Qytetërime në tym

4 Qershor 2026, 19:13Kulturë Ardian Vehbiu

Gjatë një transiti të paradokohshëm përmes një aeroporti të Europës – nuk e mbaj mend ku tamam, kështu kanë ardhur punët (!) – pashë gjysmë të fshehur anash një si hapësirë të mbyllur, të ndriçuar ndryshe nga pjesa tjetër e katit, ku hynin e dilnin gjithfarë tipash,– paskësh qenë një smoking area. U bëra kurioz dhe pashë, përmes xhamave, njerëz që pinin duhan në këmbë, duke parë telefonat ose tavanin; mendova që kështu do të kisha përfunduar edhe unë, sikur të mos e kisha lënë cigaren në 2002. Ndoshta për shkak të lëbyrjes së kaltërreme që i jepte dritës tymi i pezullt, ajo dukej si e mbushur me një atmosferë tjetër, mbase për të pritur mysafirë nga një planet fqinjë, që thithin ajër tjetërlloj, a që kanë nevojë për trysni a temperatura të tjera. Çfarë edhe do ta kish shndërruar aeroportin në një port galaktik, të rregulluar me protokolle bakteriologjike po aq të rrepta sa edhe ato tonat kundër duhanit.

Duhanin e kam pirë gjatë gjithë viteve 1990, e solla me vete nga Shqipëria në Itali dhe pastaj kalova me të oqeanin, me një Boeing 747 të Alitalia-s, që kish një pjesë të madhe të kabinës të rezervuar për smokers (che tempi che erano!). Por kryqëzata kundër nesh tashmë kishte filluar. Nëse në zyrat e Berlitz-it – ku pata gjetur një punë të përkohshme në fillim – cigarja tek-tuk tolerohej, ngaqë shumica e menaxherëve e pinin, në Transperfect ku shkova më pas dhe në Spectrum – ku punova për 8 vjet – as që bëhej më fjalë për ta ndezur. Merrja ashensorin, nga kati i tetë për të dalë përjashta në trotuarin e 39th st, për një cigarette break; dhe tek ajo kthinë në mur pranë një kazani plehrash njohja gjysmën e atyre që punonin në ndërtesën time. Ishin kohë të lumtura, në një Manhattan ende të paprekur nga gjëma e 9/11.

Cigarja dikur këqyrej si shoqëruese e pandarë e së përditshmes dhe e vetëdijes; dhe në fakt për mua u desh rritja e intolerancës, që të normalizohej praktika e pauzës. Megjithatë, gjithnjë mbaj mend njerëz që uleshin për të pirë një cigare, zakonisht punëtorë krahu, ndërtues, por edhe ustallarë. Ajo pauzë shërbente edhe si lutje. Ndihmonte për ta hequr mendjen nga ku e kishe dhe për ta çuar diku tjetër, ku nuk e kishe. Herët në vitet 1980, kur nuk më linin ta pija në shtëpi sidomos në dimër, dilja në ballkon dhe “lutesha” heshtur, duke kundruar malin e Dajtit përballë. Ashtu edhe m’u shndërrua dora-dorës në një shenjë pikësimi për ditën, që ndihmonte për t’i segmentuar eksperiencat.

Një ese e William Davies (What have we lost in the shift from cigarettes to smartphones?), ku përfundova këto ditë, m’i kujtoi të gjitha këto, ndonëse për mua telefoni celular nuk e ka zëvendësuar dot cigaren, si shenjë pikësimi dhe si teknikë për ta vënë në pauzë rrjedhën e kohës. Në fakt, për mua cigaren nuk e ka zëvendësuar asgjë – është haraçi i përditshëm që paguaj, me shpresën se po i shërbej “shëndetit” tim.

