalzit. Akoma me atë budallallëk të tij ju?

– Jo – i tha ai, – nuk besoj se e ka bërë, por po pyes.

Ndërkohë, i tërbuar, i çon SMS Gazit dhe i thotë:

– Boll me atë vilën se na çave trapin.

– Të lutem shumë – i tha Gazi, – mos më pengo në betejat e mia. Nëse ti nuk je i lirë të flasësh për vila, unë jam i lirë të flas.

– Po boll mo burrë se na lodhe me këto parimet e tua. S’ke faj ti, kam faj unë që ta hapa derën dhe të zgjata dorën.

Gazi u mat t’i telefononte, por Muli ia mbylli.

Ndërkohë ra telefoni nga News 24.

– Zoti Muli, nuk kemi dhënë asnjë lajm për ty – i tha ajo. – Nuk di përse e ke fjalën.

– Sapo pashë Gaz Bardhin që tregonte vilën time në ekran – i tha Muli.

– Më vjen keq – i tha ajo, – nuk e kishte për ty këtë radhë, e kishte për Belën…

– Ashtu? Mirë, më fal – tha Muli.

Pastaj mori Gazin në telefon.

– Më fal që ta mbylla – tha, – se isha gjithë nerva, se mu duk sikur po ritransmetonin atë pjesën kur tregoje vilën time.

– Po jo mo burrë, se nuk ishte jotja – tha Gazi.

– E mora vesh, po gabim bërë. Ia lije ndonjë tjetri, se ty duket sikur gënjen – i tha Muli.

– Mirë është ta lëmë këtë muhabet – i tha Gazi, – se nuk dihet kush gënjen pastaj.

Lini një Përgjigje