Shkrimtarja, ilustratorja dhe regjisorja franko-iraniane Marjane Satrapi, e njohur në mbarë botën për romanin grafik Persepolis, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes agjencisë AFP. Në një deklaratë, të afërmit e artistes thanë se Satrapi u shua “nga dhimbja” pak më shumë se një vit pas humbjes së bashkëshortit të saj, producentit, aktorit dhe skenaristit Mattias Ripa, i cili ndërroi jetë në prill të vitit 2025.
E lindur në Rasht në vitin 1969, Satrapi u vendos përfundimisht në France në vitin 1994. Ajo fitoi famë ndërkombëtare me romanin grafik Persepolis, botuar në katër vëllime mes viteve 2000 dhe 2003, ku rrëfente përvojën e saj gjatë revolucionit islamik në Iran dhe jetën në mërgim.
Në vitin 2007, adaptimi kinematografik i animuar i Persepolis, i bashkëdrejtuar nga vetë Satrapi, fitoi Çmimin e Jurisë në Festivalin e Kanës dhe u nominua për “Academy Awards”.
Gjatë karrierës së saj, Satrapi realizoi gjithashtu filmat “The Voices” dhe “Radioactive”, duke u shquar për stilin e saj artistik dhe qasjen kritike ndaj çështjeve sociale e politike.
Përveç krijimtarisë artistike, ajo ishte një aktiviste e njohur për lirinë e shprehjes dhe të drejtat civile. Në vitet e fundit, Satrapi u bë një nga figurat më të spikatura të diasporës iraniane në mbështetje të lëvizjes “Grua, Jetë, Liri”, e lindur pas vdekjes së Mahsa Amini në vitin 2022.
Për angazhimin e saj kulturor dhe shoqëror, në vitin 2024 ajo u nderua me Çmimin “Princesha e Asturias” për Komunikim dhe Shkenca Humane.
Vdekja e Marjane Satrapit shënon humbjen e një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë grafike bashkëkohore dhe të aktivizmit për të drejtat e njeriut. A.K./TemA
Lini një Përgjigje