Davis bën një paralele inteligjente mes tymit të cigares dhe tymit të oxhakëve industrialë, në periudhën e prodhimit të madh manufakturor, duke shtuar se se praktika e duhanpirjes, në atë masë që ende tolerohet sot, mishëron disa vlera të vendit të punës në mes-shekullin XX, ku pauzat për cigare ishin pjesë e një tërësie ritualesh rreth të cilave organizohej rutina e punëtorëve (dhe e punonjësve). Duke cituar “Postcript on Societies of Control” të Deleuze-s, ai vëren se eksperiencën e pikësuar, të shekullit të shkuar, e ka zëvendësuar tani eksperienca e vijueshme, ku ndërprerjet dhe kufijtë mes segmenteve të kohës nuk ekzistojnë më, me telefonin celular si një nga ato vegla që e mundësojnë magjinë e tranzicionit empirik dhe semiotik.

Më kujtohen pastaj vende si Tirana dhe Prishtina dhe qytete të tjera shqiptare, ku njerëzit ende nuk e kanë për gjë të lëshojnë tym në vende publike të mbyllura, pa ndonjë ndjenjë faji të spikatur; paçka se oxhakët e fabrikave edhe në këto shoqëri periferike nuk tymosin më; dhe mendoj se tymi që vazhdon të prodhohet e gjen një analogji këtë herë tek automjetet e vjetruara që vazhdojnë të vjellin ndotje gazrash motorike në rrugë, në përqindje gjetiu të patolerueshme.

Shumëkush do ta kujtojë serialin televiziv The X Files, të cilin kisha filluar ta ndjek që para se të vija në NYC; dhe që vazhdoi për shumë vjet. Një nga personazhet e serialit, i njohur me nofkën Cigarette Smoking Man (CSM, alias Smoking Man, alias Cancer Man), mishëronte – në ekran – jo vetëm antagonistin kryesor, përfaqësues të establishmentit sekret (The Syndicate) që kërkonte të ndalonte me çdo kusht vrullin e protagonistëve Moulder dhe Skully drejt së vërtetës (“The Truth Is Out There”), por edhe zelltarinë e atyre kohëve për ta demonizuar cigaren dhe për ta paraqitur vesin e duhanit si të njerëzve të ligj dhe agjentëve të Thanatos-it. Ky personazh, që dikur nga fundi i serialit del se quhej Carl Gerhard Busch, e lajmëronte praninë e vet, në çdo skenë gjysmë të errët ku shfaqej, me flakën e shkrepëses a të çakmakut, me të cilën ndizte cigaren e radhës dhe tymin që e rrethonte veten; madje të tjerët e kuptonin se ua kish vizituar fshehurazi zyrat ose shtëpitë dhe dhomat e hotelit nga duhma e rëndë e duhanit që linte pas.

Kur po kërkoja për esenë e William Davies-it, e cila më ngacmoi mendërisht me paralelen mes cigareve dhe oxhakëve të fabrikave, si shenja të një epoke industriale tashmë të kapërcyer, më doli përpara titulli i një memuari, Where There’s Smoke...: Musings of a Cigarette Smoking Man nga një William B. Davis, që nuk ishte veçse aktori që e luante këtë personazh në The X Files.

Dhe ironia e ironive – aktori i Cigarette Smoking Man kish pothuajse të njëjtin emër si autori i esesë për cigaret dhe celularin, si shenjat kyç të tranzicionit drejt kapitalizmit digjital – William B. Davis vs. William Davies, çfarë m’i nxiti edhe më përsiatjet për marrëdhëniet e cigares me kapitalizmin klasik; ku bazuar flaka, djegia dhe tymi lajmërojnë natyrën në thelb termike të këtij qytetërimi, bashkë me barutin, karburantin e avionëve dhe, në analizë të fundit, reaksionet bërthamore të fisionit dhe të fuzionit; ndryshe, krejt ndryshe, nga epoka e teknologjisë digjitale, ku energjinë termike dhe lëvizjen mekanike e ka zëvendësuar rrjedha e elektroneve dhe e fotoneve (drita); një botë, kjo e dyta, ku nuk ka më vend logjik për cigaren, çfarë shpjegon edhe popullarizimin e produkteve të vapimit (cigaret elektronike).

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje